Në një letër të gjatë drejtuar Kuvendit, presidenti Nishani argumenton se ligji i qeverisë ka qasje etatiste, cenon të drejën e studentëve për arsim dhe autonominë e universiteteve.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kthen Kuvendit për rishqyrtim ligjin e shumëdisktuar të Arsimit të Lartë, me argumentin se ai bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.
Dekreti i Presidentit Nishani është shoqëruar me një argumentim të gjatë, ku theksohet se ky ligj i qeverisë Rama nuk përmbush detyrimin e Shqipërisë për ta përafruar legjilacionin në fushën e arsimit me atë të Bashkimit Europian.
Ligji për “Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor…” u miratua më 21 korrik 2015 në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Opozita e cilësoi atë një ligj klientelist dhe braktisi votimin.
Presidenti Nishani zhvilloi konsultime të ndara me një grup akademikësh dhe hartuesish të reformës, para se të arrinte në përfundimin se ligji nuk duhej dekretuar. Në letrën e tij drejtuar Kuvendit, Nishani ka renditur gjashtë arsye, që sipas tij e bëjnë ligjin të papërputhshëm me Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurispudencën detyruese të Gjykatës Kushtetuse.
Ai argumenton se ligji bie ndesh me procesin e Bolonjës dhe ofron qasje etatiste në funksionimin e Arsimit të Lartë.
“Ligji është i bazuar në qasjen etatiste, pra është shteti në qendër, jo universiteti dhe studentët siç edhe duhet të jetë,” argumenton presidenti.
Një tjetër argument i tij, i ngritur me forcë edhe nga studentët në protestat e tyre të gjata është se ligji kushtëzon të drejtën për arsim të lartë, përmes tarifave të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri.
“Ligji ofron paqartësi të plotë në lidhje me numrin e tarifave që duhet të paguhen nga studentët dhe nuk vendos as kritere bazë mbi të cilat duhet të orientohen IAL dhe Këshilli i Ministrave në përcaktimin e tarifave,” thotë Nishani.
Autonomia e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike kanë qenë gjithashtu në vëmendjen e presidentit. Sipas tij, ndryshimi i skemës së financimit prek shtyllën kurrizore të autonomisë së institucioneve universitare në vend. Ai vëren gjithashtu se roli i Agjencisë Kombëtare të Financimit dhe mungesa e kritereve ligjore e cënojnë këtë autonomi.
Bordi i Administrimit, i përcaktuar në ligj është një tjetër institucion i kundërshtuar nga Presidenti.
“Autonomia e universiteteve duket e cënuar nga ndikimi i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të Administrimit,” argumenton ai.
Ligji për Arsimin e Lartë ka hasur në kundërshtinë e një pjese të pedagogëve dhe ka shkaktuar një valë protestash në radhët e studentëve të universiteteve publike. Qeveria është mbrojtur me argumentin se ky ligj do të rikthejë cilësinë dhe konkurrencën në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.