Katërmbëdhjetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pas zjarrit që përfshiu një spital modular COVID-19 në Tetovë, Maqedoni e Veriut, të mërkurën në mbrëmje.
Një zjarr që shpërtheu në spitalin modular COVID-19 në Tetovë, Maqedoni e Veriut, të mërkurën në mbrëmje, i ka marrë jetën 14 personave.
Ministria e Shëndetësisë tha të enjten se, së bashku me viktimat, 12 të tjerë u plagosën dhe u dërguan në urgjencën e spitalit. Jeta e tyre nuk është në rrezik. Në momentin e zjarrit, sipas ministrisë, në spitalin modular ishin 26 pacientë.
Një njoftim për shtyp i prokurorisë tha se ishte dhënë urdhër “për identifikimin e trupave të 14 të vdekurve në zjarr, ndërsa po hetohet nëse ka të vdekur të tjerë”. Ai shtoi: “Disa prej viktimave do të kenë nevojë për analiza ADN-je për të të verifikuar identitetin e tyre.”
Nuk dihet ende arsyeja e zjarrit dhe kjo erdhi menjëherë pasi vendi festoi 30 vjet pavarësi.
Nexhmedin Abazi, një mjek nga Spitali i Tetovës, i cili raportoi për dhjetëra persona të tjerë të plagosur në spital të mërkurën, tha për TV21 se, “në fillim gjendja e tyre ishte shumë e rëndë, por me ndërhyrjen e ekipeve mjekësore ajo është stabilizuar”.
Mediat raportuan se 30 zjarrfikës me shtatë makina zjarrfikëse arritën ta shuanin zjarrin. Në ndihmë të zjarrfikësve erdhën edhe civilë.
Ndërkohë, pesë prokurorë shtetërorë janë caktuar për të trajtuar çështjen, ndërsa qeveria do të mbajë një takim urgjent të enjten për të diskutuar mbi tragjedinë.
Zjarri në spital vjen ndërsa vendi përballet me një rritje tjetër të rasteve me COVID-19 dhe kur pothuajse të gjitha qytetet në vend po përdorin spitale të tilla modulare, të ndërtuara me nxitim vitin e kaluar dhe këtë vit, ngjitur me godinat mjekësore ekzistuese, në mënyrë që të zgjerohet kapaciteti për shtrimin e pacientëve në spital.
Deklarata ngushëllimi erdhën të enjten edhe nga BE-ja, si dhe nga Greqia fqinje, Serbia, Kosova dhe vende të tjera.