Të akuzuarit protestojnë vendimin, e konsiderojnë persekutim fetar. Avokati: “Vendimi është një turp për Shqipërinë, do ta ankimojmë vendimin ditën dhe jo natën, siç e mori gjykata”.
Nëntë të akuzuarit për rekrutim të shqiptarëve dhe dërgimin e tyre në Siri për të luftuar për grupimet terroriste ISIS dhe Al Nusra u shpallën fajtorë mbrëmjen e të martës nga Gjykata e Krimeve të Rënda, mes protestave të të dënuarve dhe avokatëve mbrojtës për trajtim të padrejtë dhe diskriminim fetar.
Bujar Hysa, i akuzuar si drejtues i grupit, u dënua me 18 vjet burg ndërsa Gerti Pashja e Genci Balla u dënuan me nga 17 vjet. Zeqir Imeri u dënua me 16 vjet ndërsa Verdi Morava, Orion Reçi e Edmond Balla u dënuan me nga 13 vjet. Fadil Sylejmani u dënua me 12 vjet ndërsa Astrit Tola u dënua me 7 vjet. Në total, dënimi për ta është 126 vjet. Prokuroria pati kërkuar 152 vjet.
Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm gjatë gjykimit dhe pretenduan në mënyrë të vazhdueshme se qenë pre e një trajtimi të padrejtë.
Të gjithë ata qenë akuzuar për “nxitje dhe thirrje publike për kryerjen e akteve terroriste” dhe “rekrutim të personave me qëllim kryerjen e akteve terroriste”.
Roland Islami, avokati mbrojtës i Orion Reçit, një nga të dënuarit, deklaroi pas shpalljes së vendimit: “Ky është diskriminim nga fillimi i procesit deri në fund. Ne do të bëjmë ankim ditën dhe jo natën, siç e dha vendimin gjykata. Vendimi është një turp për Shqipërinë pasi të pandehurit u dënuan për atë që besojnë.”
Imami i xhamisë së re Armand Ali deklaroi: “Besimtarët, sa herë që sprovohen, kthehen te Allahu. Këta janë dënuar nga i njëjti trup gjykues që liroi Arben Frrokun. Vendoimi synon t’u mbyllë gojën imamëve që janë jashtë më shumë se sa të dënojë ata që janë brenda.”
Nëntë të akuzuarit si anëtarë të një rrjeti rekrutuesish për xhihadistë u arrestuan në mars 2014, pasi Shqipëria adoptoi një legjislacion të ri për hetimin dhe dënimin e pjesëmarrjes në konflikte të huaja. Hetimet 2-vjeçare kanë zbuluar se mbi 100 shqiptarë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë shkuan në Siri përgjatë viteve 2012-2014.
Përgjatë këtyre viteve, 18 shqiptarë kanë humbur jetën në luftën e Sirisë, ndërkohë që fati i fëmijëve dhe grave mbetet ende i paqartë.