Presidenti Hashim Thaçi i dërgoi letra prokurorëve të Kosovës duke u bërë thirrje atyre të marrin masa për zgjidhjen e një sërë krimesh kundër shqiptarëve etnikë dhe serbëve gjatë dhe pas luftës në vitin 1999.
Thaçi tha në një konferencë për shtyp të hënën se i kishte dërguar katër letra për krimet e pazgjidhura kundër shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës kreut të prokurorisë së shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe tha se pret që ata të ndërmarrin veprime.
Në letrën e parë, Thaçi tha se i kërkoi prokurorëve të hetojnë krimet e kryera nga forcat serbe në Prekaz, Reçak, Izbicë, Likoshan, Lubeniq, Grashticë, si edhe rastet e tjera të vrasjeve të shqiptarëve etnikë në Kosovë nga serbët.
Në letrën e dytë, ai tha se kërkoi që vrasjet dhe krimet e tjera të kryera pas luftës të hetohen, siç është rasti i vëllezërve Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanët që u vranë në Serbi, përpjekja për vrasjen e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2005, vrasjet e serbëve në Grackë, Gorazhdec dhe për një autobus që u sulmua në afërsi të Podujevës ndërsa udhëtonte për në Nish në Serbi në vitin 2001, kur 12 vetë u vranë dhe më shumë se 40 u lënduan.
Në letrën e tretë, Thaçi bëri thirrje për hetime të përdhunimeve të grave në Kosovë nga forcat serbe.
“Kjo plagë lufte u mbajt në mënyrë të padrejtë e heshtur për shumë kohë dhe falë guximit të viktimave, tani ne kemi fakte për këto krime. Qytetarët e Kosovës, viktimat dhe shoqëria kanë nevojë për drejtësi,” tha Thaçi.
Në letrën e katërt, ai kërkoi hetime për shkatërrimin e monumenteve të kulturës gjatë dhe pas luftës.
“Zgjidhja e këtyre çështjeve kriminale do të forconte besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në institucionet gjyqësore të Kosovës,” tha ai.
Ai shpjegoi se i dërgoi etrat tani sepse institucionev vendore të drejtësisë kanë marrë përsipër ndjekjen penale të krimeve të tilla nga EULEX-i.
“Arsyeja është se nga qershori 2016, pothuajse të gjitha kompetencat ekzekutive janë transferuar nga EULEX-i tek institucionet vendose. Unë jam presidenti i vendit dhe po i drejtohem në mënyrë të drejtpërdrejtë institucioneve,” tha ai.
Lëvizja e Thaçit vjen para themelimit të një gjykate speciale me bazë në Hagë, e cila do të gjykojë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të kryera gjatë dhe pas luftës.