Në ditën e dytë të protestës kundër sistemit të ri të maturës që la jashtë listave paraprake të fitueseve mijëra nxënës me nota të shkëlqyera, maturantët përsëritën thirrjen për dorëheqjen e ministres së arsimit dhe kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër meritë-preferencë.
Një grup maturantësh u mblodhën të enjten përpara Parlamentit në ditën e dytë të protestës së tyre kundër sistemit të ri të maturës, që ndryshoi në minutë të fundit mënyrën e llogaritjes së pikëve, duke lënë jashtë listave paraprake të fituesve mijëra maturantë me mesatare të larta.
Maturantët protestues mbanin në duar pankarta si “Universiteti i studentëve, jo i klientëve”, “Nuk jemi kavie laboratori”, “Rikthim i sistemit meritë-preferencë” dhe e shoqëruan protestën e tyre me thirrjet “turp” dhe fishkëllima ndaj deputetëve që po hynin në parlament.
Protestuesit i bënë sërish thirrje ministres së arsimit Lindita Nikolla të japë dorëheqjen, pasi e quajtën të dështuar skemën e maturës së këtij viti.
Situata u tensionua dhe nxënësit u përballën me policinë për disa minuta pas një përpjekjeje nga ana e tyre për të bllokuar hyrjen e godinës së parlamentit duke kërkuar që ministrja e arsimit Lindita Nikolla t’i përgjigjet personalisht kërkesës së tyre për kthimin e sistemit të vjetër, sipas të cilit, maturantët me nota të larta kishin llogaritur të shpalleshin fitues në degët e preferuara.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla reagoi të martën në mbrëmje duke deklaruar se listat nuk janë përfundimtare dhe se 24 mijë maturantë nga 27 mijë aplikantë do të mund të zënë një degë në universitetet shtetërore.
Ankthi dhe paniku përfshiu mijëra maturantë menjëherë pas publikimit të listave nga ana e fakulteteve pasi shumë nxënës me mesatare mbi 9 nuk e gjetën veten fitues në asnjë fakultet. Ata pretendojnë se dhënia e përparësisë në shumë degë njëkohësisht të nxënësve me mesatare 9.8 e lart i ka penalizuar në fazën e parë.
Maturantët i thanë BIRN të mërkurën se ministria ka ndryshuar rregullat e llogaritjes së pikëve të gruplëndëve me zgjedhje, duke i barazuar lëndët e vështira me ato të lehta; si dhe i ka lënë mundësi universiteteve të zgjedhin se cilat lëndë do të vlerësojnë me më shumë pikë, por të gjitha këto pasi maturantët kishin plotësuar formularët.
Ata e akuzuan ministrinë e arsimit se po i shtyn drejt universiteteve private dhe i kërkuan ministres Nikolla të kthejë sistemin meritë-preferencë, ku çdo maturant shpallej fitues në vetëm një degë.