Lajm26 Aug 2014

Kultivuesit e kanabisit rrëzojnë helikopterin e policisë

Një helikopter i policisë së shtetit ka bërë një ulje të detyruar në fshatin Pult, në zonën e Dukagjinit pasi është qëlluar me armë zjarri.

Autor: BIRN Tiranë
Printo

Saimir Tahirri dhe Artan Didi

Ministri i Brenshëm Saimir Tahiri gjatë një konference për shtyp me dy helikopterët e policisë së shteti në sfond dhe drejtorin e përgjithshëm Artan Didi në krah | Foto nga : Ministria e Brendshmw

Zëdhënësi i policisë së shtetit, Tefik Sulejmani, i tha BIRN që helikopteri është godituar me të paktën një plumb nga të shtënat e një grupi personash, të dyshuar si kultivues kanabisi.

“Të shtenat kanë vënë në rrezik jetën e pilotëve dhe ka çuar në uljen e detyruar te helikopterit,” shpjegoj Sulejmani.

Nje helikpter i modelit Cougar i ministrisë së mbrojtjes është qëlluar gjithashtu gjatë operacionit.

Sipas Sulejmanit një 25-vjeçar nga fshati Grudë e Re, Fatmir Zef Shpati, është arrestuar për sulmin, nën akuzën e vrasjes të mbetur në tentativë, ndërkoh që hetimet për të dyshuarit e tjerë për sulmin vazhdojnë.

Prej gjashtë ditësh qindra forca policie kanë ndërmarrë një operacion më bazë të gjërë në zonën e thyer malore të Dukagjinit, duke asgjesuar 99,960 rrënjë bimë narkotike ‘cannabis sativa.’

Ky është operacioni i dytë madhor kundër drogës në Shqipëri këtë verë që synon të shkatërrojë plantacionet e kanabisit.

Në qershor, mbi 1 mijë policë morën nën kontroll fshatin e Lazaratit në Shqipërinë e jugut pas një jave betejash me kultivues të armatosur droge.

Ky fshat pati qenë një zonë jashtë kontrollit të policisë për më shumë se një dekadë dhe qe bërë sinonim me krimin.

Një oficer policie dhe dy barinj u plagosën gjatë këtij operacioni dhe 21 të dyshuar përfshirë edhe të akuzuarit si baronë droge që patën hapur zjarr ndaj policisë u arrestuan.

Policia shkatërroi pesë laboratorë droge dhe kapi sasi të mëdha armësh, përfshirë granatahedhës, një mitraloz kundërajror, disa mitralozë, eksplozivë, granata dhe qindra automatikë AK-47.

Në total 133,219 bimë kanabisi u shkatërruan.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook të dielën, ministri i brendshëm Saimir Tahiri tha se që nga 1 qershori policia ka shkatërruar mbi 344,400 bimë.