Sorin Opresku, kryebashkiaku i kryeqytetit të Rumanisë, u arrestua nën akuzën e marrjes së 25,000 eurove ryshfet.
Prokurorët rumunë anti-korrupsion të dielën në mëngjes arrestuan Opreskun, i dyshuar për marrje ryshfeti me vlerë 25,000 euro nga disa kompani në shkëmbim të dhënies së kontratave.
Ata e akuzuan atë si pjesë të një grupi të organizuar brenda administratës publike që i kërkonte firmave 70 për qind të përfitimeve nga puna e tyre.
Nga kjo 10 për qind mendohet si i shkonte direkt Opreskut, sipas një deklarate nga Departamenti Rumun i Antikorrupsionit.
Opresku u denoncua nga katër biznesmenë.
Ai ka mohuar çdo akuzë, ndërsa avokati i tij Alexandru Chiciu këmbëngul se ai nuk i ka kërkuar kurrë ndokujt para, direkt ose indirekt, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
Opresku është kryebashkiak i Bukureshtit që nga viti 2008, zgjedhur si i pavarur. Ai gjithashtu dështoi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2009 dhe është një ish-senator për Partinë Social Demokrate.
Në qershor, prokurorët arrestuan Solomon Uigler, këshilltarin personal të Opreskut, në akuzat e ushtrimit të influencës dhe marrjes së ryshfetit. Uigler u akuzua se kishte kërkuar 230,000 euro nga një biznesmen, ndërsa ka premtuar se do ta përdorte ndikimin e tij për të miratuar tre supermarkete.
Dy nënkryetarë në Bukuresht janë arrestuar këtë vit për korrupsion.
Rumania ende konsiderohet si një nga shtetet më të korruptuar të BE-së dhe ka bërë pak progres në luftën kundër krimit dhe korrupsionit që kur hyri në BE në vitin 2007.
Vitet e fundit, përpjekjet janë shtuar dhe zyrtarë të lartë janë dënuar për korrupsion.