Sindikatat në Serbi kanë humbur pushtetin dhe krenaria e punëtorëve për anëtarësimin në to ka rënë jashtëzakonisht gjatë viteve të tranzicionit.
Mes dhjetëra distinktivëve, dy zinin vendin e nderit në raftin e dhomës së ndenjjes në shtëpinë e gjyshërve të mi në Beograd – njëri ishte distinktivi i gjyshit Dushan për anëtarësinë në Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe tjetri ishte i sindikatës së vetme të Jugosllavisë. Ai dhe gjyshja ime Branka, dikur e përshkruanin veten si anëtarë të përjetshëm të sindikatës, pavarësisht daljes në pension.
Dushani, një inspektor ndërtimor në bashki, kishte zakonin të mblidhte rregullisht distinktivët. Ai mburrej se si gënjeu për moshën për t’u bërë anëtar i partisë dhe sindikatës përpara se të mbushte 18 vjeç. Krenaria e tij për sindikatën gjithnjë më ka intriguar.
Gjyshi im vdiq dy vite më parë dhe unë e kujtova kur erdhi Dita e Punëtorëve këtë vit dhe prita të kisha mundësinë e parë të kapur pulsin e protestës së punonjësve serbë për një histori që po bëja për Bursën Ballkanike për Ekselencë në Gazetari. Isha gabuar rëndë.
“Nuk do të ketë protesta në rrugët e Beogradit më 1 Maj”, më tha në telefon një gazetar në gazetën ku punoj. “Me shumë gjasa sepse data… përkon me Pashkët. Kush do të dilte në rrugë?!”
Kisha planifikuar të flisja me punonjës të zakonshëm, të dëgjoja çfarë ndjenin ata për sindikatat që supozohet se i përfaqësojnë ata, si gjërat kanë ndryshuar gjatë tranzicionit të Serbisë nga komunizmi, nëse besimi i tyre është gërryer nga thashethemet dhe raportet për korrupsion në sindikata dhe kapje politike.
Punëtorët në Serbi, mund të mendoni se kanë po aq shumë arsye sa kushdo tjetër të dalin në rrugë – sektori publik, që përbën një pjesë të madhe të forcës punëtore serbe ka parë ulje të rrogave dhe rregullat e punës janë përkeqësuar nën një qeveri të zotuar të frenojë deficitin buxhetor. Tranzicioni në një sistem kapitalist ka goditur punëtorët rëndë gjatë 15 viteve të fundit.
Shpejt kuptova se dështimi i tyre për t’iu bashkuar sindikalistëve kudo në Europë në shënimin e Ditës së Punëtorit dhe të drejtave të punëtorëve, vetëm sa kishte konfirmuar hipotezat e mia – diçka është kalbur në rrënjë të lëvizjes sindikaliste të këtij vendi.
Vizitova gjyshen, ku distinktivët e sindikatës ende qëndrojnë në raft. “Nuk prisja shumë,” tha ajo për Ditën e Punëtorëve. “Por gjyshi yt do të zhgënjehej që nuk ka turma, as fjalime, slogane, asgjë…”
Një javë më vonë u ula për të intervistuar Branislav Canak, liderin e sindikatës Pavarësia, një nga më të mëdhatë në Serbi. Drejt fundit të intervistës, duke u përpjekur të fshihja mosbesimin tim, e pyeta: “Përse nuk pati protesta më 1 maj?”
“Sigurisht që nuk u organizuan protesta!” u përgjigj ai menjëherë. “Protestat e punëtorëve dikur organizoheshin nga Tito, si një paradë. Pastaj kapitalizmi erdhi dhe filluan pushimet nga puna. Sot, punëtorët do të dilnin të protestonin vetëm nëse paguheshin për këtë. Nëse ne i paguanim biletën e autobusit dhe i jepnim atyre një leje ditore. Në këtë rast, e kanë më mirë të qëndrojnë në shtëpi”.
Ndaj, e pyeta atë, se si e kishin humbur sindikatat fuqinë për të mobilizuar punëtorët? Përse punëtorët në Serbi nuk i ekspozonin me krenari distinktivët e tyre të anëtarësisë në sindikatë? “Kjo është një histori krejt tjetër”, tha ai.
Ndërsa e shkruaj këtë, Franca është buzë grevave dhe protestave nga dhjetëra mijëra punëtorë që kanë bashkuar forcën kundër legjislacionit të punës që do të lehtësonte marrjen dhe heqjen nga puna të punonjësve dhe do të zbuste kufizimin e orëve të punës. Aksioni industrial kërcënoi të mbyllte impiantet bërthamore, të ndalonte furnizimin me elektricitet, të bllokonte trafikun. Telefonova një koleg që punon si gazetar në Francë dhe e pyeta atë nëse punëtorët kërkonin një pagesë shtesë për të protestuar?
Ai ishte i ngatërruar. “Është hera e parë që dëgjoj për diçka të tillë,” u përgjigj ai.