
Maqedonia shpreson të korrë një përfitim afatgjatë nga një skuadër e prodhuesve të filmave të Hollivudit të cilët kanë rënë dakord të shkojnë dhe të kërkojnë vende për xhirimin e filmave në Maqedoni teksa filmojnë disa video promovimi.
Si pjesë e vizitës së organizuar nga qeveria, skuadra Hollivudiane e filmit e drejtuar nga producenti fitues i çmimit Oskar Timothy Marlowe, producenti dhe reporteri Percy von Lipinski dhe kinematografi Rob Haber kanë filluar një turne nëpër vend.
Lipinski, i cili do të jetë në krye të filmimit të 15 videove promocionale rreth Maqedonisë, shpreson që ata të mund t’i nxisin prodhuesit e filmave të Hollivudit të filmojnë në Maqedoni, teksa ndihmojnë në krijimin e një marke të njohur turistike.
“Me një vend të vogël si Maqedonia, nuk është punë e thjeshtë, por ne besojmë se kemi formulën për të gjetur se çfarë është më unike për Maqedoninë” tha Lipinski në një konferencë për shtyp në Shkup. Lipinski është i njohur si guruja i udhëtimeve të CNN, për eksperiencën e tij në promovimin e vendeve.
“Ne kemi një mënyrë të veçantë, Hollivudiane për të promovuar dhe reklamuar, që i lejon njerëzit të identifikojnë veten me skenat dhe historitë nga filmat,” tha ai.
“Marrim për shembull “Casablanca-n”, që ka bërë shumë për turizmin në Marok. Ekziston një lloj turizmi që njerëzit lidhen me skenat dhe emocionet nga filmat dhe ata duan ta vizitojnë vendin ku u xhirua filmi. Hollivudi e bën shumë mirë këtë” shtoi Lipinski.
Skuadra do të xhirojë video në vende të ndryshme, nga një Pazar i vjetër në Shkup, në liqenin Ohër, në Malin Galicica, në fshatin malor të Lazaropolit, në grykën Matka, në manastirin e Treskavecit dhe në vende të tjera.
Në fillim të vitit tjetër, videot do të mund të shihen në YouTube dhe do të shfaqen në televizione ndërkombëtare, tha Kristijan Dzambazovski, kreu i Agjencisë Maqedonase të Turizmit, i cili po mirëpret grupin Hollivudian.
“Synimi ynë është ta prezantojmë Maqedoninë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ta bëjmë të njohur si një destinacion turistik në mediat më të mira botërore,” tha Dzambazovski.
Kreu i Byrosë Maqedonase për Zhvillimin e Zonave Teknologjike dhe Industriale, Viktor Mizo, tha se bashkëpunimi me Lipinskin nuk është i lidhur me reklamimin turistik te CNN, të paguar nga qeveria.
“Filmat do të jenë të shkurtër dhe do transmetohen falas. Në të njëjtën kohë, ata po kërkojnë për vende ku mund të xhirohen filma komercial Hollivudian,” tha Mizo.
Producenti Timothy Marlowe punon me kompaninë Hollywood Media Bridge (HMB) që bën biznes me studio gjigante të Hollivudit si Warner Bros, MGM, Paramount, Universal Studios, Sony Pictures dhe gjithashtu punon me kanale televizive si Fox, Reelz, SyFY dhe Lifetime.
Vetë Marlowe ishte producenti ekzekutiv në filma si “Legend” dhe “Badge of Honor”. Ai fitoi një Çmim Akademie për dokumentarin e shkurtër “The Lady in Number 6”.