Me mbi 30 miliardë lekë më pak të ardhura se sa plani fillestar, buxheti i shtetit po shënon një rekord historik keqadministrimi këtë vit, ku taksat janë rritur, çmimet janë rritur dhe ekonomia raportohet se është rritur, por të ardhurat e qeverisë kanë ngecur në vendnumëro.
Të ardhurat e përgjithshme të qeverisë për periudhën janar-nëntor 2015 qenë 343.5 miliardë lekë, me një rritje minimale prej 4.3 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe 8 për qind më të ulëta se sa plani fillestar 2015. Të dhënat e publikuara sot (29 dhjetor) nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat nga taksat dhe tatimet kryesore në vend kanë qenë shumë më të dobëta se sa nga parashikimi, ku deficiti më i madh është shkaktuar nga mungesa e importit të ligjshëm të cigareve.
Publikimi i të dhënave paraprake nga Ministria e Financave duhej të qe kryer rreth datës 8 dhjetor, por u vonua për më shumë se tre javë pa ndonjë shpjegim. Publikimi i të dhënave të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet, i cili duhet të kryhet rreth datës 20 të çdo muaji sipas kalendarit të publikimeve, nuk është kryer ende deri më sot.
Ministria e Financave është vënë në qendër të kritikave të gazetarëve për hapa prapa në transparencë dhe vonesë të vazhdueshme e të pashpjeguar në publikimin e raporteve statistikore mujore.
Qeveria pati shpresuar se do të mblidhte 414.5 miliardë lekë të ardhura gjatë vitit 2015, bazuar kjo në parashikimin për rritje ekonomike, rritje çmimesh, rritje taksash dhe përmirësimi në administrimin e taksave (lufta kundër evazionit dhe kontrabandës). Ndërsa viti nuk është mbyllur ende, në krahasim me planin fillestar, qeverisë i mungojnë 29.9 miliardë lekë të ardhura (rreth 213 milionë euro), shifër që pritet të rritet më tej në dhjetor.
Realisht më pak se në 2014
Situata e të ardhurave të qeverisë ka qenë e keqe përgjatë të gjithë këtij viti, por në muajt e fundit ajo rezulton edhe më e keqe. Niveli i të ardhurave të qeverisë ndikohet nga ndryshimet në taksa, nga ndryshimi i çmimeve dhe nga rritja e ekonomisë. Bazuar në këto faktorë, qeveria pati parashikuar për këtë vit rritje prej 12 për qind në krahasim me vitin 2014, për shkak se ekonomia në terma reale pritej të rritej me 3 për qind ndërsa inflacioni u rrit me 2 për qind. Qeveria kreu dy ndërhyrje të mëdha në rritje taksash, duke rritur akcizën e cigareve nga 90 në 110 lekë për paketë dhe duke rritur taksën e qarkullimit mbi naftën dhe benzinën nga 17 në 27 lekë. Dhe përveç këtyre, qeveria shpenzoi edhe 4.1 milionë euro për një program ndihme në administrimin doganor me kompaninë britanike Crown Agents, me premtimin kontraktual se ky shpenzim do të dëmshpërblehej me rritjen e të ardhurave doganore me së paku 100 milionë euro. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Të adhurat tatimore të qeverisë gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti u rritën me 32 për qind ndërsa të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me vetëm 1.7 për qind. Nëse merren parasysh rritja e taksave, rritja e ekonomisë dhe inflacioni, të ardhurat e qeverisë janë këtë vit më të ulëta në terma realë se sa vitin e kaluar.
Faktorë të jashtëm apo evazion
Qeveria pretendon se rënia e të ardhurave në krahasim me planin është shkaktuar tërësisht nga “faktorë të jashtëm”, duke mohuar dyshimet për evazion fiskal dhe kontrabandë në shkallë të gjerë si fajtorë për mungesën e 30 miliardë lekëve.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave deklaroi sot se “ndikuesit kryesor në rënien e të ardhurave nga Administrata Doganore vazhdojnë të jenë faktorët e jashtëm, të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit”.
Megjithatë, fakte të tjera sugjerojnë se kontrabanda dhe evazioni fiskal në nivelin e krimit të organizuar janë gjithashtu përgjegjës për rënien e të ardhurave. Pak kohë më parë, prokuroria arrestoi një ish-zëvendësdrejtoreshë doganash dhe shumë zyrtarë të tjerë të lidhur me kontrabandën e mbi 4.4 milionë litrave benzinë jashtë standardit dhe kontrabandë. Sipas Ministrisë së Financave, importet e karburantit këtë vit janë rritur me rreth 1 për qind në krahasim me vitin e kaluar, por fakti është që këtë vit, rafineria e naftës ARMO nuk ka prodhuar, siç bëri vitin e kaluar.
Deficiti më i madh i të ardhurave në buxhet është shkaktuar nga rënia e importit të taksueshëm të cigareve. Në periudhën janar-tetor, në Shqipëri u importuan 2105 tonë cigare, kuota më e ulët e importit të cigareve në dhjetë vjet. Qeveria ka dhënë me kalimin e kohës argumente kontradiktore në lidhje me këtë rënie. Në maj, ajo deklaroi se shkaku lidhej me zhvendosjen e konsumit drejt duhanit të prodhimit vendës, i cili prodhohet dhe tregtohet në mënyrë artizanale dhe pa taksa. Por më pas argumentoi se rënia qe shkaktuar nga politika e qeverisë për uljen e konsumit të duhanit me synimin e mbrojtjes së shëndetit të popullsisë.
E vërteta duket se është diku në mes. Njëra prej kompanive ndërkombëtare të tregtimit të duhanit, deklaroi pak kohë më parë se sipas studimeve që ajo kryen për veten, në tregun shqiptar ka aktualisht një sasi më të madhe paketash cigaresh pa pullë se sa në vitet e shkuara. Drejtori i kompanisë së konsulencës doganore Crown Agents, David Smith i tha BIRN në një intervistë në mars se në treg ka, përveç cigareve pa pullë, edhe cigare me pullë të falsifikuar si dhe sugjeroi se kontrabanda në nivelin e krimit të organizuar duhet të luftohet nga qeveria me hetime speciale.
Spirale për poshtë
Mungesa e të ardhurave të qeverisë shkakton probleme zinxhir në ekonominë shqiptare. Duke qenë se të ardhurat janë aktualisht 30 miliardë lekë më pak se sa plani, shpenzimet e qeverisë pritet të jenë gjithasht 30 miliardë lekë më pak. Kjo është një shifër e barazvlefshme me më shumë se 2 për qind të PBB-së dhe shkakton automatikisht rritje më të ngadaltë të ekonomisë dhe rritje më të ngadaltë të çmimeve. Ky është një rreth vicioz pasi rritja e ngadaltë e prodhimit dhe e çmimeve rëndon nga ana e vet pikërisht të ardhurat buxhetore.