Pas një incidenti me biçikletë, tundimi për të bërë jetën normale dhe të sigurt shfaqet në formë këshille te një e pasionuar e aventurave dhe nxit një meditim për jetën dhe lumturinë në përgjithësi.
Pasi kisha mjekuar plagët me betadinë dhe fytyra e ënjtur dhe e gjakosur më ziente ende, po mbaja një qese mishi të ngrirë në fytyrë në pritje që nga çasti në çast të niste “diskutimi serioz” për aventurat e mia.
Dhe kështu ndodhi.
Në atë që u duk një mbledhje ‘spontane’ e familjes në dhomën e ndenjes, momentet e përqafimeve mbështetëse dhe ngushëllimi “ke shpëtuar paq” ia lanë vendin fillimisht heshtjes me fytyrën të menduar dhe pastaj fjalëve të inkurajuara nga shqetësimi.
Por përpara kësaj, më lejoni t’ju tregoj aventurën e asaj dite.
Ishte e shtunë dhe pas një xhiroje përqark Tiranës vendosëm t’i shmangemi imazhit të kalimtarëve që ecin në korsitë e dedikuara biçikletave dhe devijimit të tmerrshëm të korsive në stacionet e autobusëve, për t’iu drejtuar parkut të Dajtit.
Dajti, jo vetëm që është një nga pikat më tërheqëse të Tiranës për një aventurë pedalimi në zbritje pa mundimin e ngjitjes, por gjithashtu një destinacion i përshtatshëm për ditët e shkurtra të dimrit dhe ngjyrat vjeshtake të pemëve.
Duke qenë se ngjitja nga 200 metra mbi nivelin e detit në deri në 1050 metra ka një përqindje pjerrësie disi të lodhshme dhe vazhdon konstante, vendosëm të marrim teleferikun në vajtje (bileta kushton 500 lekë dhe e marta është pushim) dhe të lëshohemi tëposhtë kryeqytetit.
E lamë pas zonën e populluar nga vizitorët, ku mbizotëron turizmi inaktiv i restoranteve dhe joshjeve të tjera përtace, për të vazhduar drejt ajrit të pastër dhe pemëve me gjethe të arta të vjeshtës.
Rruga e asfaltuar dhe pemët nga të dyja anët ndërsa biçikleta lëviz vetvetiu në zbritje – të gjitha të krijojnë përshtypjen e një gare ku gjethet vjeshtake që bien ngadalë, bëjnë gëzueshëm tifo për njërën apo tjetrën biçikletë.
Panoramat e plota të Tiranës nga lart e bëjnë jetën e përditshme në kryeqytet të duket larg dhe po ashtu edhe streset që vijnë me të. Horizonti ofron një sfond të kaltër në kontrast me kodrat e ngjyera me të gjelbër, të verdhë dhe portokalli.
Distanca nga vendi ku të lë teleferiku deri në qendër të Tiranës është më pak se 30 kilometra, ndaj në varësi të shpejtësisë koha që nevojitet për zbritjen varion nga 1:30 deri në 2 orë. Megjithatë peizazhi në këtë kohë në Parkun e Dajtit të nxit të bësh ndalesa të shumta për foto apo për t’u qetësuar.
Në kthim, ndërsa kisha lëshuar biçikletën me treçerkun e shpejtësisë që ofronte zbritja, pa e kuptuar as vetë se si, e parandjeva se do të rrëzohesha.
Për aventurierët në çdo aventurë rreziku merret mbi kurriz si çdo pajisje tjetër e nevojshme dhe unë këtë e kam të qartë sa herë nisem për diku, por nuk e kisha menduar rënien në këtë situatë dhe me këtë shpejtësi.
Sidoqoftë, isha po unë ajo që tani dergjesha në mes të rrugës pasi kisha marrë zvarrë në asfalt për një distancë të shkurtër fytyrën dhe gjunjët.
Fraksioni i sekondës së ndjesisë që po bie dhe të qenët e ndërgjegjshme gjatë gjithë rrëzimit është po aq i tmerrshëm sa edhe vetë plagët. Në mendje të vlojnë idetë se çfarë duhet të kishe bërë ndryshe, por gjërat ndonjëherë ndodhin dhe ne na mbetet veçse ta pranojmë të shkuarën, edhe sikur kjo të jetë një sekondë më parë.
Me një gërrvishtje në fytyrë, gjunjë dhe një dhëmb që nuk i mbijetoi aksidentit, e pranova fatin tim me nënqeshjen e atij që e kishte pritur të keqen prej kohësh, por më tepër e mërzitur për mundësinë që do t’i ofrohej kujtdo për të moralizuar aventurat e mia.
Për t’iu kthyer “diskutimit serioz”. Përmbledhja e atyre që u thanë me një ton të ëmbël dhe të përkujdesshëm të zërit ishin: “duam të të shohim të ndërtosh jetën tënde mbi baza të sigurta dhe aventurat e tua rrezikojnë këtë mirëqenie tënden, ndaj gjej forcën dhe hiq dorë ngadalë”.
Nuk mund të them se nuk e kuptoj shqetësimin e atyre që më duan për “çmenduritë e mia”, siç u pëlqen t’i quajnë, por ata bazohen mbi një supozim që është po ashtu i pasigurt.
Askush nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja dhe se sa e sigurt mund të jetë ajo. Por mbi të gjitha, le ta zëmë se ata që nuk rrezikojnë janë më të sigurt, a është jeta një seri ditësh që kalojnë duke mbijetuar? Po lumturia? Të jesh i sigurt nuk prodhon lumturi afatgjatë.
Gjatë një aventure timen të hedhjes me parashutë nga 3000 metra lartësi, shumëkush gjeti rastin të më komplimentojë për guximin duke më komentuar “Bravo, ti je e çmendur!”
Përtej kuptimit të fjalës “e çmendur” si mënyrë të të shprehurit dhe jo në kuptimin real të fjalës, unë nuk mendoj se aventurierët janë të çmendur. Kërkon logjikë të ftohtë përllogaritja e rrezikut në lidhje me një aktivitet të caktuar, marrja e masave paraprake për ta shmangur atë dhe pastaj gjetja e guximit për ta ekzekutuar.
Aventurierët mund të jenë të guximshëm të dalin nga normaliteti i gjërave, por asnjëherë të çmendur. Ne nuk kërkojmë të përmbushim varësinë nga adrenalina, por veçse ta shohim botën (të cilën e zotërojmë përkohësisht) nga sa më shumë perspektiva.
Për ta përmbyllur diskutimin serioz, një nga ato pyetjet retorike e cila doli në formën e një psherëtime nga dy prindër të shqetësuar qe: “Po si nuk ke frikë xhanëm?”
Me qesen e copës së mishit të ngrirë dhe me fytyrën e ënjtur, të gërrvishtur, gjunjët që më dhembnin dhe gojën e copëtuar iu përgjigja: “Nuk kam frikë të vdes, frika ime më e madhe është të mos jetoj”.
Zbritja e Parkut të Dajtit është një aventurë e sigurt kur kryhet me një biçikletë në kushte funksionale dhe rrëzimi në këtë aventurë me biçikletë lidhet me përgjegjësinë personale.
Foto: