Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Page Positions Artikull kryesor Lajme

Qeveria ndalon me ligj koncesionet që u bënë simbol i saj

Gjergj ErebaraNgaGjergj Erebara
13:01 | 22/01/2019
Në Artikull kryesor Lajme, Lajme, Nyje Debati
Kohe leximi: 3 minuta
A A
0
Shqipëria në krizë kushtetuese, Meta vendos mosdekretim ministri

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp më 28 dhjetor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Share on FacebookShare on Twitter

Një projektligj i dërguar në parlament paralajmëron heqjen e mundësisë ligjore për “koncesione të pakërkuara” nga 1 korriku 2019, duke anuluar në këtë mënyrë mekanizmin ligjor më kontrovers të përdorur nga vetë qeveria përgjatë viteve të fundit.

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp më 28 dhjetor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Projektligji me iniciativë nga Ministria e Financave thotë se qeveria nuk do të ketë më të drejtë ligjore të pranojë “propozime të pakërkuara” për koncesione të llojit të atyre që aktualisht i mundësuan të njëjtës qeveri të nënshkruajë mbi 1 miliardë euro kontrata ndërsa relacioni shoqërues shpjegon se ndryshimi ka ardhur si pasojë e “rekomandimeve” nga institucionet ndërkombëtare, të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Projektligji u përgatit nga Ministria e Financave gjatë kohës që kjo ministri drejtohej nga ministri Arben Ahmetaj, i cili u zëvendësuapak ditë më parë nga Anila Denaj. Ai u dorëzua në Kuvend nga Këshilli i Ministrave më 9 janar 2019.

“Ky projektligj përcakton shprehimisht që pas datës 1 korrik 2019 nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë”, shkruhet në relacionin e publikuar në faqen në internet të Kuvendit të Shqipërisë.

“Referuar rekomandimeve të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, SIGMA-OECD dhe duke marrë shkas se tendenca e shteteve ndërkombëtare gjatë viteve të fundit është ajo e reduktimit të propozimeve të pakërkuara kemi propozuar kufizimin e së drejtës së identifikimit e të zhvillimit të propozimeve të projekteve të koncesionit/PPP, nëpërmjet propozimeve të pakërkuara nga sektori privat,” thuhet në relacion.

“Me anë të këtij projektligji është propozuar që nga data 1 korrik 2019 të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror,” vijon më tej argumentimi i Ministrisë së Financave.

Qeveria aktuale është kritikuar në Shqipëri dhe jashtë saj për një mori kontratash koncesionare me vlera të konsiderueshme, të cilat janë realizuar ose me ligje të veçanta që shmangin konkurrencën dhe përcaktojnë paraprakisht fituesin, ose përmes “propozimeve të pakërkuara”, të cilat në praktikë eliminojnë konkurrencën dhe përcaktojnë me vendim qeverie një avantazh të pathyeshëm për propozuesin, duke e bërë garën pasuese thjeshtë formalitet.

Institucione të ndryshme, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin e Shtetit të SHBA apo Komisionin Europian kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi format ekstraligjore të ndjekura nga qeveria aktuale për negocimin e kontratave koncesionare në kurriz të taksapaguesve.

Kështu, sipas FMN, “kuadri i punës së qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimit, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm,” dhe fondi pati kërkuar në fillim të vitit 2018 ndalimin e dhënies së koncesioneve të reja.

Sipas Departamentit të Shtetit, “përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike dhe private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.”

Komisioni Europian detyroi qeverinë shtatorin e kaluar të heqë dorë nga ligji fillestar që parashikonte negocim privat me kompaninë Fusha sh.p.k për ndërtimin e një teatri kombëtar në shkëmbim të zhvillimit të një pjese të tokës publike të zënë nga ndërtesat ekzistuese të teatrit, për shkak se ligji sillte kufizim të konkurrencës.

Qeveria njoftoi të hënën më 21 janar tërheqjen nga faza e negocimit për kontratën më të madhe koncesionare të saj, atë për segmentin rrugor Thumanë-Kashar me distancë 21 kilometra dhe me kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh, pa dhënë shpjegime për shkaqet që sollën anulimin.

Etiketa: Koncesion
Tjetri
Gjyqtari Edmond Islamaj dhe prokurori Dritan Prenci konfirmohen në detyrë

Udhëtime private dhe zyrtare; Kolegji shtyn seancën ndaj Islamajt

Më të lexuarat

Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

19:09 | 18/03/2023
Shqipëria në krizë kushtetuese, Meta vendos mosdekretim ministri

Qeveria ndalon me ligj koncesionet që u bënë simbol i saj

13:01 | 22/01/2019
Shqiptarët u përballën me rënie të ndjeshme të pagave më 2016

Paratë e drogës si faktor i mosrritjes së pagave

13:42 | 21/03/2023
Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

13:49 | 20/03/2023

Gjykata liroi zyrtaren e akuzuar për mashtrim pasi fëmijët e saj ishin të trishtuar

15:47 | 21/03/2023
Praktikat e blerjes së dy apartamenteve sollën shkarkimin e gjyqtares Bernina Kondi

Kolegji rrëzon “cënimin e besimit” për Bernina Kondin, por lë në fuqi shkarkimin

19:52 | 20/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.