Festivali “Deti i Bardhë” ka sjellë shkrimtarë nga i gjithë kontinenti në Shqipëri, ku pak njerëz janë të njohur me letërsinë e fqinjëve më të afërt.
Festivali i dytë ndërkombëtar i letërsisë “Deti i Bardhë” mblodhi autorë nga e gjithë Europa në Tiranë në përpjekje për të rigjallëruar jetën kulturore në kryeqytetin shqiptar.
Organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, festivali i jep shkrimtarëve europianë një skenë për të mbajtur dialog me njëri-tjetrin dhe për të përfshirë një audiencë më të gjerë në diskutimin e punëve të tyre.
Studentët ishin më të interesuar në pjesëmarrjen e sesioneve të festivalit dhe me shpresën se do të ndërvepronin me shkrimtarë të tjerë.
Të premten, shumë pritën në radhë që të merrnin libra të nënshkruar nga shkrimtari serb Vladimir Arsenijeviç.
Romani i tij “Në Pritje” ka fituar çmimin NIN në Serbi, u përkthye në shqip në 2012, një prej pak autorëve serbë që kanë mbërritur te lexuesit shqiptarë.
Një sondazh i perceptimit të Serbinë në Shqipëri, publikuar më 27 tetor tregoi se 79 për qind e shqiptarëve nuk kishin lexuar kurrë një autor serb.
Arsenijeviç i tha BIRN se një arsye përse shqiptarët nuk lexojnë autorë serbë është sepse ata nuk mund të gjejnë librat e tyre të përkthyer. Ai beson se e njëjta gjë ndodh në Serbi dhe se duhet ndryshuar.
“Ne nuk përkthehemi nga njëri-tjetri. Artistët në rajon dinë më shumë për artin europian sesa atë që ndodh në skenat tona,” tha ai.
“Ndonjëherë ne jemi vërtet të verbër rreth gjërave që na ndodhin pranë syve tanë. Duhet të intensifikojmë komunikimin pozitiv në rajon,” shtoi ai.
Arsenijeviç tha se qeveritë dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë për të promovuar vizibilitetin e artit rajonal.
Terezia Mora, një shkrimare hungareze e vlerësuar me çmimin gjerman të librit për vitin 2013, i tha BIRN se organizimet si ky festival ndihmojnë përhapjen e letërsisë së mirë në Shqipëri.
“Ky është mjedisi ideal veçanërisht për të rinjtë në Tiranë. Ata kanë një mundësi të fitojnë përshtypje të para nga letërsia ndërkombëtare,” tha ajo.
Festivali i letërsisë ka lançuar gjithashtu një maratonë leximi të quajtur “Tirana Lexon” në të cilën njerëz të pasionuar pas librave lexojnë pjesë nga autorët e tyre të preferuar te audienca.
Një tjetër pikë kryesore e festivalit ishte projekti “Përtej Kufijve” ku morën pjesë shkrimtarë dhe fotografë të rinj.