Mbështetësit e opozitës u përpoqën disa herë të çajnë kordonin policor pranë Kuvendit të Shqipërisë të enjten ndërsa kuvendi u mblodh në seancë plenare ku tre deputetë zëvendësues u betuan.
Protesta e opozitës përfundoi të enjten pas dreke me përplasje të vogla mes protestuesve dhe policisë ndërkohë që tre deputetë të rinj nga lista kandidatëve të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim u betuan në kuvend. Disa protestues hodhën një substancë me ngjyrë ndaj Ralf Gjonit, një nga deputetët e rinj, ndërsa ky i fundit po hynte në kuvend për herë të parë.
Protestuesit u thirrën nga partitë politike në opozitë në mëngjes dhe disa dhjetëra prej tyre hodhën fishekzjarrë dhe tymuese ndërsa policia i shtyu pas. Ndryshe nga protestat e mëparshme, policia nuk përdori gaz lotsjellës ndonëse ishte e përgatitur me maska gazi dhe makina me ujë me presion.
Kjo ishte protesta e pestë e organizuar nga opozita përgjatë muajit të fundit.
Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim në opozitë dhe bashkëshorte e presidentit Ilir Meta, u afrua personalisht te kordoni policor ndërsa protestuesit e përshëndetën atë me një shtytje tjetër ndaj policëve.
Policia bllokoi aksesin në rrugët përreth Kuvendit të Shqipërisë ndërsa disa qytetarë u panë në hyrje të pedonales së Tiranës në mëngjes duke protestuar për një arsye tjetër: policia ndaloi punonjësit e bizneseve dhe institucioneve përreth të shkonin në punë.
Deputetët e opozitës dhanë dorëheqjen në masë në shkurt pasi deklaruan se i konsiderojnë zgjedhjet e fundit të vjedhura nga qeveria në bashkëpunim me krimin.
Që nga ajo kohë ajo ka organizuar shumë protesta, disa prej të cilave përfunduan në dhunë.
Sipas sistemit zgjedhor shqiptar me lista të mbyllura, mandatet e deputetëve të dorëhequr i janë ofruar kandidatëve më poshtë në listë, disa prej të cilëve i kanë pranuar pavarësisht se janë cilësuar si tradhëtarë nga partitë respektive.
Tre kandidatë nga Partia Demokratike kanë pranuar mandatet bashkë me nëntë nga LSI. Nga PD dhanë dorëheqjen 41 nga 43 deputetët e saj ndërsa nga LSI dhanë dorëheqjen 17 nga 19.
Rreth 25 kandidatë nga PD që kanë marrë ftesat për të zëvendësuar të dorëhequrit kanë refuzuar deri tani por në listat e kësaj partie ka edhe 126 kandidatë të tjerë. Nga LSI, nga 16 kandidatët që kanë marrë ftesat, 9 kanë pranuar. Në listat e kësaj partie ka 113 kandidatë në pritje.
Partnerët perëndimorë të Shqipërisë kanë kritikuar opozitën për braktisjen e parlamentit dhe kanë nxitur kandidatët të marrin mandatet. Ata thonë se qeveria është e ligjshme dhe në mënyrë të përsëritur kanë kritikuar nxitjen e dhunës nga opozita.