Studentët e grupuar nën ombrellën e Lëvizjes për Universitetin kanë lajmëruar nëpërmjet rrjeteve sociale se do të kundërshtojnë me protestë rivotimin në parlament të ligjit të arsimit të lartë.
Projektligji pritet të votohet përsëri në parlament javës që vjen, një muaj pasi u hodh poshtë nga Presidenti Bujar Nishani si antikushtetues.
“Kjo reformë, e kundërshtuar masivisht nga studentë dhe pedagogë, intelektualë dhe figura publike, prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile, është rrjepës për studentët, tregtarizuese për universitetin dhe klienteliste për interesin publik,” tha nëpërmjet një njoftimi Lëvizja për Universitetin.
“Kjo reformë antikushtetuese është refuzuar nga të gjithë, përveç zonjave dhe zotërinjve brenda parlamentit, të cilët, të nënshtruar prej interesave private të pushtetit partiak, shkelin mbi kushtetutën dhe shoqërinë,” shtoi ajo.
Lëvizja i bën thirrje studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve t’i bashkohen protestës që do të mbahet parapara parlamentit ditën e enjte në orën 10:00.
Lëvizja për Universitetin, një grupim studentor i ekstremit të majtë, ka qenë në ballë të protestave kundër ligjit të Arsimit të Lartë.
Ligji për “Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor…” u miratua më 21 korrik 2015 në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Opozita e cilësoi atë një ligj klientelist dhe braktisi votimin.
Ligji i ri hap mundësinë që universitetet private të deklarojnë veten universtete publike dhe si të tillë, të përfitojnë financime shtetërore të cilat do të mund t’i ndahen atyre nga buxheti i shtetit në forma të ndryshme, si psh, fonde për kërkim shkencor.
Shumë profesorë nga universitetet publike e kritikuan ligjin si një hap prapa për autonominë universitare duke thënë se ai në praktikë rrit mundësinë e ndërhyrjes së shtetit në jetën akademike.
Në 14 gusht presidenti Nishani e ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend duke e cilësuar se ka qasje etatiste, cenon të drejtën e studentëve për arsim dhe autonominë e universiteteve.
“Ligji është i bazuar në qasjen etatiste, pra është shteti në qendër, jo universiteti dhe studentët siç edhe duhet të jetë,” argumenton presidenti.