Mijëra refugjatë janë bllokuar në Greqinë e veriut në kufi me Maqedoninë ku të hënën, dhjetëra prej tyre arritën të rrëzojnë telin me gjemba të ngritur nga Maqedonia duke u përleshur me forcat speciale policore.
Një grup refugjatësh arritën të rrëzojnë sot një pjesë të gardhit me tela me gjemba të ndërtuar nga Maqedonia përgjatë kufirit të saj me Greqinë pasi u përleshën për disa orë me policinë maqedonase. BBC raporton se aktualisht rreth 7 mijë refugjatë janë grumbulluar në anën greke të kufirit pasi Europa ka ngritur barriera të njëpasnjëshme për t’i ndaluar.
Mëngjesin e sotëm, një grup refugjatësh përdorën mjete rrethanore për të sulmuar gardhin me tela me gjemba dhe efektivisht ia dolën të shkatërrojnë një pjesë të tij pasi u përleshën me policinë.
Policia maqedonase arriti ta kontrollojë grupin e protestuesve dhe filloi menjëherë nga puna për ta rindërtuar pjesën e gardhit të shembur. Nuk është e qartë se sa prej migrantëve arritën të kalojnë në Maqedoni përmes gardhit të çarë.
Aktualisht, gardhet me tela me gjemba janë ngritur mes disa shteteve, përfshirë kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë, atë mes Greqisë dhe Maqedonisë, kufirin mes Serbisë e Hungarisë si dhe në kufirin mes Kroacisë e Sllovenisë. Telat me gjemba nuk mbulojnë të tërë vijën kufitare mes këtyre vendeve, por vetëm ato pjesë që janë lehtësisht të kalueshme. Pjesët e tjera të kufirit janë përgjithësisht lumenj ose male të lartë, kalimi përmes të cilëve është i vështirë, i lodhshëm dhe i rrezikshëm.