Lajm17 Mar 2015

FMN: Programi i Shqipërisë “brenda linjave”, kreditë e këqija pengojnë rritjen ekonomike

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar beson se Shqipëria po rikthehet te rritja ekonomike por kreditë e këqija dhe moszbatimi i kontratave për ekzekutimin e kolateralit të kredive të këqija po pengon ekonominë.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Shefi i misionit të FMN për Shqipërinë Nadeem Ilahi, Ministri i Financave Shkelqim Cani, Guvernatori i Bankes se Shqiperise, Gent Sejko dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, gjatë konferencës për shtyp më 17 Mars 2015. Foto: Malton Dibra/LSA

Shefi i misionit të FMN për Shqipërinë Nadeem Ilahi, Ministri i Financave Shkelqim Cani, Guvernatori i Bankes se Shqiperise, Gent Sejko dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, gjatë konferencës për shtyp më 17 Mars 2015. Foto: Malton Dibra/LSA

Programi ekonomik i Shqipërisë mbetet “në shina” dhe stafi i FMN-së arriti marrëveshje me autoritetet shqiptare mbi politikat që nevojiten për të plotësuar rishikimin e katër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe FMN-së, bëri të ditur fondi në një deklaratë për shtyp të publikuar sot.

“Rritja ekonomike parashikohet të vijojë me rimëkëmbje të moderuar në 2015, duke arritur në rreth 3 për qind pavarësisht përmbytjeve të fundit dhe ngadalësimit në sektorin e naftës,” tha Nadeem Ilahi, drejtues i misionit. “Rritja do të krijohet nga rimëkëmbja e kërkesës vendëse, e cila pritet të përfitojë nga çmimet e ulëta të energjisë dhe interesat e ulëta të kredive si dhe nga një rritje graduale në kreditimin bankar. Gjithsesi, prodhimi mbetet poshtë potencialit dhe, krahas presioneve të dobëta nga jashtë, kjo do të kontribuojë që inflacioni të mbetet i ulët.”

FMN vlerëson se një nga problemet kryesore të Shqipërisë aktualisht mbeten kreditë e këqija, të cilat janë në nivele shumë të larta dhe që pengojnë rritjen e kreditimit në tërësi në vend. Por ndryshe nga deklaratat e mëparshme të Fondit, ku niveli i lartë i kredive të këqija i atribuohej zinxhirit të borxheve të krijuara nga mosshlyerja e rregullt e faturave të qeverisë për punë publike apo për rimbursim taksash, kësaj here FMN thotë se kreditë e këqija janë dobësia në zbatimin e kontratave.

Aktualisht, shumë kreditorë arrijnë të shmangin procedurat e falimentimit dhe të ekzekutimit të kolateralit përmes proceseve të gjata ligjore. Kjo ka bërë që bankat të mos jenë në gjendje të likujdojnë kolateralet e kredimarrësve të falimentuar, gjë që i mban të larta kreditë e këqija. Në fund të vitit 2014, kreditë e këqija qenë 22.8 për qind, pak më të ulëta se sa në vitin 2013, gjithsesi ende në nivelin më të lartë në rajonin e Europës Lindore.

Qeveria shqiptare ka rënë dakord me FMN-në për një seri reformash, përfshirë disiplinë në të ardhura dhe shpenzime, reformimin e sektorit të energjisë elektrike dhe rritjen e tarifave, etj, me synimin që borxhi publik i Shqipërisë të fillojë të ulet gradualisht nga niveli aktual prej 69 për qind të PBB-së në më pak se 60 për qind në vitin 2018.

Qeveria shqiptare ka rritur taksat kryesore në vend, përfshirë taksën e qarkullimit mbi naftën, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet për sigurimet shoqërore përgjatë dy viteve të fundit si pjesë e marrëveshjes.