Pas kërkesave të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qeveria e kryeministrit Edi Rama miratoi sot krijimin e strukturës së posaçme hetimore, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë ky ligj në projektin e Reformës në Drejtësi.
Kryeministri Edi Rama u tërhoq nga argumenti i tij i mëparshëm për Byronë Kombëtare të Hetimit duke vendosur miratimin e saj në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe dërgimin e projektligjit për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministri nuk bëri të ditur arsyet se pse ndryshoi mendje, ndërsa me një koment në Facebook sugjeroi se opozita, e cila pati kritikuar Ramën për pengimin e projektligjit, në fakt kishte gënjyer.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim e përshëndeti miratimin si një zgjidhje të “shqetësimit të ngritur me forcë nga opozita” ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili foli pak minuta pas lajmit të miratimit, sugjeroi se partia e tij do të qe e gatshme ta votonte projektligjin në rast se varianti i qeverisë është “sipas rekomandimit të Venecias”.
Byroja Kombëtare e Hetimit qe pjesë e një ligji të miratuar nga maxhoranca aktuale në vitin 2014, ku sanksionohej ndërtimi i një strukture policore me autoritet në të gjithë territorin e vendit dhe me funksione jo shumë të detajuara, por që sipas ligjit kishin të bënin me “veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të”.
Një grup deputetësh nga opozita kërkuan nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e asaj pjese të ligjit ku sanksionohej ngritja e kësaj strukture, me argumentimin se ndërtimi i saj shkelte kompetencat e prokurorisë dhe se krijonte një strukturë që efektivisht mund të kthehej në një lloj prokurorie nën varësinë e drejtpërdrejtë të qeverisë. Gjykata Kushtetuese e pranoi këtë argumentim dhe e rrëzoi këtë pjesë të projektligjit në vitin 2015.
Konsulentë të huaj e rishikuan propozimin për ta bërë atë të përputhshëm me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas draftit të miratuar në qeveri, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit tani do të duhet të zgjidhet me mirëkuptimin e Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm ndërsa veprimtaria procedurale penale e kësaj strukture do të kontrollohet gjithashtu nga prokuroria, siç veprohet aktualisht me Oficerët e Policisë Gjyqësore. Në variantin fillestar të ligjit, drejtori i BKH emërohej nga Ministri i Brendshëm.
Drafti përcakton në mënyrë më të detajuar fushën e veprimtarisë së BKH se sa qe në ligjin e mëparshëm. Nëse do të bëhet realitet, Byroja do të ketë për detyrë të hetojë vetëm veprat penale të parashikuara në nenet 245/1, 248, 256, 257/a, 258, 287, 294, 295/a dhe 328 të Kodit Penal, që të gjitha të lidhura me korrupsionin e zyrtarëve, si dhe me nxjerrjen e sekretit shtetëror, apo ofrimin e vendeve të punës në këmbim të votave në zgjedhje.
Sipas kryeministrit Edi Rama, qeveria e tij kishte hequr dorë nga ky propozim që u reklamua shumë në vitin 2014, për shkak se reforma e propozuar në drejtësi pritet të zgjidhë këto probleme.
Në fakt, reforma në drejtësi pritet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore funksionimin e Prokurorisë nga institucion i centralizuar siç është aktualisht në institucion të decentralizuar duket se e bën Byronë e hetimit një komplikim të ri në këtë reformë.