Buldozerët e IKMT të shoqëruar nga dhjetëra forca policore speciale shembën pesë shtëpi të thjeshta të banuara nga familje të varfra rome pa treguar kurrfarë dokumenti për urdhër shembjeje duke i lënë banorët nën qiell të hapur.
Pavarësisht protestës së banorëve dhe pa treguar ndonjë urdhër me shkrim, punonjësit dhe mjetet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, të mbështetur nga forcat e policisë, shembën sot (18 shkurt) disa banesa familjesh të varfra për t’i hapur rrugë ndërtimit të një segmenti të Unazës së re të Tiranës, pavarësisht se familjet e dëmtuara nuk janë dëmshpërblyer.
Policia nxorri me dhunë nga shtëpitë familjet para se buldozerët t’i shkatërronin.
Banorët e zonës qenë përfshirë në një procedurë të stërzgjatur të fitimit të pronësisë mbi banesat e tyre. Ata ndërtuan shtëpitë e tyre me mundim pjesë-pjesë përgjatë 25 viteve të fundit dhe arritën të stabilizojnë disi jetët e tyre të varfra, por mundi 25 vjeçar po u shkon dëm, për shkak se qeveria nuk ka njohur pronësi të tyre mbi truallin dhe nuk i ka pranuar banesat e tyre si të vlefshme për kompensim, siç vepron zakonisht në rastet kur ndërtimi i rrugëve kërkon shembjen e shtëpive të ndërtuara me leje apo që janë në proces legalizimi.
Ata i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës në respektim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 608 datë 05.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, t’i kalojë pronësinë e shtëpive dhe truallit ku kanë jetuar që nga vitet 1990.
Në një shkresë të 18 qershorit 2015, kryetari i atëhershëm i Bashkisë, Lulzim Basha i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor, z. Dashamir Xhika të bëjë të mundur shpronësimin e plotë dhe me vlerën e tregut të banorëve që preken nga Unaza e Madhe e Tiranës.
Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, Bashkia e Tiranës drejtuar tashmë nga Erion Veliaj, si autoritet vendor u është përgjigjur kërkesës së banorëve se harta e Arkivit Qendror Teknik deri në vitin 1990 nuk e vërteton ekzistencën e pronësisë së tyre.
Pas një përballjeje mes policisë dhe familjeve gjatë ditëve të fundit, IKMT ndërhyri duke i shembur banesat. IKMT njoftoi gjithashtu se një fëmije i pati rënë të fikët dhe qe transportuar për në spital me mjetet e inspektoriatit pasi shërbimi i ndihmës mjekësore të shpejtë nuk mbërriti në kohë në vendngjarje pavarësisht se qe njoftuar nga policia.
Qeveria shqiptare është kritikuar në vazhdimësi nga organizatat vendëse të të drejtave të njeriut dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar prej saj të krijojë kushte normale strehimi për komunitetet e prekura nga shembjet dhe jo thjeshtë t’i hedhë ato në rrugë.