Mijëra minorenë të pashoqëruar shfaqen dhe zhduken nga sistemet e azilkërkuesve kudo në vendet e Bashkimit Europian, por fati i tyre shpesh mbetet një mister për autoritetet.
Në vitin 2015, rreth 90,000 azilkërkues në Bashkimin Europian ishin minorenë të pashoqëruar, sipas Eurostat. Rreth gjysma e tyre largohen nga qendrat e azilit apo strehat brenda dy ditësh pas mbërritjes, sipas shoqatës Fëmijët e Zhdukur të Europës, që ndodhet në 24 shtete. Ndonjëherë ata janë të dekurajuar nga procedurat e gjata ose kanë frikë se mos kthehen në vendmbërritjen e parë. Dhe ndonjëherë minorenët e pashoqëruar bashkohen me familjarët ose e kërkojnë fatin e azilit diku tjetër – sipas Associated Press.
Bashkimi Europian thotë se ka zhvilluar projekte për të përmirësuar shërbimin që marrin minorenët. Gjermania për shembull i ofron atyre që qëndrojnë në streha rreth 30 deri në 70 euro në muaj para xhepi.
Megjithatë emigrantët e rinj të zhdukur, që janë kryesisht nga 14 vjeç e lart trajtohen ndryshe nga rastet e fëmijëve të zhdukur në përgjithësi. Rastet e tyre nuk raportohen gjithnjë në polici dhe shpesh nuk ka mjaftueshëm informacion që të shoqërojë raportimin për humbjen e tyre.
Në të gjithë Europën, ka një numër gjithnjë e në rritje të mijëra emigrantëve nën moshë të cilët jetojnë tashmë vetëm, pa familjet. Ata qëndrojnë të fshehur në turma, shpesh pa u vënë re. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por Europol vlerëson se të paktën 10,000 fëmijë konsiderohen të humbur nga qendrat e pritjes së azilkërkuesve.