Lajm5 Dec 2015

Kontrabanda me naftën “virgin” vijon me miliona euro dëme

Prokuroria e Fierit urdhëroi arrestimin e pesë doganierëve, ndërsa biznesmeni i dyshuar për kontrabandist është zhdukur bashkë me paratë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Pus nafte në zonën e Patos-Marinzës pranë Fierit fotografuar në korrik 2014. Foto: BIRN

Pus nafte në zonën e Patos-Marinzës pranë Fierit fotografuar në korrik 2014. Foto: BIRN

Policia shqiptare kreu pesë arrestime të profilit të lartë mbrëmjen e të shtunës (5 dhjetor) në lidhje me një skemë kontrabande karburanti që mund t’i ketë kushtuar buxhetit të shtetit miliona euro taksa të humbura si dhe konsumatorëve shqiptarë, dëme të pallogaritshme në automjetet e tyre.

Sipas policisë, pesë doganierë, përfshirë një ish-zëvendësdrejtoreshë të përgjithshme dhe ish drejtorin e departamentit që mbikëqyr mallrat që i nënshtrohen akcizës në administratën doganore. Dy punonjës të tjetë u vendosën në masën e sigurisë “arrest shtëpiak” nga gjykata.

I dyshuari si organizator i skemës, biznesmeni Adrian Xhillari, i kompanisë Tea Construction & Petrol, është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej muajsh, por nuk është arrestuar.

Sipas skemës së zbardhur nga Prokuroria e Fierit, një sasi prej 4.4 milionë litrash të një produkti të njohur si “naftë virgin” është “humbur” gjatë transportit nga depozitat e kompanisë Tea Construction në Tiranë në disa depozita në Ballsh. “Virgin” është një produkt që prodhohet nga përpunimi fillestar i naftës bruto dhe që nuk plotëson kushtet për t’u hedhur në treg për shkak të cilësisë së ulët. Por përgjatë 20 viteve të fundit, sasia e naftës virgin të prodhuar nga Rafineria e Ballshit dhe që zyrtarisht duhej të eksportohej si produkt gjysmë i gatshëm, ka përfunduar rregullisht në tregun shqiptar ku përzjehet me produkte të gatshme duke shmangur njëkohësisht pagesën e taksave.

Policia thotë se sasia e naftës Virgin në fjalë është 4.4 milionë litra. Zakonisht, një litër karburant në Shqipëri paguan rreth 100 lekë taksa, të tilla si akcizë, taksë qarkullimi dhe tatim mbi vlerën e shtuar, gjë që sugjeron se evazioni fiskal në këtë rast mund të jetë rreth 440 milionë lekë, (rreth 3.4 milionë dollarë).

Por dëmet për buxhetin e shtetit janë vetëm një pjesë e dëmit të përgjithshëm pasi furnizimi i makinave me këtë lloj produkti shkakton amortizim shumë më të shpejtë të filtrave dhe motorëve të makinave si dhe ndot ambientin shumë më tepër se sa nafta apo benzina e zakonshme.

Zbulimi i kësaj skeme të evazionit fiskal në shkallë të gjerë hedh poshtë pretendimin e qeverisë se mosrealizimi i planit të të ardhurave buxhetore këtë vit është shkaktuar nga faktorë jashtë fuqisë së qeverisë si rënia e importeve. Opozita ka akuzuar prej muajsh qeverinë se të ardhurat e ulëta buxhetore janë pasojë e evazionit fiskal në shkallë të gjerë, gjë që qeveria e ka mohuar me forcë.

Evazioni fiskal përmes produktit Virgin është një fenomen i njohur në Shqipëri prej vitesh, por sërish ka mbetur i pandëshkuar. Në vitin 2011, ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti akuzoi dy biznesmenë të njohur, Iliaa Fishekun dhe Hajri Elezin. Të dy u shpallën më pas të pafajshëm nga gjykatat.