Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative ka prezantuar një bazë unike të dhënash për vendimet përfundimtare publike të dhëna në 386 çështje krimesh lufte nga gjykatat në të gjithë ish-Jugosllavinë nga Gjykata e OKB-së në Hagë.
Të enjten BIRN botoi Hartën e tij të Vendimeve për Krimet e Luftës, një mjet interaktiv që synon të sigurojë një pasqyrë të vendimeve gjyqësore për krimet që janë kryer gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.
Me një total prej 386 vendimesh të mbledhura nga BIRN, ajo është një bazë unike të dhënash me vendime përfundimtare të dhëna nga gjykatat kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi.
Ajo përfshin gjithashtu vendime të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe çështjet në të cilat të pandehurit vdiqën gjatë gjyqeve të tyre në ICTY.
“Gjatë raportimit tonë për krimet e luftës, ne si gazetarë shpesh jemi mundur shumë për të siguruar të gjitha dokumentet që lidheshin me çështje krimesh lufte që kemi ndjekur. Gjatë viteve, mblodhëm një arkiv të rëndësishëm dhe atëherë mblodhëm edhe vendime nga disa gjykata,” tha drejtuesja e projektit të hartës, Marija Ristiç.
“Duke pasur parasysh se të mbyllura për publikun janë ende gjykatat tona, ne besojmë se kjo hartë do të jetë një burim unik për gazetarët, studentët, hulumtuesit dhe publikun e gjerë,” shtoi ajo.
Megjithatë, në hartë nuk përfshihen vendimet e dhëna nga gjykatat kantonale në Bosnje dhe Hercegovinë, gjykata e qarkut në Brcko dhe gjykata e Republikës Srpska për shkak të numrit të madh të çështjeve dhe procesin e tyre kompleks të anonimitetit.
“Në disa vende, BIRN po pret ende që gjykatat t’i sigurojnë të gjitha vendimet. Bosnja dhe Hercegovina është më kompleksja, kështu që do të vazhdojmë të punojmë me vendimet nga gjykatat vendase gjatë viteve në vazhdim,” shpjegoi Ristiç.
Sipas të dhënave të hartës, deri më tani, të paktën 646 persona janë dënuar nga gjykata vendase dhe 83 të tjerë nga ICTY-ja për krime të kryera gjatë pothuajse një dekade konflikt në ish-Jugosllavi ku mbetën rreth 125,000 persona të vdekur dhe 12,000 të tjerë ende të zhdukur.
“Është e rëndësishme gjithashtu të theksojmë se harta tregon një shkallë shumë të madhe krimesh të kryera gjatë konflikteve,” tha Ristiç.
Përveç vendimeve, sektori i “Burimet” përfshin edhe padi dhe të dhëna për çështje të tjera. Harta përfshin gjithashtu linket e raporteve të BIRN të gjykatave dhe analizat kushtuar gjyqeve të krimeve të luftës gjatë dhjetë viteve të fundit.
Harta do të përditësohet në mënyrë periodike.
Harta e Vendimeve për Krimet e Luftës është pjesë e nismës së Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN themeluar nga Komisioni Europian, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe Fondacioni Robert Borch.
Projekti synon të informojë më gjerësisht mbarë publikun për çështjet e drejtësisë tranzicionale në vendet e ish-Jugosllavisë – Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi.