Rëniet e ndjeshme të importeve kroate nga Rusia nuk shqetësojnë shumë ekspertët në Zagreb, të cilët thonë se shkaqet për këtë janë normat e ulëta të këmbimit valutor, si dhe sanksionet dhe mosmarrëveshjet politike.
Tensionet e fundit politike mes Kroacisë dhe Rusisë nuk janë faktorët e vetëm pas rënies së vazhdueshme të vlerës së tregtisë mes Rusisë dhe Kroacisë, thonë ekspertët.
Analisti ekonomik Damir Novotny tha për BIRN se nivelet në rënie të tregtisë, kryesisht janë shkaktuar nga një rënie e importeve nga Rusia, por nuk janë “problem dramatik për Kroacinë”.
“Lëndët e para dominojnë këtë tregti mes nesh, por mund të gjenden lehtësisht në tregje të tjera,” tha ai.
Ai shpjegoi se disa eksportues kroatë në Rusi nga sektori i ushqimit kanë gjetur mënyra të reja për të eksportuar mallra nga Serbia.
Kur Rusia mori sanksione mbi produktet ushqimore nga BE-ja në 2014, si përgjigje e veprimtarisë së Rusisë në Ukrainë, disa kompani kroate të ushqimit filluan të ripaketojnë produktet e destinuara për Rusinë në Serbi.
Teksa Serbia nuk është vend anëtar në BE dhe nuk është përfshirë në sanksionet ndaj Rusisë, ato mund të kalonin regjimin e sanksioneve në këtë mënyrë.
“Rusia nuk është partneri më i rëndësishëm i huaj kroat. Më të rëndësishmit janë tre shtete të BE-së: Italia, Austria dhe Gjermania. Vendet fqinje në Europën Juglindore si Serbia dhe Bosnja-Hercegovina janë gjithashtu të rëndësishme,” përfundoi Novotny.
Sipas Byrosë së Statistikave të Kroacisë, eksporti kroat në Rusi në tetë muajt e parë të këtij viti kishte vlerë 106 milionë euro, 2.1 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Në të njëjtën periudhë, Kroacia importoi 155 milionë euro mallra nga Rusia, që është 54.9 për qind më pak.
Gjatë të gjithë 2015, Kroacia eksportoi 195 milionë euro mallra në Rusi, që është 29.5 për qind më pak se viti 2014 – kryesisht si rezultat i sanksioneve të Rusisë.
Kroacia kryesisht eksporton produkte farmaceutike në Rusi, por edhe ushqim dhe pajisje teknike.
Mallrat e importuar nga Rusia ranë në 2015 me 49.7 për qind në krahasim me shifrat në 2014.
Sipas ekspertëve kostoja e rënies së importeve nga Rusia është kryesisht rezultat i rënies së çmimeve globale të naftës dhe gazit.
Dhoma Kroate e Tregtisë i tha BIRN se rënia e importeve nga Rusia ishte shkaktuar gjithashtu nga kriza ekonomike në Rusi në 2014 dhe nga rënia e normave të këmbimit mes rublës ruse në krahasim me euron apo monedhën kroate, kuna.
Marrëdhëniet Kroaci-Rusi erdhën sërish në qendër të vëmendjes të martën pasi Anvar Azimov, ambasadori rus në Kroaci shprehu pakënaqësi me marrëdhëniet politike në përkeqësim dhe rënien e niveleve të tregtisë në TV N1.
Presidenti i Dhomës Kroate të Tregtisë Luka Buriloviç tha të hënën se Forumi Ekonomik Kroaci-Rusi, i cili organizohej çdo vit, u anullua në tetor nga Dhoma Ruse e Tregtisë për shkak të mungesës së interesit nga sipërmarrësit rusë.
“Duam të theksojmë se ky event ekonomik nuk ka lidhje me ngjarjet politike. Ne jemi shumë të pakënaqur dhe të befasuar që eventi ekonomik u anulua prej kontekstit politik,” përfundoi Buriloviç duke shtuar se Forumi do të organizohet më vonë.