Në një vendim të publikuar të premten, Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë, ERE, që të rishikojë praktikat e tenderimit të energjisë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE.
Pas ankesës të një operatori se OSHEE po bashkëpunonte me dy tregtarë të energjisë, EFT A.G dhe GSA, për të manipuluar rezultatin e tenderëve për importimin e energjisë elektrike, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga ERE rishikimin e procedurave të blerjes së energjisë elektrike mujore dhe vjetore.
“Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE-s duke specifikuar që pranimi, vlerësimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve dhe duke hapur tregun dhe lejuar të gjithë aktorët e tregut (edhe prodhuesit vendas të energjisë) të marrin pjesë në procedurat e tenderit duke e bërë në këtë mënyrë më konkurrues procesin,” tha Autoriteti i Konkurrencës në një njoftim për shtyp.
“Gjithashtu mënyra e përcaktimit të ofertës fituese të përshtatet sipas Rregullores së Ministrisë së Financave “Për emetimin e obligacioneve”, ku kërkesat konkurruese pranohen si fituese duke filluar nga ato që kanë çmimin më të ulët deri në plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar,” vijon deklarata.
Një investigim i BIRN pati zbuluar se OSHEE akuzohej se praktikat jo-konkurruese në tenderët e energjisë i kanë kushtuar konsumatorëve dhe taksapaguesve shqiptarë 7.3 milionë euro vetëm në periudhën Janar-Shtator 2014.
Autoriteti gjithashtu ka kërkuar që tenderët e energjisë elektrike të realizohen në mënyrë elektronike “si të gjitha procedurat e tjera të tenderimit në Shqipëri.”
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ndryshimet e procedurave të tenderimit të energjisë synojnë nxitjen e pjesëmarrjes në procedurat e blerjes së energjisë; nxitjen e konkurrencës ndërmjet blerësve; sigurimin e trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë; si dhe sigurimin e integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e blerjes së energjisë elektrike dhe kosto sa më të ulëta për këto lloj transaksionesh.
Vendimi i Autoritetit kundërshton deklaratat publike të drejtorit të OSHEE, Arben Seferi, i cili pretendonte që BIRN ka ‘gënjyer’ në raportimin e tij dhe se Autoriteti i Konkurrencës e “kishte mbyllur hetimin” ndaj operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike.