Lajm8 Mar 2018

8-Marsi shënohet me protesta dhe aktivitete feministe në Tiranë

Duke dalë  për herë të parë nga korniza e 8-Marsit si festë, një grup aktivistësh dhe organizatash në Tiranë i dhanë Ditës Ndërkombëtare të Grave frymën e protestës, aktivizmit dhe përgëzimit të arritjeve të grave shqiptare në një seri aktivitetesh maratonë përgjatë ditës.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Marshimi Barazi dhe Dinjitet i shoqatave dhe organizatave të grave më 8 Mars në Tiranë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Dita Ndërkombëtare e Grave, 8-Marsi u shënua në Tiranë me një seri aktivitetesh të aktivizmit të të drejtave të grave duke sfiduar kështu traditën e hershme që i jepte kësaj date frymën e festimit në vend të sensibilizmit për më shumë barazi gjinore.

Një rrjet organizatash në mbrojtje të të drejtave të grave dhe dhjetëra aktivistë marshuan në mëngjesin e të enjtes nën reshjet e dendura të shiut nga sheshi “Skënderbej” drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me thirrjet ‘barazi’ dhe ‘dinjitet’.

Pjesëmarrësit në marshim mbanin pankarta si “Të drejta të barabarta,” “Stop dhunës me bazë gjinore” dhe “Barazia gjinore fillon nga brenda mureve të shtëpisë”.

Ata ndalën në institucionet kryesore përgjatë bulevardit si Kryeministria, Kuvendi dhe Presidenca për të nxitur politikëbërësit të ndërmarrin më shumë veprime që do të rrisin rolin e grave në jetën publike dhe barazinë në përgjithësi.

“Pabarazia ndërmjet burrave dhe grave në Shqipëri mbetet ende një nga problemet më serioze sociale në vend,” deklaruan aktivistët, duke shtuar se situata e grave dhe vajzave mbetet ende larg asaj që duhet.

Ata kërkuan për mbështetje për gratë e dhunuara, parandalim të martesave të hershme, ndihmë ekonomike për gratë kryefamiljare, barazinë në politikëbërëje dhe vendimmarrje, si dhe akses falas në drejtësi dhe më shumë mundësi punësimi.

Në mesditë, një grup vajzash e shënuan 8-Marsin në mënyrë kritike dhe sensibilizuese duke u bërë pjesë e aktivitetit global WikiGap që synon të ngushtojë hendekun gjinor në internet mes burrave dhe grave.

Të rinj nga tre qytete, Tirana, Shkodra dhe Fieri redaktuan dhe krijuan në kuadër të këtij aktiviteti të biografi të reja në internet të grave të shquara shqiptare, një numër ky aktualisht mjaft i ulët.

“86 për qind e biografive që ekzistojnë në gjuhën shqipe flasin për arritjet e meshkujve, por nëse ecim nëpër rrugë, a janë 86 për qind e njerëzve meshkuj?” pyeti ambasadori suedez në Tiranë, Johan Ndisi, ndërsa shtoi që është i rëndësishëm reflektimi i realitetit edhe në internet.

Marinela Gremi, nga organizata ProLGBT  i tha BIRN se përveç marshimit dhe protestave në rrugë, është thelbësore që atyre tu shtohet dhe iniciativa e forcimit të zërit të gruas në internet.

“Është e rëndësishme që djemtë dhe vajzat të mësohen ta përdorin internetin si një formë aktivizmi dhe për të nxitur feminizmin,” tha Gremi.

Nga ana tjetër e kryeqytetit, aktivistë të Organizatës Politike u mblodhën në Kombinat për të ngritur zërin për të drejtat e grave në punë.

Ata kujtuan zanafillën e 8-Marsit me gratë e rebeluara të një fabrike, ndërsa nxitën punëtoret aktuale të fasonerive dhe industrive të tjera që të kërkojnë më shumë të drejta në punë, si dhe t’i japin fund skllavërisë nga pronari.

Duke folur në tubim aktivistja Liri Kuçi nënvijëzoi gjendjen e mjerueshme të punës me të cilat përballen gratë, ndërsa u bëri thirrje atyre të bashkohen për të sjellë ndryshimin e dëshiruar.

“Nëse sot ka gra astronaute, gra shkencëtare, ka avokate, ka doktoresha – kjo është sepse ato kanë punuar fort për të mbajtur pozicionin ku janë,” tha Kuçi.

“Kjo na bën shpresëplota se duke qenë bashkë do të arrijmë të kërkojmë disa të drejta bazike por do të shkojmë dhe përtej këtyre. Të kërkojmë barazi shoqërore dhe të drejta të mirëfillta,” shtoi ajo.

Mbrëmja e 8-Marsit do të mbledhë gjithashtu vizitorë në qendrën kulturore Tulla, ku do të hapet ekspozita “Gruaja në pullën dhe monedhën kombëtare”.

Në ekspozitë do të paraqitet një koleksion i rrallë pullash, monedhash dhe kartëmonedhash të koleksionuesit Julian Demeti për të nënvizuar pasqyrimin e rolit të gruas në këto produkte shtetërore.

Po ashtu, nisma Gra që Frymëzojnë do të organizojë një takim në Kafe Muzeum Komiteti ku do të flitet për gratë dhe vajzat me prejardhje të fushave të ndryshme të cilat kanë përcjellë frymëzim përmes punës dhe arritjeve të tyre.