Lajm7 Oct 2015

Romët te liqeni akuzojnë policinë për kërcënime

Bashkia e Tiranës kritikohet për planin për shpërnguljen e romëve në kampin me baraka te liqeni si dhe për përdorimin e gjuhës që nxit urrejtjen dhe stereotipet, ndërsa romët jetojnë me frikën e dhunës policore.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Anëtarë të komunitetit rom dhe aktivistë të të drejtave të njeriut mblidhen rreth të deleguarit të Bashkisë së Tiranës teksa diskutojnë për paraqitjen e policisë bashkiake në banesat e tyre. 7 tetor 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Anëtarë të komunitetit rom dhe aktivistë të të drejtave të njeriut mblidhen rreth të deleguarit të Bashkisë së Tiranës teksa diskutojnë për paraqitjen e policisë bashkiake në banesat e tyre. 7 tetor 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Komuniteti rom në kampin me baraka pranë Liqenit Artificial të Tiranës lajmëroi të mërkurën në mesditë se efektivë të policisë bashkiake dhe të policisë së rendit i kishin kërcënuar duke i kërkuar të shpërnguleshin vetë brenda pasdites së të enjtes ose do të përballeshin me dhunë.

Romët reaguan duke njoftuar disa aktivistë të të drejtave të njeriut si dhe Avokatin e Popullit dhe pas kësaj policët u larguan.

“Ishin dy makina dhe një furgon, na thanë të ikim ose do të na përzënë me dhunë,” tha Esati, një nga romët që jeton në kamp. Ai dhe të tjerë thanë për BIRN se nuk kanë ndër mend të largohen dhe se ishin të gatshëm të përballeshin me policinë.

“Policia nuk mund të na bëjë këtë lloj presioni dhe të ushtrojë dhunë mbi ne pa na ofruar më parë një zgjidhje të pranueshme. Ata na shpërngulën me dhunë nga Pallati me Shigjeta dhe nga Selita, tani po kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë, por ne nuk lëvizim që këtu”, tha një grua nga komuniteti, duke refuzuar të japë emrin, si shumica e romëve të frikësuar të kampit.

Më pas Elton Kacidhja, përfaqësues i Bashkisë komunikoi me familjet rome dhe u tha atyre se nuk do të ketë shpërngulje me dhunë. Sipas tij, aksioni i sotëm qe një incident.

“Deri të premten Bashkia e Tiranës do të prezantojë një plan të shkruar për mundësitë e këtyre familjeve,” tha Kacidhja.

Bashkia e Tiranës u vu nën kritika nga Avokati i Popullit, si dhe disa organizata të shoqërisë civile, të cilat i konsideruan veprimet e deritanishme të bashkisë si të nxituara dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

“Zhvendosja aktuale e komunitetit rom/egjiptian po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi midis Bashkisë Tiranë dhe komunitetit të prekur, lidhur me përcaktimin e zgjidhjeve. Ne besojmë se në këto kushte mungon informacioni i plotë mbi çfarë i pret këta qytetarë dhe kjo situatë rrezikon të rëndojnë më tej gjendjen e tyre të vështirë, duke krijuar një tjetër problem edhe më të mprehtë social,” thuhet në një deklaratë të përbashkët të shoqatave dhe Avokatit të Popullit.

Sipas deklaratës, Bashkia e Tiranës ka vepruar deri tani “në mënyrë informale”, pasi mungon një vendimmarrje mbi këtë çështje ose kjo vendimmarrje nuk është bërë publike. Deklarata vijon më tej duke thënë se veprimet e bashkisë kanë “nxitur gjuhën e urrejtjes ndaj këtij komuniteti, gjuhë kjo e pasuar edhe nga disa media që kanë pasqyruar problematikën e këtij komuniteti ditët e fundit”.

Bashkia e Tiranës deklaroi më 2 tetor se kishte në plan të kthente romët në qytetet nga kanë ardhur duke i ofruar “transport falas”. Deklarata e publikuar në faqen zyrtare të bashkisë u kritikua si “diskriminim i institucionalizuar” ndaj romëve.

“Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen se kjo situatë po përcillet, si nga ana e Bashkisë Tiranë, ashtu edhe nga disa media, me një gjuhë e cila krijon premisë për nxitjen e urrejtjes dhe përforcon stereotipe krejtësisht të dëmshme për një shoqëri demokratike, ose të cilat ushqejnë qëndrime diskriminuese kundrejt këtij komuniteti”, thuhet në deklaratën e shoqatave.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i dërgoi një letër shoqatave dhe përfaqësive diplomatike ku kritikon administratën e mëparshme të bashkisë dhe shoqërinë civile, ndërsa hodhi poshtë kritikat si jondihmuese.

“Më lejoni të shtoj miqësisht, se kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ne që të pyesim “Si mund të ndihmoj?” në vend të “Si të kritikoj”! I kuptoj dinamikat e aktorëve të përfshirë, por më lejoni t’ju kujtoj se ky komunitet ka jetuar në kushte të tmerrshme për vite me radhë, i ndihmuar fare pak nga të gjithë ata që kanë investiguar me shpejtësi dhe që kërkojnë të sulmojnë përpjekjet e gjithkujt që vihet në lëvizje për të zgjidhur një problem që të tjerët mundohen ta shmangin,” thotë Veliaj në letër.

Bashkia ndërkohë pranoi të ulet në diskutim me banorët dhe premtoi se do të diskutojë me ta për opsionet e mundshme.

Sipas planit që pritet të propozojë bashkia do të ofrohen tre mundësi për familjet rome. Së pari disa familje do të strehohen në qendrën tranzicionale të strehimit në Tufinë, ku ka 15 banesa të lira. Së dyti Bashkia e Elbasanit dhe ajo e Beratit do të ofrojnë fonde për rikonstruktimin e banesave për romët që kanë shtëpi atje. Së treti, sipas të deleguarit nga Bashkia e Tiranës,  bashkia pritet të mbulojë rreth 90 për qind të qirasë dhe do të ndërmjetësojë me pronarët e shtëpive për mosdiskriminimin e këtij komuniteti në lidhje me qiramarrjen.

Aktivistë të të drejtave të njeriut thanë për BIRN se mbeten skeptikë për realizimin e planit nëse ai përqendrohet vetëm te strehimit. Sipas tyre, duhet të pezullohet shpërngulja e familjeve rome derisa të hartohet një plan për strehimin i cili do të konsultohet dhe të miratohet nga komuniteti rom, por gjithashtu duhet edhe që bashkia të ofrojë një alternativë për sigurimin e të ardhurave.

Përmes një deklarate për shtyp Avokati i Popullit dhe Shoqëria Civile i ka quajtur veprimet e deritanishme të Bashkisë së Tiranës për dëbimin e komunitetit rom si “në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të trajtimit të rasteve të dëbimit me forcë”.

“Veprimet e deritanishme [të Bashkisë] janë kryer në mungesë të një akti zyrtar, pa një studim dhe planifikim paraprak për gjendjen e familjeve rome në këtë zonë dhe alternativave që mund t’u ofrohen atyre për një jetesë normale pas zhvendosjes nga kjo zonë”, thuhej në deklaratën e Avokatit të Popullit dhe Shoqërisë Civile.