Në raportin për situatën e përgjithshme në Shqipëri, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ka vlerësime “konservative” në lidhje me ndikimin e mundshëm të fushatës kundër informalitetit në të ardhurat buxhetore pavarësisht disa shifrave që duken mbresëlënëse.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se fushata kundër informalitetit, ndonëse shtoi numrin e bizneseve formalisht të regjistruara është rritur në mënyrë të ndjeshme, të ardhurat e buxhetit të shtetit janë “të kufizuara” dhe se qeveria shqiptare ka gjasa do të duhet të tregojë persistencë në zbatimin e ligjit dhe jo thjeshtë fushatë.
“Numri i punonjësve të regjistruar në periudhën gusht-tetor u rrit me 70 mijë vetë, një rritje 14 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërsa numri i bizneseve të regjistruara u rrit me 33 mijë njësi, me një rritje prej 35 për qind në krahasim me një vit më parë,” thuhet në raportin e FMN të publikuar sot (24 shkurt).
Gjithsesi, këto shifra nuk nënkuptojnë njëkohësisht rritje kaq të madhe të të ardhurave. Gjatë muajve të fundit, zyrtarë të Ministrisë së Financave pranuan nën zë se, ndonëse bizneset u trembën në periudhën e fushatës dhe regjistruan një numër të madh punonjësish, shumë u rikthyen te mosbindja duke i çregjistruar punonjësit më vonë. Në total, FMN vlerëson se regjistrimi i punonjësve shtesëmund të japë shtesë në të ardhura buxhetore të barabartë me rreth 0.25 për qind të PBB-së (ekuivalenti i rreth 25 milionë eurove) për vitin 2016.
“Të ardhura të tjera shtesë janë të pasigurta në këtë fazë,” thotë FMN. “Shumica e bizneseve të reja të regjistruara janë biznese mikro apo të vogla, të cilat kanë ndikim shumë të kufizuar në të ardhura. Praktikisht nuk ka pasur rritje në xhiron e deklaruar të bizneseve të regjistruara me TVSH. Reagimet në sjelle të biznesit, të tilla si deklarimi pak më i ulët se sa limiti i regjistrimit si biznes i madh apo ndarja e bizneseve të disa njësi, mund të tresin më tutje ndikimin e fushatës në të ardhurat fiskale,” vijon më tej FMN.
Konkluzioni final është se përfitimet në të ardhura nga fushata rrezikojnë të mbeten vetëm të përkohshme në rast se përpjekjet për të luftuar evazionin fiskal nuk vijojnë për një periudhë të gjatë.
“Për të gjitha këto arsye, stafi (i FMN) po tregohet konservator në parashikimin e të ardhurave shtesë të mundshme nga përpjekjet për të përmirësuar bindjen fiskale, pavarësisht se ka shumë potencial që të ardhurat të rriten,” thuhet në raport.
Qeveria shqiptare nisi një fushatë shtatorin e kaluar, në të cilën punësoi 500 inspektorë të rinj taksash me supozimin se do të luftonte evazionin fiskal dhe hodhi poshtë kritikat që argumentonin se deficiti në të ardhura është si pasojë e evazionit në nivel të lartë dhe jo si pasojë e evazionit të biznesit të vogël.
Pas pretendimeve fillestar për rritje dramatike të numrit të bizneseve të regjistruara, qeveria gjithsesi e mbylli vitin 2015 me mbi 36 miliardë lekë më pak të ardhura nga sa kishte parashikuar në buxhetin e shtetit.