Policia e Vlorës ekzekutoi urdhërarrestet për 27 persona me akuzat e kultivimit, trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike, ndërsa shpalli në kërkim 4 të tjerë. Gjatë operacionit u sekuestruan 120 kg kanabis dhe u shkatërruan 12 mijë rrënjë bimë narkotike.
27 persona janë arrestuar mëngjesin e kësaj të hëne nga policia e Vlorës në një operacion kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit, 4 persona u shpallën në kërkim, ndërsa ndaj 10 të tjerëve është zbatuar caktimi i masës “arrest shtëpie”.
Ndërkohë një aksion paralel të lidhur me të parin, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave njoftoi arrestimin e një efektivi policie, një i dytë u shpall në kërkim, ndërsa ndaj katër oficerëve përfshi ish-shefin e Komisariatit të Himarës është bërë referim në prokurori.
“Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e 27 personave, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, ekzekutimi i 5 masave të sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe i 5 masave të sigurisë ”Detyrim për paraqitje”, si dhe u shpallën në kërkim 4 persona që nuk u gjetën gjatë operacionit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Operacioni i policisë i koduar me emrin “Hapësira” solli sekuestrimin e 12 mijë rrënjeve kanabis dhe 120 kilogramë kanabis të tharë. Policia tha se kishte ushtruar kontrolle në 41 banesa, ndërsa ishin sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive dhe 39 telefona celular.
Pjesë e grupit, janë adoleshentë, gra e burra që akuzohen për kultivim të bimëve narkotike në Bashkitë Himarë dhe Selenicë që sipas burimeve janë kultivuar në 32 parcela të ndryshme në 6 fshatra të Lumit të Vlorës! Nën akuzë janë vënë edhe kryetarë fshati dhe inspektorë të pyjeve që akuzohen për shpërdorim detyre e moskallzim krimi.
Policia e Vlorës tha se ky ishte operacioni më i madh i kësaj natyre në këtë zonë, ndërsa njoftoi se hetimet kishin vijuar 6 muaj “në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë”.