Qindra tregtarë ambulantë sigurojnë me vështirësi paratë e mbijetesës nga shitja e produkteve bujqësore në Tiranë, nën frikën e aksioneve të vazhdueshme të policisë bashkiake.
Çdo mëngjes, Nurija udhëton për 15 kilometra nga ura e Beshirit drejt qendrës së Tiranës për të shitur prodhimet e tokës së saj; ca kilogramë presh, limonë, lakër dhe brokoli. 60-vjeçarja i ekspozon ato mbi dy arka të vjetra në një nga tunelet e pallateve në rrugën “Abdyl Frashëri”, ndërsa e kalon ditën mes klientëve të paktë dhe frikës se mos shfaqet policia.
Cepi i fshehtë i pallatit është për gruan e moshuar i vetmi vend që i lejon të ushqejë familjen dhe të kujdeset për bashkëshortin e paralizuar, por nevojat e saj bien ndesh me një plan masash të Bashkisë së Tiranës për “pastrimin” e rrugëve nga tregtarët ambulantë.
Më 14 gusht 2015, Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj mori vendimin për lirimin e hapësira publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, ndërsa policia bashkiake organizoi disa aksione radhazi kundër tregtarëve ambulantë. Jeta e Nurijes dhe e qindra shitësve të tjerë të ngjashëm në rrugët e Tiranës u vështirësua nga ky vendim.
Në pamundësi për të braktisur shitjen e produkteve bujqësore, “ambulantët” janë zhvendosur nga rrugët kryesore drejt hapësirave mes pallateve apo lagjeve të brendshme, ku është më e vështirë të diktohen nga policia.
Njësoj si Nurija, edhe Bakushja nga Peza shet prej 15 vitesh vezë fshati dhe ullinj në afërsi të sheshit Wilson në Tiranë. Në fund të ditës, ajo shpreson të fitojë 1 mijë lekë nga produktet e saj.
“Rrimë gjithë frikë, pasi policia jo vetëm që na merr mallin, por na vendos edhe gjobë,” i tha ajo BIRN.
Gruaja në meso-moshë do të kishte dashur të shiste në një treg të licensuar që nuk ekziston. Mundësia e saj e vetme për të mos u përballur me policinë është t’u drejtohet tregtarëve, por në fund të ditës ajo do të kishte më pak para për familjen e saj.
Nga gushti i vitit 2015, policia bashkiake e Tiranës ka vendosur 3443 gjoba mbi tregtarët ambulantë për zënie hapësirash publike, ndotjen e ambientit dhe ushtrim të aktivitetit pa leje.
E vendosur për të luftuar informalitetin, Bashkia e Tiranës tha në një njoftim për shtyp se ka plane për ndërtimin e tregjeve të reja publike dhe private për këtë kategori shitësish.
“Aktualisht, jemi duke ndërmarrë një plan veprimi për identifikimin dhe zonimin e zonave prioritare ku do të instalohen tregje publike dhe private, sipas të gjitha standardeve, në përputhje me paketën higjenike. Bashkia është gjithashtu në procesin e licensimit të gjithë tregëtarëve ambulantë,” thuhet në njoftim.
Për të realizuar këtë plan, Bashkia ka nisur punimet në bulevardin Petro Nini Luarasi dhe pranë shkollës “Katër dëshmorët” në njësinë nr.8. Në tregun e parë pritet të sistemohen 54 tregtarë ambulantë ndërsa në të dytin kapaciteti është më i madh.
Përveç qendrës së Tiranës, ky proces ka përfshirë edhe zonat periferike të Tiranës. Tregtarët e zonës së quajtur Varri i Bamit në Njësinë Administrative nr.3 kanë marrë njoftim se do të zhvendosen në një hapësirë tjetër.
Bashkia e Tiranës pretendon se ka edhe një projekt për tregje të lëvizshme, me qëllim promovimin e produkteve lokale. “Tregjet e lëvizshme do të funksionojnë sipas një grafiku dhe orari në ditë të caktuara,”-tha bashkia përmes një njoftimi.
Por derisa këto plane të bëhen realitet, shitësit ambulantë do të vazhdojnë të sfidojnë policinë bashkiake, që tenton me çdo kusht t’i heqë nga rruga.
Isufi, një shitës bimësh medicinale nga zona e Freskut në Tiranë i tha BIRN se për të siguruar produktet punon e gjithë familja, ndaj të rrezikojë është e vetmja zgjedhje që ai ka.
“Ime shoqe i paketon gjatë gjithë dimrit, ndërsa unë dal në rrugë për t’i shitur. Kur vjen policia, shtirem sikur nuk është malli im,” përfundon ai.
Ti biem te varferve ne emer te luftes informalitet, nderkohe qe peshqit e medhenje plackisin Shqiperine ne cdo cep.