Ndërsa deficiti i llogarisë korrente të Britanisë ka arritur në mbi 7 për qind të PBB-së – kuota më e lartë që kur këto të dhëna filluan të raportohen në vitin 1955 – nënçmimi prej 16 për qind i stërlinës që nga referendumi Brexit qershorin e shkuar mund të shihet si një lajm i mirë. Por dobësimi i paundit në të vërtetë e dëmton aftësinë konkurruese të Britanisë.
Efekti më dramatik ekonomik i votës për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë kolapsi i vlerës së stërlinës. Që nga qershori, paundi ka humbur 16 për qind të vlerës përballë një shporte monedhash.
Mervyn King, guvernatori i mëparshëm i Bankës së Anglisë, e përshëndeti kursin më të ulët të shkëmbimit si një “ndryshim i mikpritur”. Në të vërtetë, ndërsa deficiti i llogarisë korrente të Britanisë është aktualisht mbi 7 për qind e PBB-së – kuota më e lartë që kur kjo statistikë filloi të raportohet në vitin 1955 – nënçmimi mund të shihet si një lajm i mirë. Po a është me të vërtetë?
Ekonomistët në mënyrë tipike mund të argumentojnë se rruga për balancimin e llogarive të jashtme të vendit kalon përmes zhvlerësimit të monedhës së këtij vendi, gjë që i bën importet më të shtrenjta dhe eksportet më të lira, duke sjellë rënien e importeve dhe rritjen e eksporteve. Sa më të larta të jenë çmimet e importit – një humbje neto për vendin – aq më shumë do të rritet punësimi dhe pagat që gjenerohen nga pozicioni më konkurrues i eksporteve të vendit.
Por në mënyrë që nënçmimi i një monedhe të kryejë magjinë, më shumë kërkesë për eksportet duhet të vijë kur kursi i këmbimit bie (se, siç thonë ekonomistët, elasticiteti i çmimit të kërkesës për eksport duhet të jetë i lartë). Por studime të ndryshme kanë treguar se elasticiteti i çmimit për eksportet e Mbretërisë së Bashkuar është i ulët. Për shembull, një studim i fundit nga Francesco Aiello, Graziella Bonanno, dhe Alessia Via për Grupin Europian të Studimeve të Tregtisë zbulon se “niveli afatgjatë i eksporteve duket se nuk është i lidhur me kursin real të këmbimit për Mbretërinë e Bashkuar.”
Kjo do të thotë se konsumatorët dhe prodhuesit britanikë do të duhet të mbajnë të gjithë barrën e zhvlerësimit: konsumi i tyre i mallrave të importit do të pakësohet për shkak të një rritjeje të shpejtë të inflacionit të çmimeve por pa pasur përfitime nga rritja e supozuar e eksporteve. Ky nuk është aspak një supozim teorik. Në vitet 2008-09, kur pjesa tjetër e botës qe në prag të deflacionit, Mbretëria e Bashkuar po duronte recesion inflacionar, ku Prodhimi i Brendshëm Bruto po kontraktohej me një normë maksimale prej 6.1 për qind në vit ndërsa inflacioni fluturoi në 5.1 për qind. Kjo ndodhi për shkak se stërlina ra më shumë se 21 për qind nga piku deri në dysheme, nga viti 2007 deri më 2008.
për më tepër, megjithëse deficiti i llogarisë korrente u ngushtua në rreth 1.7 për qind të PBB-së në vitin 2011, përmirësimi qe vetëm i përkohshëm. Pas vitit 2011, deficiti i llogarisë korrente rifilloi të zgjerohet, edhe pse paundi nuk u riforcua ndërkohë. Në zhargonin e ekonomistëve, Mbretëria e Bashkuar duket se po vuan nga një variant ekstrem i efektit Houthakker-Magee – një fenomen që mbart emrin e dy ekonomistëve që zbuluan në vitin 1969 se elasticiteti i çmimeve për importet dhe eksportet mund të jetë shumë i ndryshëm, duke krijuar një tendencë permanente drejt disbalancës së llogarisë korrente.
Arsyeja duket se qëndron te kontraktimi masiv i sektorit të manifakturës në Mbretërinë e Bashkuar – nga rreth 28 për qind e vlerës bruto të shtuar në vitin 1978 në më pak se 10 për qind sot. Siç e ka vërejtur edhe shumë kohë më parë ekonomisti Nicholas Kaldor, për shkak se manifaktura ka kthim më të lartë në shkallë se sa shërbimet, eksportuesit e manifakturës kanë tendencën t’i mposhtin eksporuesit e shërbimeve.
Përveç kësaj, reformat strukturore që nga mesi i viteve 1990 kanë siguruar që eksportuesit britanikë të integrohen thellësisht me zinxhiret botërore të furnizimit. Për rrjedhojë, shumë eksportues britanikë kërkonë inpute të importuara; rrjedhimisht, kur stërlina zhvlerësohet dhe çmimet e importit rriten, efektet zinxhir mbi çmimet e eksportit i bën ato më pak konkurrues (për shkak se një pjesë e madhe e çmimit final të eksportit përbëhet nga lëndë të para të importuara).
Të dhënat më të fundit nga OECD tregojnë se përmbajtja e importuar e eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar është aktualisht në masën 23 për qind, ndërkohë që për eksportuesit amerikanë dhe japonesë, inputet e importit përbëjnë 15 për qind të prodhimit për eksport.
Tani për tani, Mbretëria e Bashkuar po mbështetet te flukset e kapitaleve hyrëse në Citin e Londrës për të kufizuar rënien e stërlinës. Por, siç tregoi rasti i kolapsit të kursit të këmbimit në vitin 2008, ky burim i kërkesës së huaj për stërlinë është shumë i paqëndrueshëm. Kur të vijë kthesa dhe këto flukse të ndryshojnë drejtim, si stërlina ashtu edhe eksportet do të marrin një goditje tjetër.
Skenari i rastit më të keq përfshin parashikimin për një rënie të fortë në vlerën e stërlinës, ndjekur nga një inflacion i lartë që përforcon rritjen e çmimeve të eksporteve britanike, duke ushqyer më tepër zhvlerësimin e monedhës. Ky parashikim apokaliptik mund të ndalojë vetëm pasi konsumatorët britanikë të vuajnë një rënie në të ardhurat reale me përmasa që zakonisht nuk janë parë përveçse në vendet në zhvillim.
Pasoja më me shumë gjasa është një farëlloj efekti kalbjeje i ngadaltë, me zhvlerësim periodik që gradualisht rrëzon standardet e jetesës për të gjithë ata që e nxjerrin jetesën në stërlina.
Çfarë mund të bëhet? Vetëm një aksion i shpejtë i qeverisë për të zëvendësuar mallrat që aktualisht importohen me mallra të prodhuara në vend mund të japë zgjidhje. Zgjidhja klasike është kontrolli i importeve. Por mjete të tjera janë më pak dëmtuese ndaj rregullave të tregtisë dhe miqësisë ndërkombëtare janë të disponueshme.
Banka kombëtare e investimit, për të cilën po advokon aktualisht Partia Laburiste mund të marrë mandatin për të investuar në industri që kanë potencial të lartë për zëvendësimin e importeve. Një alternativë do të jetë subvencionimi i industrive të tilla drejtpërsëdrejti nga Thesari, ku subvencionimet mund të kushtëzohen me çmimin e përshtatur me cilësinë të importeve që po zëvendësohen. Ndërsa mallrat e prodhuara në vend bëhen më konkurruese me mallrat e importit, subvencionimet mund të hiqen gradualisht dhe industria të lejohet të qëndrojë me këmbët e veta.
Në mënyrë ideale, qeveria britanike duhet të synojë të ulë importet si përqindje e PBB-së nga niveli aktual i lartë prej 30 për qind në nivelet e para vitit 1974 prej rreth 20 për qind. Ky mund të rezultojë tepër ambicioz si objektiv dhe Mbretëria e Bashkuar mund të duhet të pranojë që importet të jenë rreth 25 për qind e PBB-së. Por nëse nuk bëhet asgjë, Britania rrezikon dëmtim të përhershëm të mirëqenies. Një ekonomi në depresion mundet të reflacionohet, dhe një ekonomi në inflacion mund të depresionohet. Por humbja e aksesit te tregjet e huaja si pasojë e lëvizjeve të çmimit të monedhës jashtë kontrollit të vendit është në përgjithësi pa ilaç shpëtimi.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Case for UK Import Substitution