Reportazh3 Sep 2014

Të pasurit e rinj i japin jetë fshatit malor shqiptar

Turistë dhe pronarë të shtëpive të dyta kanë zbuluar fshatin piktoresk të Dardhës – duke i dhënë banorëve më së shumti të moshuarvendas mundësi të reja për punë

Autor: Ola Mitre BIRN Tirana
Printo

Luljeta Neçka | Foto nga Ola Mitre

Luljeta Neçka | Foto nga Ola Mitre

Nëntëmbëdhetë vjetë pasi Luljeta Neçka humbi vendin e saj të punës si agronome në kooperativën e kohës komuniste në fshatin e saj Dardhë, ajo pati humbur shpresën se do të gjente një vend të ri pune – përveç detyrave të saj të përditshme si shtëpiake.

Gjithsesi, në vitin 2009 mundësia erdhi në kuptimin e drejtpërdrejtë duke i trokitur në derë. Një biznesmen sapo pati blerë një shtëpi në fshat dhe ai kishte nevojë për dikë që të përkujdesej kur ai qe larg.

“Përgjatë pesë viteve të fundit kam shkuar në shtëpinë e tij çdo të premte, duke fshirë, e pastruar për ta mbajtur shtëpinë në rregull,” thotë 66 vjeçarja ndërsa mban një tenxhere në dorë.

“Patën kaluar shumë vite që nga koha kur pata marrë rrogë… kështu që ne kishim fat që njerëzit e duan Dardhën dhe që gjithnjë e më shumë njerëz po blejnë shtëpi këtu,” shton ajo.

Rreth gjysmë ore me makinë larg qytetit juglindor të Korçës dhe rreth 1300 metra mbi nivelin e detit, Dardha u themelua në shekullin e 18-të nga kristianë që qenë arratisur për t’i shpëtuar përndjekjes nga zyrtarët osmanë.

Fshati shënoi kulmin në fillim të shekullit të 20, kur kishte gati 400 shtëpi dhe një popullsi prej 1 mijë banorësh.

Disa shkrimtarë të famshëm, piktorë dhe politikanë, përfshirë kryeministrin aktual shqiptar Edi Rama, e gjurmojnë origjinën e tyre në Dardhë, e cila i ka dhënë besueshmëri reputacionit si fshat i kulturuar.

I famshëm për rrugët e veta të gjera me kalldrëm dhe çezmeve të gdhendura të ujit, me vila dykatëshe prej guri me dritare të vogla dhe kopshte me trëndafilë, fshati ra në mungesë riparimesh gjatë kohës komuniste kur shumë nga banorët vendas lëvizën drejt qytezave dhe qyteteve.

Kryeplaku i fshatit, Urim Seferi, shpjegon se gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, më 2013, vetëm 40 njerëz qenë regjistruar si votues në Dardhë, shumica dërrmuese e të cilëve janë pensionistë.

“Vetëm një e katërta e popullatës këtu përbëhet nga të rinj, por ata nuk qëndrojnë në fshat,” thotë ai.

Kryeplaku i Dardhës, Urim Seferi | Foto nga : Ola Mitre

Kryeplaku i Dardhës, Urim Seferi | Foto nga : Ola Mitre

Gjithsesi, në dekadën e fundit, disa prej tyre janë kthyer dhe fshati po përjeton një dallgë të vogël blerjeje pronash.

Seferi thotë se më shumë se 50 shtëpi janë shitur gjatë viteve të fundit te të pasurit e rinj të Shqipërisë për shtëpi pushimi dhe këta pronarë kanë krijuar një treg pune nga zeroja.

Sipas Seferit, një shtëpi që një dekadë më parë mund të shitej për 15 mijë euro tashmë vlen së paku tri herë më shumë.

Seferi thotë se ka rreth 110 shtëpi në Dardhë, pa llogaritur rrënojat, por vetëm 12 familje jetojnë aty përgjatë të gjithë vitit ndërsa të tjerët vijnë e ikin.

“Ata janë si dallëndyshet; të gjithë ikin në dimër dhe kthehen në verë,” thekson ai.

Niko Balli, kreu i organizatës së agroturizmit për rajonin e Korçës, thotë se Dardha u bë një destinacion turistik në vitin 1937, kur motrat e Mbretit Zog, ish-monarku i Shqipërisë, vizituan zonën dhe lavdëruan bukurinë dhe klimën e saj.

Që nga ajo kohë shifrat e turistëve janë rritur dhe më 2013 më shumë se 30 mijë vetë vizituan Dardhën. “Më 2014 presim të arrijmë në 35 mijë,” tha Balli.

Balli shpjegon se ndonëse shumica e turistëve në Dardhë janë shqiptarë, aty kanë ardhur edhe vizitorë nga Gjermania, Italia e madje edhe nga Izraeli.

“Fshati aktualisht po ndërton një muze, i cili do të rrëfejë historinë e vet të pasur dhe do të sjellë shumë artefakte nën të njëjtën çati,” tha Balli.

I ngucur në një luginë në Malin Morava, Dardha është e famshme për bukuritë natyrore si “Gurin e Vjeshtës”, “Korien e Shën Pjetrit”, si dhe për pistat e skive.

Fshati është i njohur edhe për traditën kulturore, kostumet e pasura tradicionale, këngët dhe serenatat.

Çdo vit në ditën e Shën Marisë më 15 gusht, gratë vishen me kostumin tradicional “Xibuni”, ndërsa festojnë me valle tradicionale. Kur vallja mbaron, ato i rikthehen punës.

Sofika, e cila duket e mbajtur në të shtatëdhjetat, por shfryn për të treguar moshën, nuk është tradicionaliste. Ajo ka veshur një palë atlete dhe e njeh fshatin e saj në çdo pëllëmbë. Ajo shpesh shërben si udhërrëfyese për turistët.

Sofika Keko | Foto nga Ola Mitre

Sofika Keko | Foto nga Ola Mitre

Gjatë regjimit komunist ajo punonte në një fabrikë llullash në Tiranë por vendosi të kthehej në fshatin e lindjes pasi doli në pension.

“Gjatë dimrit, [kur dëbora mbulon fshatin] ne jemi si të burgosur pa gardianë, kështu që unë vendosa të pranoj punën,” thotë ajo.

Familja për të cilën punon, shpjegon Sofika, ka një shtëpi shumë të bukur, të dekoruar me mobilje të rënda druri, qilima dhe antikuariate.

“Me shumë shije por nuk ishin shumë dorëlëshuar,” shpjegon ajo. “Gjithsesi, nuk është se kam çfarë të bëj tjetër me të gjithë kohën në fshat – pa përmendur pensionin e vogël prej vetëm 13 mijë lekëve (rreth 90 euro)”, shton Sofika.

Sofika dhe Luljeta nuk janë të vetmet. Gra të tjera në fshat kanë gjetur ndonjë mënyrë punësimi për shkak se gjithnjë e më shumë njerëz po blejnë shtëpi verimi në Dardhë dhe numri i turistëve po rritet në mënyrë të vazhdueshme.

“Gratë pensioniste në fshat do të jenë gjithmonë të lumtura të pranojnë një punë,” thotë Sofika. “Sa më shumë pasanikë të vijnë, aq më mirë është.”