Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe katër administratorë kompanish private janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të akuzuar për manipulim tenderësh dhe korrupsion aktiv dhe pasiv.
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda Gjykata e Tiranës ka vendosur të hënën masën e sigurisë “arrest në burg” për zv.drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi, i dyshuar për “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë…”, si edhe për administratorët e 4 kompanive private, të dyshuar për “korrupsion aktiv”, gjatë procedurave të prokurimit publik për blerje ushqimesh për burgjet në Shqipëri.
“Administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderët e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqim,” tha Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Sipas Prokurorisë nga hetimi ka rezultuar se administratorët e kompanive të sipërpërmendura takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata bënin.
Pasi përcaktonin se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi, shoqëritë “humbëse” lidhnin kontrata formale dhe joformale si nënkontraktor me fituesit.
Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të provojë me fakte konkrete se administratorët e kompanive kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyre fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe veze”, e cila ka datë lidhje kontrate 31 maj 2016 dhe me vlerë totale të kontratës 22.6 milionë lek.
Sipas Prokurorisë, zëvendës drejtori i Burgjeve Iljaz Labi, ka mbajtur për këtë prokurim kontakte dhe ka zhvilluar takime të vazhdueshme me personat nën hetim, Ylber Kalaja dhe Shemsi Sinani, duke kërkuar prej tyre ryshfet.
“Nga veprimet e tij, del qartë dijenia për kryerjen e procedurës së prokurimit në mënyrë fiktive. Detyra funksionale e tij është pjesë e zinxhirit përkatës që nga fillimi i nisjes së procedurës së prokurimit dhe deri ne lidhjen e kontratës,” tha Prokuroria.
“Për realizimin e qëllimit, të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milion lekë të reja te zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, me qëllim që ky i fundit t’u krijonte lehtësitë e nevojshme gjatë procedurës së prokurimit,” përfundoi ajo.
Labi më parë ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun Durrës.