Analize14 Apr 2020

A do ta ndreqë COVID-19 botën?

Askush nuk duhet të presë që pandemia të ndryshojë – aq më pak të kthejë mbrapsht – tendencat që ishin tashmë të dukshme që para krizës. Neoliberalizmi do të vazhdojë vdekjen e tij të ngadaltë, autokratët populistë do të bëhen akoma më autoritarë dhe e majta do të vazhdojë të luftojë për të hartuar një program që i drejtohet shumicës së votuesve.

Autor: Dani Rodrik Project Syndicate Kembrixh
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Krizat vijnë në dy variante: ato për të cilat ne nuk mund të ishim të përgatitur, sepse askush nuk i ka parashikuar, dhe ato për të cilat ne duhet të ishim të përgatitur, sepse ishin të pritshme. COVID-19 është në kategorinë e fundit, pavarësisht se çfarë thotë presidenti amerikan Donald Trump për të shmangur përgjegjësinë për katastrofën. Edhe pse vetë koronavirusi është i ri dhe koha e shpërthimit të tij aktual nuk mund të ishte parashikuar, ekspertët kishin njohuri se një pandemi e këtij lloji ishte e mundshme.

SARS, MERS, H1N1, Ebola dhe shpërthime virusesh të tjerë kishin ofruar mjaftueshëm paralajmërime. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë rishikoi dhe përmirësoi kuadrin global për t’iu përgjigjur shpërthimeve të viruseve, duke u përpjekur të rregullojë mangësitë e perceptuara në përgjigjen globale të përjetuar gjatë shpërthimit të SARS në vitin 2003.

Në vitin 2016, Banka Botërore prezantoi një Instrument Pandemik për Financimin e Urgjencave për të ofruar ndihmë për vendet me të ardhura të ulëta përballë krizave shëndetësore ndërkufitare. Më e çuditshme, vetëm disa muaj para se COVID-19 të shfaqej në Wuhan të Kinës, një raport i qeverisë amerikane paralajmëroi administratën Trump në lidhje me mundësinë e një pandemie gripi në shkallën e epidemisë së gripit njëqind vjet më parë, e cila vrau rreth 50 milionë njerëz në mbarë botën.

Ashtu si ndryshimet klimatike, COVID-19 ishte një krizë që pritej të ndodhte. Përgjigjja në Shtetet e Bashkuara ka qenë veçanërisht katastrofike. Trump e minimizoi rëndësinë e krizës për javë të tëra. Deri në kohën kur infeksionet dhe shtrimet nëpër spitale filluan të shtoheshin ndjeshëm, vendi kishte shumë pak pajisje për testime, maska, ventilatorë dhe pajisje të tjera mjekësore.

SHBA-ja nuk kërkoi kite testimi të vëna në dispozicion nga OBSH-ja dhe nuk arriti të prodhonte  kite të besueshme më herët. Trump nuk pranoi të përdorte autoritetin e tij për të kërkuar furnizime mjekësore nga prodhuesit privatë, duke detyruar spitalet dhe autoritetet shtetërore të përballeshin me konkurronin kundër njëri-tjetrit për të siguruar furnizime.

Vonesat në testime dhe izolime i kanë kushtuar gjithashtu shumë edhe Europës, me Italinë, Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar që po paguajnë një çmim tepër të lartë. Disa vende në Azinë Lindore janë përgjigjur shumë më mirë. Koreja e Jugut, Singapori dhe Hong Kongu duket se e kanë kontrolluar përhapjen e sëmundjes nëpërmjet një kombinimi të testimeve, gjurmimeve dhe politikave të rrepta të karantinës.

Kontraste interesante janë shfaqur edhe brenda disa vendeve. Në Italinë e veriut, Veneto ka vepruar shumë më mirë sesa Lombardia aty pranë, kryesisht për shkak të një testimi më gjithëpërfshirës dhe vendosjes së hershme të kufizimeve të udhëtimit. Në SHBA, shtetet fqinje Kentaki dhe Tenesis i raportuan rastet e tyre të para të COVID-19 një ditë larg nga njëri-tjetri. Në fund të marsit, Kentaki kishte vetëm çerekun e rasteve të infektuara që kishte Tenesi, sepse shteti veproi shumë më shpejt për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme dhe për të mbyllur sheshet publike.

Megjithatë, për pjesën më të madhe, kriza është zhvilluar në mënyra që mund të ishin pritur nga natyra mbizotëruese e qeverisjes në vende të ndryshme. Qasja jokompetente dhe e ngathët e Trump për të menaxhuar krizën nuk mund të ishte surprizë. Në të njëjtën mënyrë, presidenti po aq kapriçoz i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka vazhduar t’i nënvlerësojë rreziqet.

Nga ana tjetër, nuk duhet të habitemi që qeveritë kanë reaguar më shpejt dhe në mënyrë më efikase kur këto qeveri ende gëzojnë besim të rëndësishëm publik, siç është rasti në Korenë e Jugut, Singapor dhe Tajvan.

Përgjigja e Kinës ishte tipike kineze: shtypja e informacionit në lidhje me përhapjen e virusit, një shkallë e lartë kontrolli shoqëror dhe një mobilizim masiv të burimeve pasi kërcënimi u bë i qartë. Turkmenistani e ka ndaluar fjalën “koronavirus”, si dhe përdorimin e maskave në publik. Viktor Orbán i Hungarisë ka përfituar nga kriza duke forcuar kontrollin e tij të pushtetit, duke shpërndarë parlamentin pasi i dha vetes kompetencat e urgjencës pa limit kohor.

Kriza ka nxjerr në dritë karakteristikat kryesore të politikës së secilit vend. Vendet në fakt janë bërë versione të ekzagjeruar të vetvetes. Kjo sugjeron që kriza mund të rezultojë të jetë më pak e rëndësishme në politikën globale dhe ekonominë sesa kanë argumentuar shumë të tjerë. Në vend që ta vendosë botën në një trajektore ndryshe, ajo ka gjasa të intensifikojë dhe ngulisë trendet tashmë ekzistuese.

Ngjarjet momentale, siç është kriza aktuale, krijojnë “paragjykimin e konfirmimit”: ne kemi gjasa të shohim në debatin për COVID-19 një afirmim të botëkuptimit tonë. Dhe ne mund të perceptojmë shenja fillestare të një rendi të ardhshëm ekonomik dhe politik të cilin e kemi dëshiruar prej kohësh.

Pra, ata që duan më shumë të mira qeveritare dhe publike do të kenë shumë arsye për të menduar se kriza e justifikon besimin e tyre. Dhe ata që janë skeptikë ndaj qeverisë dhe e dekretojnë paaftësinë e saj, gjithashtu do të konfirmimin e pikëpamjeve të tyre paraprake. Ata që duan më shumë qeverisje globale do të argumentojnë se një regjim më i fortë ndërkombëtar i shëndetit publik mund të kishte minimizuar kostot e pandemisë. Dhe ata që kërkojnë kombe më të forta, do të tregojnë mënyrat e shumta me të cilat OBSH-ja duket se ka keqmenaxhuar përgjigjen e saj (për shembull, duke marrë si të vlefshme pretendimet zyrtare të Kinës, duke kundërshtuar ndalimet e udhëtimit dhe duke argumentuar kundër përdorimit të maskave).

Me pak fjalë, COVID-19 mund të mos ndryshojë – aq më pak të kthejë mbrapsht – tendencat e dukshme para krizës. Neoliberalizmi do të vazhdojë vdekjen e tij të ngadaltë. Autokratët populistë do të bëhen akoma më autoritarë. Hiper-globalizimi do të mbetet në mbrojtje ndërkohë që shtetet-kombe kërkojnë hapësirë politikash. Kina dhe SHBA-ja do të vazhdojnë përplasjen e tyre. Dhe beteja brenda shteteve-kombe midis oligarkëve, populistëve autoritarë dhe internacionalistëve liberalë do të intensifikohet, ndërkohë që e majta lufton për të hartuar një program që i drejtohet shumicës së votuesve.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Will COVID-19 Remake the World?