Eksperienca botērore nē kriminologji konfirmon që ballafaqimi i zyrtarëve të korruptuar me turpërim publik, arrestim, ndjekje penale dhe dënim me burg thellon kulturën e ndëshkueshmërisë dhe frenon rastet e keqpërdorimeve me detyrën zyrtare në të ardhmen. Në rastin e përgjimeve, disa “shefa” të Kosovës meritojnë të hetohen dhe të provohet nëse vërtetë janë të fajshëm.
Një seri telefonatash të publikuara nga portali “Insajderi” konfirmojnë kapjen e institucioneve të Kosovës nga qeveritarë të korruptuar. Informojnë mbi pazaret me pronën publike, mënyrën se si janë ndarë pozicione të ndryshme drejtuese dhe lehtësinë dhe normalitetin me të cilin janë rregulluar dhe prishur tendera për përfitime personale. Edhe pse përmbajtja e telefonatave është shokuese, keqpërdorimet e pozitave zyrtare që këto regjistrime demaskojnë, nuk vijnë si surprizë. Eshtë korrupsioni i thellë që ka çuar Kosovën në varfëri të skajshme dhe mungesë të mundësive për jetë të denjë për qytetarët e saj, vërtetim i pasqyruar edhe në raporte të ndryshme të organizmave ndërkombëtarë.
Regjistrimet në fjalë informojnë shumë mbi mënyrat se si një grusht njerëzish që kanë kapur pushtetin, kanë vepruar duke influencuar në mënyrë të paligjshme vendimet në institucionet publike të pavarura, sikur të jetë gjëja më normale. Mund të konkludojmë që këta zyrtarë mbajnë të merituar medaljen e artë në olimpiadēn e korrupsionit.
Në qoftë se tashmë kemi konfirmimin e këtyre pazareve korruptive, çfarë është e natyrshme të ndodhë në vijim dhe cila është strategjia për të adresuar dhe parandaluar këtë fenomen?
Një rrymë mendimi kriminologjie konfirmon që mekanizëm eficent për luftimin e korrupsionit është turpërimi publik i keqbërësve, ndëshkimi i merituar i tyre dhe informimi i përgjithshëm për ekzistimin e rrezikut real për t’u ndëshkuar, në rast të përfshirjes në korrupsion. Në Kosovë, Agjencia Kundër Korrupsionit informon për ndjekje dhe procedim gjyqësor të paktë të rasteve të korrupsionit nga ana e gjyqësorit në Kosovë, por edhe ato pak raste kanë të bëjnë me korrupsionin e vogël.
Përgjigje nga Amerika Latine
Duke marrë parasysh numrin e lartë të skandaleve korruptive, kontekstet e vendeve të Amerikës Latine përbëjnë bazë me vlerë për të analizuar jo vetëm fenomenin e korrupsionit, por posaçërisht përgjigjen ndaj korrupsionit të madh.
Presidenti aktual meksikan, Enrique Peña Nieto u zbulua që banonte në shtëpi të ndërtuar dhe në pronësi të një kompanie ndërtimi që kishte përfituar mbi 80 kontrata të mëdha me qeverinë. Me zbulimin e konfliktit të interesit, çështja nuk kaloi fazën paraprake të shqyrtimit gjyqësor dhe u mbyll, pasi Presidenti dhe familja ndërruan vendbanim dhe hoqën dorë nga prona në fjalë.
Në Kili, djali i presidentes Michelle Bachelet u akuzua në vitin 2015 për përfitim në mënyrë të paligjshme të një kredie bankare në vlerë prej 10 milionë dollarësh amerikanë, një ditë pas rizgjedhjes së mamasë së tij. Dokumentet zyrtare informonin se si bashkëshortja e tij kishte përdorur këtë shumë për të blerë tokë, të cilën e kishte shitur me vlera përfitimi shumë të larta. Pas bërjes publike të skandalit, paturpësisht presidentja Bachelet informoi shtypin se “qytetarët e Kilit nuk përfshihen në skema korrupsioni” dhe konfirmoi që nuk planifikonte paraqitjen e dorëheqjes.
Në Guatemala, një investigim ndërkombëtar zbuloi afera disa milionëshe që implikonin direkt ish-presidentin Otto Perez Molina. I vënë në presion ndërkombëtar, ai u detyra të paraqiste dorëheqjen pas ngritjes së aktakuzës.
Në Peru, ish-presidenti Alberto Fujimori është aktualisht duke vuajtur një dënim me burgim prej 25 vitesh për aferat e paimagjinueshme korruptive që mendohet t’i kenë shkaktuar dëme financiare Perusë në vlerën e 4 miliardë dollarëve. Presidenti paraprak, Alan Garcia është hetuar për faljen kolektive që u bëri 400 trafikantëve të drogës, “me qëllimin për të zbrazur burgjet e tejmbushura”, sipas administratës së tij.
Rastet e mësipërme janë shoqëruar nga ndjekje penale, por hetimet kanë qenë të pjesshme dhe përgjithësisht, kanë rezultuar në pandëshkueshmëri apo ndëshkim të limituar të zyrtarëve të korruptuar. Shpeshherë, zyrtarët e implikuar kanë vazhduar me karrierën politike, pa ndonjë pasojë.
Në të kundërt, disa nga aferat korruptive të viteve të fundit në Brazil duken të jenë hetuar dhe proceduar seriozisht në instancat e gjyqësorit dhe personat përgjegjës, jo vetëm janë larguar nga pozicionet drejtuese, por kanë marë dënimin e merituar.
Në Brazil, ndjekje serioze penale
Në Brazil- vendin mikpritës të Olimpiadës së fundit, presidentja Dilma Rousseof u largua nga zyra në maj 2016 për shkak të keqpërdorimit të detyrës dhe është në proces impeachment-i para Senatit Brazilian.
Por një skandal edhe më i madh duket se konfirmon synimin serioz të Prokurorisë për luftë kundër korrupsionit, ai i lidhur me skemën Lavo Jato. Sipas akuzës, anëtarë të ekzekutivit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lidhur kontrata në emër të kompanisë publike të naftës “Petrobras” për një periudhë 10 vjeçare (2004-2014) duke përfituar miliarda dollarë dhe kaluar këto shuma në llogaritë personale të tyre apo në fondet e partive të tyre politike.
Aktualisht janë nën hetim shumë zyrtarë, përfshirë 13 senatorë, 22 deputetë federalë dhe 2 guvernatorë, përfshirë dhe deputetin Eduardo Cunha, që kryesoi impeachment-in kundër presidentes Rousseof.
Një studim mbi aferat korruptive në Brazil tregon se lidhur me korrupsionin e madh këto 5 vitet e fundit janë arrestuar mbi 160 zyrtarë të lartë dhe dënuar mbi 100 prej tyre. Ndër personat e dënuar me burg afatgjatë janë Macelo Odebrecht, CEO i mëparshëm i kompanisë më të madhe të ndërtimit në Amerikën Jugore, ish-drejtori i kompanisë publike “Petrobras”, Jorge Zelada dhe ish-arkëtari i Partisë së Punës, Joao Vaccari Neto.
Çfarë e veçon Brazilin nga shtetet fqinjë është forca me të cilën institucionet shtetërore – Prokuroria dhe Gjyqësori Federal – kanë reaguar ndaj korrupsionit të madh që implikon zyrtarët e lartë të shtetit.
Përgjigja ndaj korrupsionit në Kosovë
Në Kosovë, rastet e ndjekjeve penale të aferave korruptive të zyrtarëve të lartë janë kryer në mënyrë të pjesshme nga Prokuroria e Misionit të EULEX-it. Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës është marrë kryesisht me raste të korrupsionit të vogël.
Duke njohur rëndësinë e merituar nevojës për të luftuar korrupsionin e vogël, është i domosdoshëm adresimi me intensitet dhe seriozitet i korrupsionit të madh, veçanësisht për dëmin financiar dhe social shumëfish më të madh që shkakton.
Në mënyrë ironike, skandalet janë shenjë pozitive, sepse tregojnë që ekziston përpjekja për të garantuar llogaridhënie dhe ndëshkim. Por një administrim publik i ndershëm bëhet realitet vetëm kur krijohet kulturë averzioni ndaj korrupsionit të madh dhe ekziston vullnet real i gjyqësorit për të luftuar korrupsionin.
Eksperienca botērore nē kriminologji konfirmon që ballafaqimi i zyrtarëve të korruptuar me turpërim publik, arrestim, ndjekje penale dhe dënim me burg thellon kulturën e ndëshkueshmërisë dhe frenon rastet e keqpërdorimeve me detyrën zyrtare në të ardhmen. Gjithashtu, është e vërtetë e njohur që lufta kundër korrupsionit fillon nga kokat e mëdha. Në rastin konkret, disa “shefa” të Kosovës meritojnë të hetohen dhe të provohet nëse vërtetë janë të fajshëm, siç lënë të kuptojnë regjistrimet në fjalë.