Procesi tepër polemik i përcaktimit dhe penalizimit të ish-bashkëpunëtorëve të policisë sekrete në Maqedoni po përfundon në farsë, ndërsa gjykata po i anulon një e nga një vendimet e marra nga Komisioni i Lustracionit.
Pasi Brukseli ushtroi presion mbi Maqedoninë për të ndaluar procesin e saj tepër të diskutuar të lustracionit – i cili ai tha se qeveria e kishte shndërruar në një armë për t’u marrë me kritikët e saj – Maqedonia tani po përpiqet ta lërë në pritje të gjithë procesin.
Kështu i interpretojnë një sërë vendimesh të kohëve të fundit të marra nga Gjykata Administrative një sërë maqedonasish të lustruar që kanë fituar betejat e tyre me Komisionin e Lustracionit.
Vetëm në qershor dhe korrik, Gjykata anuloi 17 vendime të Komisionit Maqedonas të Lustracionit. Rreth dyzetë vendime të tjera presin vendimet e gjykatës.
Ndërsa vendimet presin të prekin shumë nga 200 personat e lustruar që janë shpallur ish-bashkëpunëtorë me policinë sekrete, i gjithë procesi tani është në telashe të mëdha.
Por kritikë të procesit thonë se anulimet nga ana e gjykatës janë vetëm hapi i parë.
Ata argumentojnë se nevojitet një analizë shumë më e thellë e të gjitha mospërputhjeve të bëra në emër të lustracionit për të ndrequr gabimet e të kaluarës dhe për të parandaluar qeveritë e ardhshme nga përdorimi i të njëjtave metoda.
“Që në fillimi, ishte e qartë se si kjo lojë e çmendur, kjo mungesë sensi, do të merrte fund,” thotë Trendafil Ivanovski, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, tashmë i dalë në pension.
Ivanovski e fitoi çështjen e tij kundër shtetit para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg pasi u shpall një bashkëpunëtor në vendin e tij.
Në fillim të këtij viti, gjykata e Strasburgut vendosi se Maqedonia kishte shkelur të drejtat e tij të njeriut duke mos i dhënë atij të drejtën për t’u mbrojtur para komisionit dhe duke i mohuar atij qasjen në provat që u përdorën kundër tij.
Të paktën dhjetë persona të tjerë aktualisht po padisin Maqedoninë në Strasburg me të njëjtat baza.
Në shpjegimet e saj për vendimet e fundit, Gjykata Administrative tha se Komisioni i Lustracionit kishte shkelur Ligjin për Procedurën Administrative nga viti 2005.
Komisioni “nuk lejoi pjesëmarrjen aktive të paditësve (personat e lustruar)” në procedurat kundër tyre dhe u mohoi atyre qasjen në dokumentet inkriminuese që u përdorurën kundër tyre, tha ajo.
“Gjykata Administrative në Maqedoni duhet të kishte reaguar më herët, por për një kohë të gjatë ajo ekspozoi klientelizmin ndaj politikës, duke konfirmuar vetëm se gjyqësori i përulet qeverisë,” tha Ivanovski për BIRN.
“Tani ata e kanë kuptuar se bënë gabime – dhe po kërkojnë një zgjidhje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet,” shtoi ai.
I shoqëruar me polemika që në fillim
Maqedonia ndoqi hapat e shumë shteteve ish-komuniste që miratuan ligje lustracioni si një mënyrë për të trajtuar padrejtësitë e të kaluarës.
Megjithatë, që kur Komisioni i Lustracionit filloi punë në vitin 2009, ai u ndoq nga polemika dhe nga akuza të partizanëve të politikës.
Partitë e opozitës së shpejti vendosën se procesi po abuzohej për të sulmuar dhe shkatërruar kritikët e qeverisë së udhëhequr nga Partia VMRO DPMNE.
Në dhjetor të vitit 2012, opozita në shenjë proteste tërhoqi dy nga anëtarët e saj nga Komisioni i përbërë nga 11 anëtarë.
Goditja më e madhe për procesin erdhi në gusht 2015, kur, pas kritikave nga Brukseli, Komisioni tha se po i jepte fund procesit të lustracionit, duke filluar që nga fillimi i këtij viti.
Megjithatë, ai vendosi të linte në fuqi sanksionet që kishte vendosur për më shumë se 200 persona të lustruar, përfshirë edhe ndalimin e kujtdo që u deklarua ish-bashkëpunëtor i policisë sekrete për të punuar në institucionet shtetërore.
Më herët, në qershor 2015, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të zgjidhur krizën politike në Maqedoni të shkaktuar nga akuzat për përgjim, Komisioni Europian i dorëzoi qeverisë një listë me reforma të sugjeruara në një raport.
Ndër rekomandimet, raporti, i shkruar nga një grup ekspertësh të udhëhequr nga ish-drejtori i Komisioni Europian Reinhard Priebe, i bëri thirrje autoriteteve maqedonase “të rishikojë/shfuqizojë Ligjin mbi Lustracionin dhe vënien në zbatim të tij”, duke thënë se “për lustracionin janë përdorur arsye ideologjike apo partiake”.
Kritikat erdhën pas përgjimeve të bisedave të zyrtarëve, të cilat u bënë publike nga opozita maqedonase, sugjeronin se qeveria kishte ndërhyrë në procesin e lustracionit.
Vendimet nga Gjykata Administrative “janë ndoshta rezultat i raportit të Priebe”, tha Voislav Stojanovski, këshilltar ligjor në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni.
Stojanovski, i cili përfaqëson gjithashtu disa nga personat e lustruar që po padisin tani shtetin maqedonas në Strasburg, nuk beson se Gjykata Administrative veproi pa marrë një pohim nga elita politike.
Ai tha për BIRN se qëllimi ishte ndoshta të shpëtonte vendin nga pagesa e dëmeve nga çështjet që me shumë gjasa do të humbiste, si edhe të rregullonte imazhin e dëmtuar ndërkombëtar të vendit.
Pasojat ndihen ende pavarësisht anulimeve
“Anulimi i vendimeve të lustracionit nga Gjykata Administrative do të thotë se ligjërisht këto vendime nuk kanë ekzistuar kurrë. Duke qenë kështu, Komisioni i Lustracionit tani nuk ka baza për procedura të rinovuara dhe vendime të reja,” shpjegoi Stojanovski.
“Por pasojat për personat e prekur nga ky proces mbeten ende,” shtoi ai, pas bërjes publike të identiteteve të tyre, së bashku me numrat e kartave të tyre të identitetit, vendet e tyre të punës, reputacionin e dëmtuar, jetën private, jetën familjare, privatësinë …
“Për shkak të këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut, këta njerëz tani mund të kërkojnë dëmshpërblim përmes gjykatave të vendit,” vazhdoi ai.
Kreu i Komisionit të Lustrimit, Tome Adziev, ndërkohë i ka quajtur “të çuditshme” vendimet e Gjykatës Administrative dhe tha se ato kanë shkatërruar punën e komisionit.
Ai tha se druhej se në të ardhme do të anuloheshin të gjitha vendimet e tjera të kontestuara të komisionit.
Adziev tha se Gjykata e kishte interpretuar gabim Ligjin e Lustracionit, “I cili nuk parashikon që personi që kontrollohet nga komisioni mund të marrë pjesë aktivisht në çështje”.
Ai këmbënguli gjithashtu se gjykata kishte injoruar prova të mjaftueshme policore që vërtetonin – tha ai – se personat e lustruar të cilësuar si bashkëpunëtorë të policisë ishin fajtorë, siç ishin akuzuar.
Gjykata Administrative të mërkurën refuzoi t’i përgjigjej këtyre akuzave.
Në një deklaratë të shkurtër, gjykata tha për BIRN: “Të gjitha vendimet e gjykatës për vitin 2016, përfshirë ato nga fusha e verifikimit të fakteve të lustracionit janë publikuar dhe janë të disponueshme në faqen zyrtare të internetit të gjykatës.”
Shumë në Maqedoni e kontestojnë pretendimin e Adzievit, duke e akuzuar komisionin se ka kryer spastrime të motivuara politikisht.
Jadranka Kostova, një gazetare nga përjavshmja Fokus ishte ndër personat e lustruar vendimet e të cilëve u anuluan nga gjykata në korrik.
“Në fillim, në tavolinën e lajmeve, ne e mbështetëm lustracionin, por shumë shpejt u bë mëse e qartë se ai ishte shndërruar në një mjet për t’u përballur kritikët politikë të qeverisë,” kujton ajo.
“Ideja origjinale ishte të pastrohej sistemi nga njerëz që kishin bashkëpunuar me policinë e kohës së komunizmit për para ose përfitime në karrierë,” tha ajo për BIRN.
“Por tani në pamë që shumica e anëtarëve të Komisionit të Lustracionit ishin ata vetë që bashkëpunonin me zyrtarë të lartë, pikërisht për përfitime financiare ose përfitime në karrierë,” shtoi ajo.
Nëse ka një ndryshim në pushtetin politik në Maqedoni “qeveria e re në mënyrë të pashmangshme do të duhet të analizojë të gjithë procesion e lustracionit dhe të fillojë të marrë pasat për rehabilitimin e mundshëm të personave të lustruar,” tha gjykatësi në pension Ivanovski.
Kostova dhe Ivanovski thonë se shumë të drejtë janë të vendosur të vazhdojnë luftën për drejtësi në Maqedoni, derisa ata të jenë të kënaqur që dëmi që u është bërë reputacioneve dhe karrierave të tyre të jetë ndrequr.
Materialet shtesë nga Igor Bosilkovski.