Avokati i Popullit akuzon IKMT për shkelje të rënda ligjore, pas shembjeve gjatë dy ditëve të fundit të shtëpive të komunitetit rom të shtrira në gjurmën e Unzazës së Re të Tiranës .
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, përfundoi të premten me praninë e policisë së shtetit shembjet e shtëpive të komunitetit rom në zonën e Selitës, duke i hapur rrugë ndërtimit të unazës së re.
Megjithatë, Avokati i Popullit ankohet se procedurat e ndjekura nga ky institucion i kanë hapur rrugë shkeljes së të drejtave ligjore të banorëve, pasi procedurat standarte për shembjen e ndërtimeve pa leje nuk janë respektuar.
“Procedura e IKMT është në kundërshtim me ligjin. Institucioni duhet të kishte vepruar përmes një shkrese zyrtare dhe të respektonte procedurat e paralajmërimit dhe ato të nevojshme për shembjet e ndërtimeve pa leje,” tha për BIRN, Alket Jaupi nga zyra e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit ka organizuar sot një takim me kryefamiljarët e prekur nga shembjet e banesave në unazën e re të Tiranës.
Familjet e prekura kanë nisur prej muajsh procedurat ligjore për legalizimin e shtëpive të tyre në këtë zonë sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 608, datë 5.9.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”.
“Bashkia e Tiranës ka shkelur afatet ligjore për kthimin e një përgjigjeje ndaj palës së interesuar, ndërsa IKMT nuk ka asnjë bazë ligjore të veprojë përpara daljes me një përfundim nga Bashkia e Tiranës,” shtoi Jaupi për BIRN.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit refuzoi t’i përgjigjej kërkesës së BIRN për koment.
Komuniteti rom në Selitë i tha BIRN se ata jetojnë prej rreth 30 vjetësh në këtë zonë dhe se janë përfshirë tashmë në një proces gjyqësor për të vërtetuar se janë pronarë të ligjshëm përpara afatit 10.08.1991 dhe se hartat e Arkivit Qendror Teknik 1993 e provon këtë.
Bashkia e Tiranës ndërkohë i ka hedhur atyre barrën e provës, duke pranuar se nuk ka arritur ta sigurojë hartën e Arkivit Qendror Teknik të vitit 1993. Gjithashtu Bashkia i ka lënë si mundësi të vetme, familjeve të prekura të pranojnë dy vite qira, pa i ofruar dëmshpërblim të drejtë ose një strehim kompensues.
Në një letër nga Komisioneri Europian për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria u kritikua për dëbimet e deritashme dhe mungesën e një strategjie afatgjatë të strehimit të komunitetit rom dhe egjiptian.
Banorët e Selitës i thanë BIRN se ata po kërkojnë tashmë shtëpi me qira, por kanë hasur vështirësi për shkak të diskriminimit dhe anëtarëve të shumtë të familjeve të tyre.
“Problemi i banesave të komunitetit rom në Shqipëri vazhdon të mos marrë zgjidhje prej kohësh, probleme të cilat janë ngritur nga Avokati i Popullit me anë të disa rekomandimeve të mëparshme dhe një raporti në Kuvend,” përfundoi Alket Jaupi.