Shtatë aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” janë shoqëruar sot për në Komisariatin nr. 2 të Policisë në Tiranë me akuzën e tubimit të paligjshëm.
Studentët organizuan më herët një protestë përpara zyrave të Kryesisë së Kuvendit për të protestuar reformën në arsimin e lartë.
“Duke shkelur në mënyrë të hapur të drejtat dhe lirinë e shprehjes, duke shkelur Kushtetutën dhe ligje në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për të protestuar, pushteti u vendos edhe njëherë përkrah interesave klienteliste dhe kundër qytetarëve të ndërgjegjshëm që interesohen për fatet e shoqërisë,” janë shprehur aktivistët në një komunikatë.
Lëvizja “Për Universitetin” ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të studentëve aktivistë.