Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po përmirësojnë aftësitë e tyre për tregun e punës, kjo nuk po përkthehet në rritje të të ardhurave të tyre, arsyeton Adair Turner, duke shtuar se arsimimi ka një përfitim tjetër jo-monetar për njerëzit.
Të gjithë bien dakord se arsimimi më i mirë dhe përmirësimi i aftësive, për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, është thelbësor për të rritur produktivitetin dhe standardet e jetesës dhe për të kufizuar rritjen e pabarazisë. Po sikur të gjithë ta kenë gabim?
Shumica e ekonomive janë të sigurta se kapitali njerëzor është po aq i rëndësishëm për të rritur produktivitetin sesa kapitali fizik. Dhe në një farë pike, kjo është qartazi e vërtetë. Ekonomitë moderne nuk do të ishin të mundura pa përhapjen e aftësisë për të lexuar, shkruar dhe numëruar: shumë ekonomi në zhvillim po pengohen për shkak të mungesës së aftësive.
Por një karakteristikë e habitshme e ekonomisë moderne është se sa pak njerëz të aftë nevojiten për të drejtuar fusha thelbësore të aktivitetit ekonomik. Facebook ka një vlerë tregu prej 374 miliardë dollarë por vetëm 14.500 punonjës. Microsoft, me një vlerë tregu prej 400 miliardë dollarë, punëson vetëm 114,000 persona. GlaxoSmithKline, i vlerësuar me mbi 100 miliardë dollarë ka një staf prej 96,000 vetësh.
Forcat punëtore të këtyre tre kompanive janë vetëm një pjesë e vogël e oqeanit të tregut global të punës. Dhe megjithatë ato ofrojnë shërbime te miliarda vetë, krijojnë një softuer që mbështet përmirësime të produktivitetit në të gjithë ekonominë ose krijojnë ilaçe që mund të sjellin përfitime të mëdha shëndetësore për qindra miliona njerëz.
Ky disproporcion mes punësimit dhe vlerës së shtuar reflekton rolin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve, që dallon në dy aspekte thelbësore. Së pari, sipas ligjit të Mure, ritmi i përmirësimit të produktivitetit harduer është më i shpejtë se sa fazat e hershme të ndryshimit teknologjik. Së dyti, sapo softueri krijohet, mund të kopjohet pafundësisht me një kosto thuajse zero. Të marra së bashku, këto faktorë mundësojnë automatizimin me kosto të ulët të edhe më tepër aktiviteteve ekonomike, të nxitura nga aftësitë e larta të një pakice të forcës punëtore.
Pavarësisht këtij fenomeni, më tepër njerëz se kurrë kërkojnë nivele më të larta të arsimimit, të motivuar nga fakti se aftësitë më të mira sjellin paga më të larta. Por shumë punë të paguara edhe më tepër nuk luajnë rol në nxitjen e përmirësimit të produktivitetit. Nëse më shumë njerëz bëhen avokatë më të aftë, çështjet ligjore mund të luftohen më efektivisht dhe më shtrenjtë nga të dyja palët, por pa rritje neto në mirëqenien njerëzore.
Pasojat ekonomike të shumë tregtive financiare janë po ashtu të një shume zero. Por, po kështu, mund të jetë një pjesë e madhe e aktivitetit të përkushtuar për zhvillimin e modës apo markave të reja, me përkushtim të shumë energjive dhe aftësive të larta në konkurrimin për vëmendjen e klientëve dhe fitimit të tregut, por asnjë prej rezultateve të saj nuk çon në rritje të mirëqenies njerëzore.
Arsimimi më i lartë i më tepër njerëzve si pasojë nuk nënkupton aftësi më të larta në të gjitha fushat e rritjes së produktivitetit. Dhe rritja e tarifave të studimit – që në SHBA po rriten me një trend prej 6% në vit – mund të mos nënkuptojë se aftësi më të larta se kurrë nevojiten për të kryer punë specifike. Aplikantët e ardhshëm për një vend pune mund të jenë duke shpenzuar shumë para për të sinjalizuar punëdhënësit se kanë aftësi shumë të vlerësuara.
Universitetet në këmbim, mund të përfshihen në një konkurrencë shpenzimesh gjithnjë e në rritje, ku njëri fiton gjithçka ndërsa tjetri asgjë, për të tërhequr studentë. Dhe rritja me shpejtësi e borxhit studentor – nga 400 miliardë dollarë në 1.3 trilionë dollarë në SHBA që nga 2005 – pjesërisht mund të jetë duke shkaktuar konkurrencë më të lartë për punë më të paguara dhe jo investim në kapitalin njerëzor.
Po kështu, në skajin më të ulët të të ardhurave, nuk është e qartë se aftësitë më të mira mund të kompensojnë rritjen e pabarazisë. Vende të reja pune mund të krijohen ndërsa ne automatizojmë shumë prej vendeve aktuale të punës, por punët e reja shpesh paguhen më pak.
Parashikimet nga Byroja e Statistikave të Punës në SHBA (BLS) për krijimin e vendeve të punës gjatë 10 viteve të ardhshme ilustrojnë modelin. Nga 10 kategoritë e vendeve të punës që llogariten të mbartin 29 për qind të parashikimit të vendeve të punës që do të krijohen, vetëm dy – infermieret dhe menaxherët operacionalë – do të paguhen më tepër sesa fitimet mesatare, ndërsa shumica e tetë kategorive të tjera do të paguhen më pak.
Punësimi po rritet më shpejt te shërbimet direkte si kujdesi personal. Këto vende pune janë më të vështira për t’u automatizuar sesa shërbimet e prodhimit apo ato të informacionit; por sipas BLS, ato kërkojnë vetëm aftësitë e kufizuara formale ose trajnim në vendin e punës. Dhe kategoritë e punës që kërkojnë aftësi prej specialisti në teknologjinë e informacionit nuk futen as në listën e dhjetë kryesoreve. BLS parashikon 458,000 ndihmës të kujdesit personal dhe 348,000 ndihmës në familje, por vetëm 135,000 programues softuerësh dhe aplikacionesh.
Por a nuk do të bënin aftësitë më të mira që njerëzit aktualisht në kategoritë e punës në zhvillim të shpejtë por me paga të ulëta të gjenin vende pune me paga më të larta? Në shumë raste, përgjigja mund të jetë jo. Megjithatë, shumë njerëz mund të kodojnë, por vetëm një grup shumë i vogël njerëzisht do të punësohen ndonjëherë për aftësitë e tyre të kodimit. Edhe nëse dikush aktualisht në një punë që kërkon pak aftësi pajiset me aftësi më të larta, ai vend pune gjithsesi mund t’i shkojë një punonjësi që ka aftësi akoma më të mira dhe diferenca në pagesë mund të bëhet edhe më e lartë: në shumë vende pune, normimi relativ i aftësive mund të ketë rëndësi më tepër sesa kapaciteti absolut.
Ndaj “arsimim më i mirë dhe aftësi më të larta për këdo” mund të jetë më pak i rëndësishëm për rritjen e produktivitetit dhe një mjet më pak i fuqishëm për të kompensuar pabarazinë nga sa mendojmë ne. Por kjo nuk e hedh poshtë të paktën vlerën personale dhe sociale të arsimimit.
Sa më shumë njerëz që të jetë e mundur duhet të jenë të ditur, të mësojnë bazat e shkencës dhe të entuziazmohen nga një vepër e mirë arti që mund ta kuptojnë. Mbi të gjitha, në një botë ku automatizimi mund të na çlirojë nga angaria e punës së pafund, një arsim i mirë do të na japë mundësinë të jetojmë më të kënaqur, pavarësisht nëse rrit apo jo pagën individuale apo begatinë e matshme.
Sa për pabarazinë, mund të duhet ta kompensojmë atë përmes rishpërndarjes, me rritje të pagës minimale apo mbështetje financiare që nuk lidhet me vlerën në tregun e punës së njerëzve dhe përmes rritjes së cilësisë së të mirave publike.
Në një botë ku robotët mund të bëjnë gjithnjë e më tepër punë, arsimimi dhe aftësitë janë më të rëndësishme se kurrë – jo sepse rrisin vlerën e dikujt në tregun e punës, por sepse na përgatisin për jetën ku shumë vende pune nuk ofrojnë sa duhet të ardhura të mjaftueshme, kënaqësi apo status.
Ky artikull është publikuar në bashkëpunim me Project Syndicate.