Ndërsa ndërkombëtarët po bëjnë presion ndaj krerëve të politikës shqiptare që të mos përdorin dhunën, qoftë ajo, dhunë financiare, dhunë fizike apo dhunë psikologjike në zgjedhjet e ardhshme, fakti mbetet që udhëheqja aktuale i ka duart e pista në këtë drejtim dhe se ata vështirë se do të heqin dorë nga metodat e vjetra për sa kohë populli nuk i detyron të heqin dorë.
Konferenca e datës 26 janar që mblodhi në një tavolinë Ramën, Metën dhe Bashën nën premtimin e një reforme elektorale “të thelluar dhe gjithëpërshirëse” u kthye në mënyrë të papritur në një moment reflektimi për udhëheqësit e vendit. Reflektimi, i cili u shfaq në fjalimet e tyre, na rikujtoi një histori të gjatë të manipulimeve zgjedhore, manipulime që kanë qenë në shkallë aq të madhe sa aludohet se ia kanë bërë të pamundur shqiptarëve të zgjedhin më të mirën për veten e vet.
Kuptohet që reflektimi i tre udhëheqësve qe në tonalitete të ndryshme e në shkallë të ndryshme.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta p.sh, ndërsa u ankua se akuzohet si blerës votash (me të padrejtë sipas tij), reflektoi për zgjedhjet e vitit 2001, kur ai qe kryeministër.
“Unë që po flas këtu nuk jam shumë krenar për zgjedhjet e 2001-shit kur kam qenë Kryeministër. Kemi patur edhe zgjedhje të tjera”, tha Meta.
“Ajo që besoj dhe të gjithë biem dakord është, që ka patur një progres të rëndësishëm në shumë drejtime. Nuk ka patur përfshirje brutale të shtetit, të policisë, të shërbimit informativ, të strukturave të tjera si në të kaluarën”, shtoi ai pa bërë të ditur se për çfarë zgjedhjesh e ka në rastin e fjalisë së dytë.
Kuptohet që të mos qenit “shumë krenar” për zgjedhjet e vitit 2001 është një formulim tepër i papërshtatshëm, duke pasur parasysh se çfarë ndodhi në vitin 2001, zgjedhjet me gjashtë raunde të njohura si fenomeni “Dushk”, shkatërrimi i parimit të përfaqësimit proporcional në parlament, manipulimet në proceset e numërimit, akuzat për blerje komisionerësh të opozitës, përdorimi si pushkë e Gjykatës Kushtetuese, dhuna policore, keqpërdorimi i televizonit publik etj. Zgjedhjet e vitit 2001 qenë aq të tmerrshme sa prej paudhësive të kryera në ato zgjedhje, kodi zgjedhor i shqipërisë vlerësohet se është shumëfishuar në volum.
Shumica e rregullave aktuale zgjedhore kanë lindur nga kodi elektoral i vitit 2003, i cili u hartua posaçërisht për të shmangur lemerinë e zgjedhjeve të vitit 2001. Faktori ndërkombëtar nuk pranoi t’i konsiderojë të vlefshme zgjedhjet dhe i kërkoi palëve të ulen në bisedime. (Për një përshkrim të plotë të ndodhive të vitit 2001, mund të lexoni raportin e OSBE-ODIHR mbi ato zgjedhje.
Të mos qenit shumë krenar për ato zgjedhje është një term tepër i papërshtatshëm për të përshkruar ato zgjedhje.
Kryeministri Rama pati momentin e tij të reflektimit, por reflektimi qe më së shumti vetëjustifikues se sa pranues i realitetit. Problemet e vërejtura në zgjedhjet e fundit, Rama i konsideroi më shumë si “dallime në optikën” e vështrimit mbi zgjedhje.
“Nëse zgjedhjet e 2015-s do të vështroheshin si për herë të parë, sigurisht që optika është e ndryshme nga optika e vështrimit të tyre si pjesë e një procesi dhe mbi bazë krahasimore me atë çka ndodhur në zgjedhjet e 2009-n apo 2011-n. E njëjta gjë vlen edhe për 2013-n. Të mos harrojmë që pavarësisht kontestimeve tradicionale të humbësve, qoftë zgjedhjet 2013, qoftë zgjedhjet 2015 janë procese të gjithëpranuara, në radhë të parë nga vetë zgjedhësit dhe legjitimiteti i fituesve, që është një legjitimitet i bazuar tek ky gjithëpranim popullor, ka bërë të mundur edhe çeljen e një rruge pa kthim, reformash që i kanë munguar vendit për 20 e kusur vite”, tha Rama.
Logjika “jemi më mirë se në të shkuarën” është e famshme në Shqipëri, e krijuar kjo nga leverdia e të pasurit një nivel tejet të ulët fillimi. Ne historikisht kemi pasur fillimisht, krahasim me vitin 1912, pastaj me vitin 1938 e më vonë, me vitin 1992. Zgjedhjet i kemi krahasuar gjithmonë, megjithëse, krahasimi nuk na ka vlejtur. Logjika, siç e bëri të ditur edhe OSBE/ODIHR në rastin e zgjedhjeve për pushtetin vendor, është e pavlefshme. Zgjedhjet krahasohen me standardet dhe jo me të shkuarën. Në fund të fundit, zgjedhjet nuk janë teknologji bërthamore. Problemet aty janë teorikisht dhe praktikisht të thjeshta. Mungon vetëm vullneti.
Rama nuk e pa të arsyeshme të komentojë për listat e kandidatëve të tij, mes të cilëve gjendej së paku një i dënuar për trafik të qenieve njerëzore dhe një alet në gjykim për vrasje.
I vetmi që nuk reflektoi qe Lulzim Basha. Ai u mjaftua me akuza ndaj palës tjetër, megjithëse edhe ai ka shumë për të reflektuar, veçanërisht për zgjedhjet e vitit 2009, kur u akuzua se kishte liruar një kriminel në shkëmbim të mbështetjes së familjes së tij kriminale në zgjedhje apo për zgjedhjet e vitit 2011, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kapërceu edhe një limit tjetër të paimagjinueshëm për t’i dhënë atij një mandat si kryebashkiak i Tiranës.
Reflektimi i Metës dhe Ramës dhe mosreflektimi i Bashës gjithsesi ndihmojnë për të parë pas në kohë se si zgjedhjet në mënyrë të përsëritur nuk i përmbushën standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Dokumentin e Kopenhagës dhe se si, personat që duhet të kryejnë reformën zgjedhore, Meta, Rama dhe Basha, kanë historinë e tyre të pasur me përgjegjësi për shkeljet elektorale.
Premtimet e të treve për gadishmëri në hartimin e një reforme “gjithëpërfshirëse” për t’i dhënë fund “korrupsionit zgjedhor”, siç qe edhe titulli i konferencës duhet të merren me rezerva të mëdha, siç na e rikujtoi edhe një herë ambasadori i SHBA-së Donald Lu, i cili, pasi përsëriti atë që e dimë të gjithë, që gangsterët përdoren nga partitë politike për të frikësuar shqiptarët, i bëri thirrje shqiptarëve duke i thënë se në fund të fundit, është në dorën tonë të mos tolerojmë “korrupsionin zgjedhor”, duke e luftuar atë në çdo rast që shfaqet dhe nga cilado palë që vjen.