Presidenti amerikan Trump vendosi ta tërheqë SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit duke thënë se ishte e padrejtë për Amerikën, por sa e vërtetë është kjo? Një ekspert konsideron faktet.
Kur presidenti Donald Trump lajmëroi se SHBA-ja po tërhiqej nga marrëveshja klimatike e Parisit, ai e justifikoi këtë duke thënë “thelbi është që Marrëveshja e Parisit është shumë e padrejtë, në nivelin më të lartë, ndaj Shteteve të Bashkuara.” A është e vërtetë?
Për të vlerësuar pretendimin e Trump është e rëndësishme të kuptojmë se kur pyesim se sa duhet ta ulin shtetet çlirimin e gazit serrë, po diskutojmë si të shpërndajmë një burim të kufizuar. Është sikur të diskutonim si do të ndajmë një kek me mollë ku më shumë të uritur duan një copë të madhe sesa ka copa të mëdha.
Në rastin e ndryshimit klimatik, keku është kapaciteti i atmosferës për të thithur çlirimet tona pa ndryshim katastrofik të klimës së planetit tonë. Njerëzit që duan copa të mëdha janë vendet që do të donin të çlironin sasi të mëdha gazesh serrë.
Ne të gjithë e dimë një mënyrë për të ndarë një copë: jepi secilit një copë të barabartë. Për atmosferën, kjo nënkupton të llogaritet se çfarë sasie gazesh serrë mund të mbajë bota si një e tërë deri në një datë të caktuar dhe të pjesëtohet me popullatën aktuale të botës. Kjo nxjerr pjesën për frymë të kujtdo dhe kapacitetin e atmosferës për të thithur gazërat tonë serrë, deri në datën e përzgjedhur.
Por bota është e ndarë në shtete sovrane, jo në individë dhe nuk ka mënyrë për të vlerësuar çlirimin e gazit serrë të secilit individ. Ndaj duhet të kalojmë te pjesëtimi për çdo vend. Për ta bërë këtë me pjesë të barabarta, duhet të shumëzojmë pjesën për frymë me popullatën e vendit për të arritur te kuota e çlirimit të gazeve.
Me këtë standard, të ketë qenë marrëveshja e Parisit e padrejtë për SHBA-në? Vështirë të thuash po. SHBA-ja aktualisht ka më pak se 5% të popullatës globale, por çliron rreth 15% të gazeve serrë të botës. Nëse drejtësi nënkupton që copa e secilit të jetë e të njëjtës përmasë, është SHBA-ja që nuk po vepron drejt, duke marrë një pjesë tre herë më të madhe sa i takon.
India, përkundrazi, ka 17% të popullatës globale dhe çliron më pak se 6% të gazeve serrë, ndaj mund të ketë të drejtën të çlirojë thuajse tre herë më shumë në atmosferë me çlirimet aktuale që aktualisht. Shumë shtete të tjera në zhvillim përdorin një pjesë më të vogël se kuota e vet për frymë e atmosferës.
Ndoshta me copa të barabarta nuk është mënyra më e mirë për të ndarë një kek. Një kundërshtim i fortë është se ndarja e barabartë nuk llogarit se sa nevojë kanë pjesëtarët për pjesën e tyre. A janë vërtet ata që presin të marrin nga keku të uritur apo janë ushqyer mirë tashmë dhe thjesht po kërkojnë një ëmbëlsirë?
Por edhe ky rast nuk e ndihmon çështjen e Trump se SHBA-ja është trajtuar padrejtësisht nga marrëveshja e Parisit, sepse amerikanët mund të ulin lehtësisht lukset si udhëtimi për pushime, ajri i kondicionuar dhe konsumi i mishit, ndërsa shumë vende të tjera duhet industrializohen për të nxjerrë popullatat e tyre nga varfëria e thellë e panjohur në SHBA.
Një parim tjetër i drejtësisë krijohet nëse i marrim në konsideratë gazrat serrë si ndotje dhe aplikojmë parimin se kushdo që ndot duhet të paguajë për ta pastruar. Arsyeja përse ndryshimi klimatik është një problem tani është se gjatë dy shekujve të fundit, disa vende kanë çliruar sasi të madhe dioksdi karboni dhe gaze të tjera serrë në atmosferë.
Asnjë vend nuk ka çliruar më shumë gaze serrë gjatë kësaj periudhe sesa SHBA. Kjo është një arsye për të kërkuar që SHBA të bëjë ulje më të mëdha se vendet e tjera, veçanërisht prej faktit se SHBA po vazhdon të çlirojë gaze në një normë shumë më të lartë sesa ndotësit e tjerë të mëdhenj, si Kina dhe India. Nëse vende të tjera të industrializuara do të shkaktonin problem, duket e arsyeshme të kërkojmë të bëjnë pjesën më të madhe për ta ndrequr këtë.
Mund të shohim edhe kontributet historike të vendeve të tjera për ndryshimin klimatik në kuptimin e ndarjes për frymë gjatë kohës. Vendet e tjera mund të pretendojnë se SHBA e ka përdorur tashmë pjesën e vet historike për frymë të kapacitetit atmosferik për të thithur gaze serrë dhe duhet të kenë ata të drejtën në të ardhmen të çlirojnë më shumë që të paktën t’i afrohen me kalimin e kohës pjesës së vet për frymë. (Vendet e tjera nuk mund të përdorin aq sa SHBA dhe Europa ka përdorur tashmë, për shkak se ngrohja globale më pas do ta kalonte 2 gradë celsius në pikën ku sipas shkencëtarëve ndryshimi klimatik do të bëhej i paparashikueshëm dhe mjaft i mundshëm për të qenë katastrofik.
Pra, nga të tjera parimet e kënaqshme të drejtësisë që mund të aplikohen te ndryshimi klimatik – ndarja e barabartë, nevoja dhe përgjegjësia historike – SHBA-ja duhet të bëjë ulje drastike të çlirimit të gazit serrë. Në parimin e barazisë, çlirimet e SHBA nuk duhet të jenë më shumë se një e treta e atyre që janë sot dhe në parimet e tjera madje edhe më pak. Presidenti amerikan Barack Obama ra dakord që SHBA të ulë çlirimin e gazeve në vetëm 27%, afërsisht me atë të 2005, deri në 2025. Pretendimi i Trump se marrëveshja klimatike ishte e padrejtë ndaj SHBA-së nuk është e vërtetë. Në fakt, është kret e kundërta, SHBA-ja ia hodhi shumë lehtë.
Nëse SHBA-ja tani dështon të arrijë edhe shënjestrën më modeste të Parisit apo nuk kryen reduktimet e drejta të nevojshme për të stabilizuar klimën në planetin tonë, çfarë duhet të bëjë pjesa tjetër e botës? Kina dhe Bashkimi Europian kanë lënë tashmë të kuptohet se do t’i binden zotimeve të tyre. Por nuk duhet të lejojmë që SHBA-ja të çlirohet nga reduktimet e vendeve të tjera, ndërsa djeg sasi të pakufizuara karburanti fosil për t’i ofruar energji të lirë industrive të veta. Në fakt, qytetarët e botës duhet t’i marrin punët në duart e tyre dhe të bojkotojnë prodhimet e një vendi që haptazi refuzon të bëjë pjesën e vet për të shpëtuar planetin.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Is the Paris Accord Unfair to America?