Media greke njoftoi sot se një rrjet trafikantësh që përdorte kompani fantazmë transporti dhe skafe, është goditur nga policia greke, e cila zbuloi se kreu i grupit “dyshohet se ka lidhje me qeverinë shqiptare”
Gazeta greke Kathimerini njoftoi sot se policia greke ka zbuluar pas një hetimi njëvjeçar, një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës që furnizonte Europën me drogë me vlerë qindramilionë euro dhe se po kërkon për një nga udhëheqësit e grupit, i cili dyshohet se ka lidhje me qeverinë shqiptare.
“I dyshuari 44 vjeçar, i cili ka të shkuar penale të lidhur me drogën, ka qenë emëruar nga qeveria që të mbikëqyrë çështjet e transportit në qytezën e Sarandës në Shqipëri më 2014, pavarësisht se ka qenë i akuzuar për trafik droge nga partitë në opozitë në vendin fqinj,” bëri të ditur Kathimerini.
Pesëmbëdhjetë njerëz janë arrestuar nga operacioni në Greqi, mes të cilëve 13 janë grekë dhe dy janë shqiptarë. Policia greke konfiskoi edhe një sasi të stërmadhe prej 678.5 kilogramësh kanabisi të fshehura në një ishull të vockël pranë Zakinthos.
Si rregull, policia greke nuk i jep emrat e të dyshuarve që arreston.