Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se deputeti socialist ka qenë i proceduar në Itali për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh dhe i dënuar me vendim të formës së prerë në Shqipëri, ndërsa ka nisur procedim për KQZ për fshehjen e fakteve mbi të kaluarën kriminale të Prengës.
Prokuroria e Përgjithshme deklaroi të enjten se ka kërkuar ndërprerjen e mandatit të deputetit Armando Prenga dhe se ka regjistruar procedim penal ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për “fshehjen e fakteve mbi të kaluarën e tij kriminale”.
Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Prenga rezulton me rekorde kriminale në Itali për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas Prokurorisë nuk e ka kallëzuar atë.
Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin se deputeti i qarkut të Lezhës, i zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i “Dekriminalizimit”.
Prokuroria sqaroi se Prenga, ndaj të cilit po zhvillohet edhe një proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit për akuzën e plagosjes, nuk ka deklaruar rekordet kriminale të kryera gjatë viteve 1996-1997 në shtetin fqinj, Itali.
“Armando Prenga rezulton i proceduar për vjedhje, fshehje identiteti dhe falsifikime, vepra penale këto të kryera në qytetin verior të Italisë, Milano. Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos,” thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.
Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe autoriteteve italiane. Një tjetër dënim që Prenga nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit është një vendim i formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, për të cilin është dënuar me 450 000 lekë gjobë.
Paralelisht me Prengën, Prokuroria denoncoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mospërmbushje të detyrimeve që i lindin këtij institucioni nga ligji i dekriminalizimit. Prokuroria e Përgjithshme e akuzon KQZ-në se nuk ka kallëzuar penalisht deputetin Prenga pasi ka konstatuar fshehjen nga ana e tij të dënimit të formës së prerë nga Gjykatës së Kurbinit.
“Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27 maj 2016 me anë të një vërtetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor,” thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.
Ndërsa ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të deputetit Prenga, sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka sqaruar opinionin se deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit sipas këtij ligji.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, verifikimet për deputetin demokrat nisën pas kërkesës së bërë nga një grup deputetësh, të cilët i kërkuar prokurorisë të verifikonte informacionin lidhur me një masë të mundshme sigurimi dhënë ndaj Nokës në vitin 1991, nga autoritetet e ish-Republikës Federative Jugosllave.
Prokuroria sqaron se në: “në bazë të informacionit zyrtar të marrë nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë, rezulton që subjekti Flamur Noka nuk figuron në evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe dhe si rrjedhojë nuk ka evidenca dënimesh në lidhje me këtë subjekt”.
Armando Prenga është deputeti i tretë për të cilin Prokuroria ka kërkuar ndërprerjen e mandatit për shkak të së shkuarës së tij kriminale. Në dhjetor 2016, prokuroria kërkoi ndërprerjen e mandatit për deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si dhe të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.