“Përdorimi i dronëve nga organizatat e shoqërisë civile sjell dobi të mëdha në pasqyrimin real të ngjarjeve, ndërsa rregulla më të qarta mbeten për t’u hartuar,” shkruan Tamás Richárd Bodoky nga Hungaria.
Zakonisht të lidhur me idenë e aksioneve ushtarake shkatërrimtare, dronët – ata që nuk përmbajnë armë – po bëhen një mjet thelbësor për shoqërinë civile. Nga një këndvështrim shpendi, ata po ekspozojnë të vërtetën rreth gjithçkaje, nga përmasat e protestave te pasuritë e paligjshme të zotëruara nga elitat e korruptuara politike.
Si një qendër monitoruese për aktivitetin e qeverisë dhe e gazetarisë investigative, organizata jonë ka përdorur dronë për t’i ofruar hungarezëve një perspektivë të re – si në kuptimin e parë dhe në atë figurativ – në ngjarje të rëndësishme të vendit.
Përmes videove të filmuara nga dronët, ne zbuluam asetet e fshehura të politikanëve dhe oligarkëve pro-qeveritarë, përfshirë kështjellat e përfituara nga kompanitë e lidhura me dhëndrin e kryeministrit hungarez. Shenja të tilla të pasurimit personal – që, në shumicën e rasteve mund të filmohen vetëm nga ajri – i dhanë qytetarëve një panoramë të qartë të korrupsionit dhe pabarazisë përreth tyre.
Njëkohësisht, dronët janë të dobishëm për treguar fuqinë e shoqërisë civile. Në vitin 2014, ne kapëm foto nga ajri të protestave kundër taksës së internetit të qeverisë. Së fundmi, ne filmuam marshimin e refugjatëve në Budapest – duke treguar situatën e tyre tragjike, kjo na ndihmoi të kundërshtonim narrativat e qeverisë rreth përshkrimit të emigrantëve si armiq të rrezikshëm apo pushtues.
Në secilin shembull, përdorimi i dronëve na ndihmoi të llogarisnim numrin e njerëzve të pranishëm, një detyrë që ka rezultuar e vështirë edhe për shtypin. Gazetarët e tjerë hungarezë që kanë përdorur dronët me kamera për të mbuluar këto ngjarje, kanë përballur rezistencën e policisë në një numër të madh rastesh, megjithëse ligjet rreth përdorimit të dronëve kanë mbetur të paqartë.
Teksa njerëzit i kthehen dronëve për një shumëllojshmëri synimesh, është e rëndësishme që të vihet një kornizë ligjore në të cilët të mund të operohet. Autoritetet duhet të konsultohen me organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët për të zhvilluar së bashku rregullime, ndërsa marrin në konsideratë të drejtën për privatësi, lirinë e shtypit dhe rëndësinë e mbajtjes të informuar të publikut.