Reportazh27 Oct 2016

Kampi i restauratorëve shpëton nga rrënimi monumentet e Beratit

Kampi i restauratorëve i CHwB Albania shpëtoi nga emergjenca disa prej monumenteve të kulturës në Berat dhe shërbeu si trajnim për 30 studentë nga i gjithë Ballkani, duke i dhënë shpresë banorëve se mund të ruajnë historinë e tyre.  

Autor: Erjola Azizolli BIRN Tiranë
Printo

Seancë trajnimi gjatë kampit të restaurimit në Berat | Fotot nga " Eriola Azizolli

Seancë trajnimi gjatë kampit të restaurimit në Berat.

Aty nga fundi i shtatorit kur gjethet sapo filluan të  zverdheshin në rrugicat e lagjes historike Goricë, mbi Osum,  aromat e vjeshtës u përzien me ato të gëlqeres dhe llaçit, ndërsa 30 studentë të fushës së Arkitekturës dhe Trashëgimisë Kulturore nga Shqipëria dhe pesë shtete të tjera të Ballkanit u mblodhën në qytetin muze të Beratit.

Pjesë e kampit Rajonal të Restaurimit organizuar nga CHwB Albania, (Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri) që përfshin trajnim dhe praktikë, ata ndërhynë në bashkëpunim me mjeshtrit lokalë, në mure, porta, çati, tavane të rrënuara prej kohës, ndërkohë që shijuan edhe mikpritjen e familjeve Beratase.

“Familjet na kanë gostitur, pasi kanë pasur një gëzim familjar duke na përfshirë dhe ne, na kanë ndihmuar që puna të jetë më e lehtë, kanë përkrahur studentët në çdo minutë dhe janë ndier të lumturuar kur kanë parë se muri nuk rrezikon më, apo porta është e qëndrueshme,” tha Lejla Hadzic, Drejtoren Ekzekutive e CHwB në Shqipëri, BIRN.

Kampi i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim (SIDA) dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), u zhvillua nën mbikëqyrjen e lektorëve nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Greqia, Italia, Anglia dhe Suedia dhe

Hadzic thotë se falë mbështetjes ai do të përsëritet edhe në vitet në vijim. Synimi i tij është tu mësojë studentëve mbi ruajtjen e trashëgimisë dhe po ashtu të ndihmojë në restaurimin e monumenteve dhe shtëpive të cilat banorët nuk kanë mundësi t’i mirëmbajnë.

Vendosja e skelave të ndërtimit në hyrje të sokakut ngjalli interes të pashoq të banorëve, të cilët çdo punë restauruese e konsiderojnë një plagë të mbyllur nga mijëra të tilla që ka lagjja ku ata jetojnë.

At Petraq Simsia një prej banorëve autokton të lagjes, i cili njeh çdo rrugicë, portë, sokak të saj dhe ka ndjekur me mjaft interes punën e mjeshtërve dhe studentëve të rinj në lagjen që nën hijen e malit me të njëjtin emër duket se është përfshirë nga melankolia e vjeshtës së parë.

“Problemet në lagjen tonë janë të mëdha që nga banesat që janë rrënuar, pasi nuk jetojnë familjar, portat e jashtme të shtëpive, muret nëpër rrugica, çatitë, etj. Të jetosh në këtë lagje është më shumë se sfidë”, thotë At Simsia për BIRN.

“Vetë institucionet përgjegjëse nuk kanë fonde për restaurimit dhe nismën për organizimin e këtij kampi e kam mbështetur jo vetëm unë por, gjithë lagjja”, thotë ai.

Restaurimi i portës së jashtme në familjen Simsia është një prej ndërhyrjeve që Kampi Rajonal i Restaurimit ka bërë gjatë ditëve të qëndrimit në qytetin e Beratit. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare mësohet se i propozoi drejtuesve të kampit ndërhyrjet në pesë monumente të cilat ishin në ‘emergjencë’ dhe për të cilat specialistët kishin të hartuara projektet.

Studentët mësojnë teknikat e restaurimit nga mjeshtrit lokal në Berat | Foto nga : Eriola Azizolli

Studentët mësojnë teknikat e restaurimit nga mjeshtrit lokal në Berat | Foto: Ana Pekmezi via CHwB Albania

“U restaurua streha e portës në familjen Ndrio, u restaurua fasada dhe  muri në banesën Gjogu, u restaurua muri i gurit dhe pjesa e qemerit prej guri në familjen Cilingiri, të gjitha këto në lagjen “Goricë”, tha për BIRN drejtori Eugen Kallfani.  Së bashku me to ai tregon se është bërë dhe konsolidimi i pjesshëm në ambientet e brendshme në afreskun e kishës së “Shën Triadhës”, në lagjen “Kala”.

Për specialistin Kallfani ky kamp arriti një prej qëllimeve të tij, nxjerrjen nga emergjenca të disa prej monumenteve të kulturës dhe pjesëve të veçanta të banesave popullore. Edhe një prej mjeshtërve Xhoxhi Fani, me një eksperiencë 40 vjeçare në fushën e restaurimit dhe një prej instruktorëve në këtë kamp thotë se është i kënaqur që u shpëtuan nga rrënimi disa objekte muzeale. Kjo ishte e rëndësishme edhe për goricarët dhe banorët e Kalasë.

Kampi, që sipas organizatorëve do të vijë çdo vit në këtë qytet, u organizua këtë fund shtatori për herë të parë këtu dhe ndërhyrjet restauruese të gjashtë grupeve u dhanë shpresë banorëve se mund të shpëtojnë nga rrënimi pjesë të historisë së tyre.

“Është e mrekullueshme kur t’i shikon se sa shumë janë të gatshëm që të ndihmojnë banorët, pasi je duke u rregulluar murin apo portën e shtëpisë dhe janë duke bërë gjithçka për të falënderuar”, thotë Hadzic për BIRN.

Kampi i Beratit është i 30-ti i këtij lloji që organizohet në Shqipëri dhe për Drejtoren Ekzekutive e CHwB Lejla Hadzic, mund të konsiderohet dhe si më i miri. Sipas saj u lidhën natyrshëm bashkë rektorë, mjeshtra, studentë, banorë dhe kjo bëri sipas saj që ditët të kalojnë shumë shpejtë. E dedikuar krejtësisht pas restaurimit që prej vitit 2006 Lejla thotë se Berati e ka impresionuar për shpresën që kampi ka ngjallur tek banorët e tij.

Edhe për studentët kjo ka qenë një përvojë e mirë. Petar Petrov, student nga Bulgaria, pjesë e kampit e cilëson punën restauruese në Berat si një shkollë të dytë që mund të kryente në fushën e restaurimit.

Studentët marrin pjesë në restaurimin e një muri në lagjjen Gorië në Berat | Foto nga : Eriola Azizolli

Studentët marrin pjesë në restaurimin e një muri në lagjjen Gorië në Berat | Foto kortezi CHwB Albania

“Këtu punuam me mjeshtra që dhanë gjithçka nga dijet e tyre që nga mënyra se si përgatitet llaçi, si vendoset në mistri, si tretet në mur për të riparuar një dëm. Punuam në lagje të mrekullueshme, duke rregulluar porta, mure, dhe të gjitha teknikat na i mësuan mjeshtrit që kishin një jetë që i bënin këto punë”, thotë ai për BIRN.

Platforma edukative siç është përdorimi i trashëgimisë kulturore në ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj të fushës ka krijuar lidhje mes studentëve nga vende të ndryshme të Ballkanit. Madje përndryshe nga sa mund të “paragjykohet”, pjesa më e madhe e muratorëve ishin vajza.

“Këto janë ditë që nuk do të përsëriten më. Shkolla jo gjithmonë i krijon mundësitë e të tilla praktikave. Kishim fatin të na mësonin në praktikë mjeshtërit më të mirë, të na jepnin dije pedagog të njohur, por mësuan më shumë dhe rreth universiteteve të së njëjtës fushë, por të shteteve të ndryshme”, thotë Luena Golemi, një prej vajzave të grupit studente e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore që  ka rastisur të jetë nga Berati edhe pse e larguar prej vitesh.

Në fund të punës ajo është dy herë krenare, ndoshta edhe ngaqë ndihmoi për të rregulluar diçka në qytetin e saj.