Ngadalë dhe natyrshëm bota duket se ka përballë dy modele qeverisjeje, diplomacinë gjithëpërfshirëse të Merkel dhe konfrontimin e Putin. Ashtu sikurse me figurat e shkuara politike, bota po fillon të mbajë anën e njërit prej tyre, në varësi të interesave dhe bindjeve.
Në kulturën e sotme globale, ku modelet e thjeshta mund të ndihmojnë në kuptimin e gjërave më të ngatërruara, kancerlarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin përfaqësojnë prototipat e kundërt të lidershipit shtetëror. Ashtu si të tjerë para tyre, ikona të tilla shpesh kanë një kontrast – si e bardha me të zezën – që çon në një zgjedhje të prerë mes dy pikëpamjeve të ndryshme për botën.
Kjo ishte veçanërisht e vërtetë në periudha të mëparshme të vështirësive politike dhe ekonomike. Për shembull, pas luftës së parë botërore, me sistemet politike demokratike që po shpërbëheshin, pjesa më e madhe e botës shihte ose të Benito Mussolini në Itali ose te Vladimir Lenini në Rusi për të përcaktuar të ardhmen.
Në vitet 1920, Mussolini bindi shumë vëzhgues të huaj që kishte shpikur mënyrën më të mirë për të organizuar shoqërinë, një shoqëri që tejkalon anarkinë dhe vetëshkatërrimin e trashëguar në liberalizmin tradicional. Nën sundimin e Mussolinit, Italia ishte ende e integruar në ekonominë botërore dhe korporatizmi zyrtar, me theksin te harmonia e supozuar e interesit mes kapitalit dhe punës, dukej për shumëkënd një lajmëtar i një të ardhmeje pa konflikt klasor dhe luftë politike.
Në Gjermani, anëtarët e të djathtës nacionaliste ortodokse, si dhe shumë të tjerë, e admironin Mussolinin, as më pak edhe i riu Adolf Hitler, i cili kërkoi për një foto me autograf pasi Duçe (siç u bë i njohur Mussolini) mori pushtetin në 1922. Në fakt, Hitleri përdori të ashtuquajturin Marshim të Mussolinit në Romë si model për Puçin e Mynihut në 1923, që ai shpresonte se do të ishte një gur kyç për sundimin e Gjermanisë.
Internacionalizmi fashist i Mussolinit frymëzoi imitues kudo në boë, nga Osvald Mosley i Unionit të Fashistëve Britanikë te Garda e Hekurt e Corneliu Zelea Codreanu në Rumani. Edhe në Kinë, kadetët në Akademinë Ushtarake Whampoa u përpoqën të nisnin një lëvizje kineze “bluzat blu”, sipas bluzave të zeza të Mussolinit apo bluzave kafe paraushtarakëve të Hitlerit, Sturmabteilung.
Gjatë kësaj periudhe, kontrasti i Mussolinit ishte Lenini, boshti për të majtën ndërkombëtare. Kudo në botë, majtistët e përcaktonin veten në varësi të masës me të cilën ata adhuronin ose nuk pëlqenin vrazhdësinë e liderit sovjetik. Ashtu si Mussolini, Lenini pretendonte se po ndërtonte – me çdo mjet – një shoqëri pa klasa, ku konflikti politik ishte diçka e së shkuarës.
Liderët e sotëm po përballen me politikën e globalizmit dhe në këtë debat Merkel dhe Putin që janë më pak të ngjashëm në taktikat e tyre sesa ishin Mussolini dhe Lenini – përfaqësojnë dy rrugë përpara: hapjen dhe mbrojtjen, respektivisht. Në Europë, liderët politikë e përkufizojnë veten nga marrëdhënia e tyre me njërin prej tyre. Hungaria dhe Turqia të dyja janë vulnerabël ndaj makinacioneve të gjeopolitikës ruse; por liderët e tyre, kryeministri hungarez Viktor Orban dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan duket se janë përfshirë në shoqërinë ndërkombëtare të admirimit të Putin.
Ndërkohë, Marine Le Pen, liderja e Fronit Kombëtar të të djathtës ekstreme në Francë, që me gjasa do të jetë kandidate në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, e ka krijuar imazhin e vet si e kundërta e Merkel. Për Le Pen, Merkel është një perandoreshë që po përdor Bashkimin Europian për të imponuar vullnetin e saj në pjesën tjetër të Europës dhe veçanërisht mbi fatkeqin president të Francës, Francois Hollande. Po kështu, politika bujare e Gjermanisë me refugjatët nën qeverisjen e Merkel është një pretekst për të importuar “skllevër”.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage, ish-lideri i Partisë së Pavarur Britanisë, mban një pozicion të ngjashëm. Merkeli, sipas tij, është një kërcënim më i madh për paqen në Europë sesa Putin.
Nga ana tjetër, kryeministrja britanike Theresa May duket se po e mbështet Merkelin, të paktën në stilin e saj të negocimit. Fjalimi i saj madhor politik e shpërfilli gjerësisht referendumin Brexit të qershorit, që e solli atë në pushtet dhe premtoi negocim për bashkëvendosje – përfaqësimin e punonjësve në bordet e kompanive – që është një pjesë themelore e kontratës sociale të Gjermanisë.
Putin dhe Merkel janë pika kompasi të ngulitura jo vetëm në Europë. Në Shtetet e Bashkuara, kandidati presidencial republikan Donald Trump – i cili e ka vlerësuar Putinin “me notën 10” [në lidership] e krahasoi së fundmi kundërshtaren e tij Hillary Clinton si “Merkeli i Amerikës” dhe nisi një hashtag në Tëitter që e barazonte Merkelin me Clintonin. Ashtu si Le Pen dhe UKIP, Trump është përpjekur ta vërë politikën e imigracionit të Merkel në qendër të debatit politik.
Një interpretim afërmendsh i ndarjes Merkel-Putin është se përfaqëson edhe prototipat gjinor: Merkel favorizon diplomacinë “femërore”dhe gjithëpërfshirjen, ndërsa Putin favorizon konkurrimin “mashkullor” dhe përballjen. Një tjetër interpretim është se Putin përfaqëson nostalgjinë – një mall për të shkuarën e idealizuar – ndërsa Merkel i ka sytë nga shpresa: me një besim që bota mund të përmirësohet përmes menaxhimit efektiv politik.
Pozicioni i Putin është i dukshëm në përpjekjen e tij për të unifikuar Euroazinë përreth konservatizmit social, autoritarizmit politik dhe fesë ortodokse si një krah formal i shtetit. Pozicioni i tij është një version pak i përditësuar i recetës politike të teoricienti dhe këshilltarit carist të shekullit 19, Konstantin Pobedonostsev: ortodoksi, autokraci dhe kombësi.
Merkel u shfaq si kontrasti i Putin dhe si një ikonë globale, në mënyrë aksidentale gjatë krizës së borxhit në eurozonë, ku ajo u pa si një mbrojtëse nacionaliste e interesave ekonomike gjermane dhe sërish në verën e vitit 2015 kur i doli kundër kritikave ndaj politikave të saj të imigracionit duke argumentuar se Gjermania është “një vend i fuqishëm” që “do t’ia dalë”.
Sigurisht, kjo Merkel “e re” ka qenë gjithnjë aty. Në vitin 2009, ajo haptazi qortoi ish-Papën Benedict që nuk ofroi “sqarim të mjaftueshëm” rreth vendimit të tij për të shfuqizuar përjashtimin e një peshkopi që refuzonte Holokaustin; dhe në vitin 2007, ajo këmbënguli të priste Dalai Lamën, pavarësisht kundërshtimeve të zyrtarëve kinezë.
Merkel dhe Putin janë shfaqur si ikona politike pikërisht kur globalizmi arriti një udhëkryq. Ndërsa Trump, që mbështet Putin, kërkon një alternativë ndaj globalizmit, Merkel do ta shpëtojë atë me lidership të fortë, menaxhim të aftë dhe një zotim ndaj vlerave universale dhe të drejtave të njeriut.
Ikonat globale të vitit 1920 frymëzuan thirrje për ndryshim të dhunshëm politik. Sot, kjo lloj gjuhe mbahet larg. Por zgjedhja mes integrimit gjithpërfshirës dhe shpërbërjes përjashtuese mbetet e jona.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Leadership Icons of a Globalized World