Sajmir Alimehmeti, 22 vjeç kishte tentuar të udhëtonte dy herë nga SHBA drejt Lindjes së Mesme përmes Britanisë, por ishte ndaluar. Ai u arrestua nga një agjent i infiltruar, gjatë tentativës së tretë për t’iu bashkuar ISIS.
Një 22 vjeçar shqiptar me banim në Bronks të Nju Jorkut u arrestua nga një skuadër antiterrori e Byrosë Federale të Hetimit, FBI të martën, i akuzuar si simpatizant i Shtetit Islamik. Sipas Associated Press, i arrestuari është Sajmir Alimehmeti, i cili përshkruhet në dokumentet e gjykatës së distriktit të Manhatanit si “një mbështetës përsëritës” i ISIS prej vitit 2014.
Sipas autoriteteve amerikane, të cituara nga Associated Press, Alimehmeti u përpoq të kërkonte ndihmë për të udhëtuar nga Nju Jorku drejt Sirisë për të luftuar për Shtetin Islamik. Ai kishte tentuar dy herë të tjera të udhëtonte në drejtim të Sirisë, por nuk ia kishte dalë.
Mediat amerikane raportojnë se FBI kishte informacione të mëparshme për Sajmir Alimehmetin dhe përpjekjet e tij për t’iu bashkuar Shtetit Islamik. Vitin e kaluar, ai ishte ndaluar dy herë në Britaninë e Madhe, prej nga mendohej se do të udhëtonte drejt Lindjes së Mesme për t’iu bashkuar ISIS.
Sipas tyre, Alimehmeti ishte ndaluar në Mançester dhe në aeroportin më të madh të Londrës, Heathrow dhe pasi i ishin gjetur në çantë rroba kamuflazhi dhe një pajisje që përdoret për artet marciale, ishte kthyer mbrapsht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Arrestimi i Alimehmetit, i cili njihej edhe me emrin “Abdul Qawii” u realizua pas infiltrimit të një agjenti të FBI-së në apartamentin e tij në Bronks të Nju Jorkut. Sipas një mediaje me bazë në Nju Jork, ABC7 NY, agjenti i infiltruar e kishte parë atë duke luajtur video të ISIS, për të cilat Alimehmeti thoshte se e “mbanin të motivuar ndërsa stërvitej”.
Para se të arrestohej, Alimehmeti i tha agjentit të FBI se kishte kursyer 2500 dollarë për udhëtimin e tij, por i nevojitej një pasaportë me një emër tjetër, pasi emri i tij gjendej në sistem. Sajmir Alimehmeti kishte thënë gjithashtu se së bashku me të vëllanë kishin planifikuar të udhëtonin nga Shqipëria në Raka, Siri, por i vëllai kishte përfunduar në pranga në vitin 2015.
Vëllai i Sajmirit, Erald Alimehmeti është arrestuar në Tiranë më 12 gusht 2015, sipas një njoftimi të policisë shqiptare. Ai u ndalua së bashku me dy vëllezër, pasi në çantën e shpinës iu gjetën 1 pistoletë, 2 fishekë dhe 4800 dollarë.
Në Nju Jork, Sajmir Alimehmeti akuzohet për mbështetje të Shtetit Islamik dhe deklarime të rreme në aplikimin e tij për të marrë pasaportën amerikane. Ai do të përballet me një gjykatë federale në Manhatan për akuzat.