Përfaqësuesi i grupit parlamentar CDU/CSU tha se Shqipëria duhet të japë prova në zbatimin e reformës në drejtësi dhe të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe drogës, për të hapur negociatat me BE.
Deputeti i parlamentit gjerman, Gunther Krichbaum i preu hovin shpresës së Shqipërisë për hapjen e afërt të negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa paralajmëroi votën kundër të grupit më të madh parlamentar CSU/CDU, me argumentin se vendi nuk i ka plotësuar 5 prioritetet kyçe.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten në Tiranë, Krichbaum-i cili tha se flet në emër të grupit të tij parlamentar, prezantoi një paketë me shtatë kërkesa të cilat Shqipëria duhet t’i zbatojë para se të presë hapjen e dritës jeshile nga Bundestagu gjerman.
Ai tha se Shqipëria duhet të japë prova në zbatimin e reformës në drejtësi, reformën në administratën publike, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, zbatimin e të drejtave të njeriut, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe zbatimin e qëndrueshëm të ligjit të dekriminalizimit.
“Gjermania do të mbështesë të gjitha forcat politike në progres-raportin që Komisioni Europian propozon për çeljen e negociatave, vetëm pasi Shqipëria të ketë shënuar arritje të konsiderueshme në reformën për drejtësi,” tha Krichbaum.
“Vërtet është miratuar reforma në drejtësi, por me vendim të gjykatës Kushtetuese janë pezulluar disa akte. Sot është e paqartë se kur do të hyjë në fuqi,” shtoi ai.
Deputeti gjerman, i cili drejton komisionin për Çështjet Europiane kërkoi më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe theksoi se “vendi ka bërë hapa pas në luftën kundër drogës”.
“Në luftën kundër drogës janë bërë hapa pas. BE duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje. Kjo duhet të shndërrohet në një detyrë mbarë shoqërore,” shtoi ai. Gjithashtu, Krichbaum e vuri theksin tek zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e vitit 2017 si dhe kërkoi pastrimin e plotë të politikës nga personat e inkriminuar.
“Në pushtetin lokal dhe atë qëndror nuk mund të ketë njerëz që ndiqen me urdhra kombëtarë dhe ndërkombëtarë,” tha Krichbaum. “Ne nuk mund t’i përmendim ata me emra, por ato i dinë të gjitha institucionet,” shtoi ai.
Më 9 nëntor, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, me kushtin që vendi duhej të bënte progres në zbatimin e reformës në drejtësi.
Deklaratat dekurajuese të deputetit Krichbaum vijnë pak ditë para vizitës së paralajmëruar të kryeministrit Edi Rama në Berlin, ku pritet të takohet me kancelaren Angela Merkel. I pyetur nga gazetarët, Krichbaum tha se kishte mandat vetëm nga grupi parlamentar dhe jo nga qeveria federale, por sqaroi se “pa dakordësinë e grupit parlamentar, kancelarja nuk mund të mbështesë hapjen e negociatave për Shqipërinë”.