132 miliardë dollarë shpenzohen çdo vit në shkallë globale për të arritur Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, por ndërsa bota përpiqet të ecë përpara drejt shkollimit dhe mungesës së varfërisë, disa probleme madhore kërkojnë pak qindarka për t’u zgjidhur, arsyeton Bjorn Lomborg.
Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të OKB për vitin 2030 kanë mes objektivave të tjera arsimin fillor për të gjithë fëmijët, punësim për të gjithë të rriturit dhe fund të urisë dhe varfërisë. Këto janë aspirata fisnike – por shumë të shtrenjta. A mund t’i përballojmë të gjitha?
OSBE ka vlerësuar se përmbushja e të shtatëmbëdhjetë SDG-ve, që përbëhen nga 169 synime specifike të zhvillimit do të kushtonte 3.3 deri në 4.5 trilionë dollarë në vit – afërsisht e njëjta shumë e buxhetit federal të Shteteve të Bashkuara për vitin 2016 dhe shumë larg 132 miliardë dollarëve që shpenzohen në shkallë globale për zhvillim dhe ndihmë.
Në fakt, vetëm ofrimi i arsimit fillor në shkallë universale do të kushtonte të paktën 17 miliardë dollarë shtesë në vit dhe një komitet ndërqeveritar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB vlerëson se asgjësimi i varfërisë do të kërkonte investime vjetore në infrastrukturë prej 5-7 trilionë dollarë në shkallë globale. Në realitet, vlerësimet variojnë sepse askush nuk e ka të sigurt se sa do të kushtojnë SDG-të.
Ndërkohë, vendet donatore kanë pak gjasa të ofrojnë rritje të konsiderueshme të financimit për zhvillimin në afat kohor të afërt. Në Mbretërinë e Bashkuar, votuesit duan të shpëtojnë nga një zotim i mëparshëm i ndihmës së huaj që llogaritet në 0.7% të PBB-së. Në SHBA, kandidati presidencial republikan, Donald Trump ka thënë se qeveria federale duhet “të ndalojë shpenzimet për ndihmën e huaj ndaj vendeve që na urrejnë”. Dhe në Australi, qeveria ka pakësuar buxhetin duke e çuar në më të ulëtin e të gjitha kohërave, të matur kundrejt të ardhurave kombëtare bruto.
Nëse nuk mbështetemi te financimi i plotë për çdo SDG, atëherë duhet të shpenzojmë atë që kemi me zgjuarsi dhe të mos shpenzojmë më tepër në investime që historikisht sjellin pak përfitime. Për shembull, në arsim, investimi në përmasa më të vogla të klasave dhe rrogave më të larta për mësuesit nuk ka pasur asnjë ndikim sinjifikant te rezultatet në teste të nxënësve.
Një tjetër zonë që premton më tepër nga sa jep është “ndihma klimatike”, që alkolon fonde zhvillimi në përpjekje për të pakësuar efektet e ngrohjes globale. Shpesh, ky fond shërben për qëllime kozmetike, pasi i bën donatorët të duken si miqësor me mjedisin – në vend që të sjellë një ndryshim real.
Në fakt, ndërsa skemat e ndihmës klimatike shtohen, shumë vende ende humbin miliarda për të pakësuar çmimet e gazit artificialisht. Në vitin 2014, shpenzimi i subvencioneve të karburantit fosil llogaritej 20-30 miliardë dollarë në Kinë, Egjipt, Venezuelë dhe Algjeri; 40 miliardë dollarë në Rusi dhe Indi; dhe 70 miliardë në Iran dhe Arabi Saudite.
Mes shumë objektivave të lidhura me energjinë te SDG-të, thirrja për t’i dhënë fund subvencioneve të karburantit fosil është afërmendshm. Ekonomistët në think-tankun që unë drejtoj vlerësojnë se çdo dollar i marrë nga subvencionet e energjisë mund të gjenerojë të paktën 15 dollarë përfitime për shoqërinë. Ndërprerja e këtyre subvencioneve do të paktësonte çlirimet e CO2, ndotjen e ajrit dhe mbipopullimin automobil. Më e rëndësishmja, kjo do të zhbllokonte para për fusha të tjera si shëndeti dhe ushqimi, ku masat e thjeshta mund të kenë një ndikim relativ krahasuar me koston.
Për shembull, ndërsa malaria vrau më tepër se 400,000 njerëz vitin e shkuar, rrjetat e insekticideve për t’u ruajtur ndaj mushkonjave që mbartin malarie janë efektive për dy deri në tre vjet dhe kushtojnë më pak se 10 dollarë për t’u prodhuar dhe shpërndarë. Një rast i vetëm i malaries klinike mund të shmanget për më pak se 11 dollarë.
Sipas vlerësuesit të bamirësisë Giveëell, Fondacioni Kundër Malaries shpëton jetën e një fëmije me çdo 3500 dollarë që shpenzon dhe një studim në Kenia madje zbuloi se për 1000 dollarë të shpenzuaraa në shpërndarjen e krevateve me rrjeta, mund të shmanget vdekja e një fëmije. Punëtori i zakonshëm amerikan shpenzon kaq para çdo vit vetëm për kafe.
Një shpenzim i vogël mund të shpëtojë një person nga vuajtja që vjen prej simptomave të malaries si ethet, dhimbjet e kokës, të vjellat etj; dhe mund të shpëtojë një komunitet nga humbja e produktivitetit ekonomik sepse fëmijët mungojnë më pak në shkollë dhe të rriturit mungojnë më pak në punë. Dhe mund të shpëtojë qindra mijëra jetë. Ekonomistët tanë vlerësojnë se investimi për të pakësuar malarien me 50 për qind sjell përfitime 35-fish për shoqërinë.
Një tjetër ndërhyje e thjeshtë dhe efektive për kujdesin shëndetësor është disponueshmëria më e madhe e aspirinës, që të mund të merret në fillim të sulmeve të zemrës për të parandaluar vdekjen. Kostoja për rastet e mjekimit përmes këtij ilaçi të lirë bashkë me vizitat në klinika dhe testet e diagnostikimit është vetëm 13-15 dollarë, që do të thotë se mund të prekim 75 për qind të popullatës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për vetëm 3.5 miliardë dollarë. Kjo është sa një e pesta e asaj që Brazili shpenzoi për të organizuar Lojërat Olimpike Verore në Rio de Zhaniero këtë vit.
Po kështu, ndërhyrjet bazike në ushqim – veçanërisht për gratë shtatzëna dhe të porsalindurit – mund të kenë efekte të gjera për individët dhe komunitetet. Ushqimi i mirë përmirëson shëndetin afatgjatë të fëmijës, performancën në arsim dhe fitimet për të ardhmen. Investimi në ushqim është një tjetër zgjedhje e logjikshme: masat si jodizimi i kripës, suplementet e hekurit, acidit folik dhe vitaminës A mund të kushtojnë vetëm pak qindarka në vit për ata që i marrin. Po kështu, trajtimet kundër krimbave dhe vaksinimi nuk janë të shtrenjta, por janë efektive dhe kanë përfitime të mëdha krahasuar me investimin.
Ndërsa nuk duhet të kërkojmë për “ujdi” në lidhje me SDG-të, duhet patjetër të kërkojmë për vendin se ku një dollar është më mirë të shpenzohet. Do të ishte fantastike nëse mund të rrisim financimin, por do të ishte budallallëk të mendojmë se paratë për ndihmë do të shumëfishohen brenda natës ose se axhenda masive e zhvillimit të OKB ka burimet për të ruajtur këtë drejtim. Në fakt, për të bindur vendet me të ardhura të larta – dhe taksapaguesit e tyre – të rrisin investimet e tyre në ndihmën e zhvillimit, ne duhet të bëjmë llogaritje më të mira për koston dhe përfitimin dhe të kuptojmë se jo të gjithë synimet e zhvillimit janë të barabarta.
Kur mund të ndryshojmë krejtësisht jetën e dikujt për qindarka, duhet të pranojmë këtë fitore të vogël përpara se të ndjekim projekte të mëdha me kosto edhe më të larta dhe pa garanci suksesi. Aty ku mungojnë paratë, nuk ka përse mungon edhe logjika.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. No-Brainer Sustainable Development