Një grup aktivistësh të Organizatës Politike u shprehën kundër reformave të dhimbshme në Greqi dhe argumentuan se refuzimi grek duhet të frymëzojë shqiptarët.
Një ditë përpara se Greqia të shkojë në referendum për të vendosur nëse do të pranojë ose jo masat shtrënguese të kreditorëve të saj, një grup të rinjsh nga Organizata Politike, një lëvizje radikale e majtë në Shqipëri u mblodh për të diskutuar mbi krizën politike të shtetit fqinj, ndërhyrjen e BE-së dhe ndikimin në vendin tonë.
Në ambientet e Logut të Shkëndijës, qendra sociale e të rinjve, u shfaqën dokumentarë për gjendjen ekonomike të Greqisë, fjalimi i kryeministrit grek Alexis Tsipras dhe qëndrimi i anëtarëve të organizatës.
Të vendosur për një “JO” ndaj masave shtrënguese të kreditorëve të Greqisë, aktivistët e Organizatës Politike e deklaruan Greqinë një viktimë eksperimentale të Europës dhe të vetë keq-qeverisjes së mëparshme.
“Familja europiane duhet të funksionojë si një familje e vërtetë, e cila kur ka një anëtar në vështirësi duhet ta ndihmojë. Vetë Greqia po sfidon Bashkimin Europian me idenë dhe përgjegjësinë që supozohet që përfaqëson,” argumentoi Kledi Haxhillari, aktivist i Organizatës Politike.
“Greqia duhet të vërtetojë statusin dhe votën e barabartë në BE,” shtoi ai.
Për të rinjtë e majtë në Shqipëri, rasti i Greqisë është më tepër një përballje ideologjike mes të majtëve dhe të djathtëve në Europë.
“Greqia përfaqëson një kërcënim për të djathtët europianë për shkak se të majtët janë ngritur në Greqi dhe mund të fuqizohen edhe në Spanjë, nëse shembulli grek funksion,” tha Deni Sanxhaku, aktiviste e Organizatës Politike.
Në rastin e thellimit të krizës greke, të rinjtë e të majtës radikale argumentuan se kjo do të hidhte mbi shpatullat e BE-së një përgjegjësi historike për braktisjen e një shteti ndaj të cilit duhej të tregohej solidare.
“Përkeqësimi i situatës në Greqi do ta prekë Shqipërinë për shkak se kriza ekonomike do të detyrojë kthimin e emigrantëve tanë në atdhe,” tha për BIRN, Redi Muçi, aktivist i OP.
“Ne nuk jemi të përgatitur për t’i siguruar vende pune emigrantëve që do të kthehen dhe për më tepër nëse Greqia voton “Po” gjasat janë që pushtetin ta marrë Agimi i Artë, i cili ndjek politika kundër emigrantëve dhe që do të sillte po ashtu kthimin e tyre në Shqipëri,” shtoi ai.
Për Organizatën Politike një votë “Jo” në referendumin grek është një shembull i forcës dhe guximit që do të ndikojë edhe në Shqipëri.
“Jo-ja greke ka rëndësi në kontekstin politik shqiptar, pasi është shembull për refuzim të reformave të dhimbshme dhe modelit ekonomik neoliberal që po kryhet nga qeveria Rama në Shqipëri në fusha si arsimi i lartë, ekonomia në përgjithësi dhe në pensione,” tha për BIRN Klodi Leka, aktivist i Organizatës Politike.
“Kjo ‘Jo’ tregon se një rrugë tjetër është e mundshme për ne,” shtoi ai.
Rasti i Greqisë përfaqëson një situatë plot të papritura për politikën europiane, jehona e së cilës pritet të ketë pasoja afatgjata për BE-në ku synon të aderojë dhe Shqipëria. Referendumi në Greqi po mbahet këtë të dielë.