Mijëra studentë nënshkruan një peticion që i kërkon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të përfshijë në programe mësimore gjuhën e huaj dhe mbrojtjen e saj brenda tarifave aktuale të shkollimit, të cilat studentët i konsiderojnë si zhvatëse.
Aktivistë të lëvizjes studentore Për Universitetin dorëzuan të mërkurën pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit një peticion me rreth 8 mijë firma kundër rregullave aktuale të ministrisë për certifikimin e gjuhës së huaj, kusht për ciklin e dytë të arsimit të lartë.
Firmëtarët ishin kryesisht studentë të universiteteve të Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit.
Studentët e denoncuan urdhrin e Ministrisë si një vendim që zhvat xhepat e tyre dhe kërkuan që certifikimi i gjuhës së huaj të bëhet nga institucione publike, brenda programit studimor dhe të jetë falas.
Udhëzimi i ri i 3 dhjetorit 2015 nga ministrja Lindita Nikolla, shfuqizon vendimin e vjetër që i linte kohë studentëve të jepnin provimin e gjuhës së huaj gjatë studimeve master, duke e kthyer atë në parakusht të vazhdimit të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve.
Udhëzimi “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë”, kërkon mbrojtjen e një prej pesë gjuhëve të huaja si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja dhe spanjishtja.
“Shkolla duhet t’ua mundësojë studentëve mësimin e gjuhës së huaj brenda programit mësimor dhe të na certifikojë brenda tarifave që paguajmë aktualisht për arsimimin” tha për BIRN, Jonis Metaj, aktivist i Lëvizjes Për Universitetin.
“Personalisht jam detyruar të braktis shkollimin për një vit në mënyrë që të punoj për të paguar tarifat e larta të shkollimit dhe provimin e gjuhës së huaj”, shtoi ai.
Sipas udhëzimit të ministrisë kandidati për pranim në nivelin master duhet të ketë njohuri të nivelit B1 ose C1 sipas kërkesave të universitetit, ndërsa subjektet e certifikimit të studentëve duhet të përmbushin rregullat dhe të lidhin një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit.
Viktori Çipi, studente në master në Tiranë pranon se mbrojtja e gjuhës së huaj është një domosdoshmëri, por procedurat duhen rregulluar.
“Kushti i certifikimit të gjuhës së huaj ka zënë ngushtë studentët, të cilëve u duhet të përballen me tarifat e shtrenjta të arsimit të lartë, të mbrojnë diplomën dhe të frekuentojnë edhe kurset private” tha Çipi për BIRN.
“Ka studentë që nuk mund të paguajnë tarifën e arsimit bachelor, e jo më të përballojnë mbrojtjen e gjuhës së huaj në institucione private. Vetë arsimi master është bërë i papërballueshëm dhe po penalizon shumë studentë nga vazhdimi i shkollimit”, shtoi ajo.
“Duke fuqizuar institucionet private, ministria po zhvlerëson fakultetin e gjuhëve të huaja. Ne kërkojmë që gjuha e huaj të ofrohet në ciklin e parë të studimeve të larta dhe të na ofrohet falas për të gjithë,” përfundoi Çipi.
Aktivistët studentorë kanë paralajmëruar protesta në rast se ministria nuk merr parasysh firmat e tyre kundër udhëzimit aktual dhe kërkesat për delegimin e mbrojtjes së gjuhës në institucione publike dhe falas.